As Serbia, as Kosova në BE pa njohje reciproke
Berlin, 25 mars - Njohja reciproke midis Serbisë dhe Kosovës është kushti i fundit që duhet që të plotësojnë këto dy vende në rrugën e tyre të gjatë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian thotë deputeti gjerman në Parlamentin Evropian, Elmar Brok.
Kryesuesi i Komitetit të PE-së për Çështje të Jashtme, Brok, i cili vjen nga partia në pushtet e kryeministres gjermane Angela Merkel, Unioni Kristian Demokratik (CDU), ka thënë për televizionin Newstv se të dyja shtetet, Serbia dhe Kosova, duhet që të shtendosin marrëdhëniet gradualisht dhe në një fazë të mëvonshme ta njohin njëra-tjetrën. Sipas tij, një veprim i këtillë, do tu hapte derën për anëtarësimin në BE, të dyja vendeve.
Që të dyja do të kenë problem për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Prandaj është e këshillueshme për të dyja që të gjejnë një mirëkuptim dhe që hap-pas-hapi të ketë një Modus-Vivendi dhe procesi të shkoj përpara. Por në fund të ditës, duhet që të ketë njohje sepse ne nuk mund të kemi dy vende anëtare të cilat nuk e njohin njëri tjetrin, sepse kjo nga aspekti legal dhe politik është e pamundur. Prandaj kjo duhet që të qojë në njohje, por nuk mund të presim se kjo do të bëhet në një `Bing-Bang, për shkak të arsyeve të brendshme politike, ka thënë Brok.
Ai pajtohet me vlerësimet e koleges së tij Doris Pack të bëra javën e kaluar se Serbia dhe Kosova duhet që të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë, në mënyrë që Serbia të mos e pengoj pastaj Kosovën përmes vetos, siç po e pengon aktualisht Greqia Maqedoninë.
Mendoj se kjo është diçka e këshillueshme. Ky argument i është thënë Qipros pak kohë më herët, pra që asnjë shtet të mos jetë në pozicionin e vetos. Prandaj është e ndihmuese për të dyja ato (Serbinë dhe Kosovën) që të gjejnë një marrëveshje që të mundësoj për ato që të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë, ka thënë ai.
Elmar Brok, ndër të tjera, ka porositur autoritetet qeveritare të Kosovës që të luftojnë korrupsionin e lartë në vend. Ai ka pohuar se i takon vet qeverisë së Kosovës dhe personave përgjegjës në Prishtinë që të zgjidhin këtë problem të madh në Kosovë përderisa Bashkimi Evropian vetëm se mund të ndihmoj në këtë betejë.
Brok ka tërhequr vërejtjen se nëse nuk ka rend e ligj, nëse ka korrupsion në Kosovë, atëherë nuk do të ketë investime nga jashtë.