Arrihet marrëveshja për Konferencën e Sarajevës
Bruksel, 11 maj - Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos deklaron se është arritur një marrëveshje lidhur me Konferencën e Sarajevës, e cila do të mbahet si takim jozyrtar i të gjitha palëve, ngjashëm sic mbahen takimet ministrore të BE-së.
"Mund t'iu konfirmoj se Konferenca e Sarajevës është përgatitur mirë, dhe se është arritur marrëveshje për formulën Gymnich që do të zbatohet, ka theksuar Moratinos, i cili kryeson Këshillin e Ministrave të BE-së.
Kryediplomati spanjoll ka deklaruar për agjencinë Beta se në bazë të kësaj formule është arritur marrëveshja me të gjitha palët, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.
Moratinos shprehu dëshirën e BE-së që në Konferencën e Sarajevës të marrin pjesë jo vetëm 27 vendet anëtare të unionit, por edhe SHBA, Rusia dhe Turqia, në mënyrë që të sigurohet stabilitet i përbashkët dhe të forcohet e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit.