Arabia Saudite përkrah Kosovën në procesin e njohjeve
Prishtinë, 15 qershor - Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Arabinë Saudite, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, u prit nga mbreti Abdullah Ibn Abdulaziz al Saud.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për përkrahjen që Arabia Saudite i ka dhënë dhe po vazhdon ti japë Kosovës.
Gjatë takimit, Kryeministri Thaçi e informoi mbretin Abdullah Ibn Abdulaziz al Saud për zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës dhe vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve.
Kosova është një shtet, që shikon kah e ardhmja dhe punon për të ardhmen zhvillimore. Në këtë drejtim mbështetja e Arabisë Saudite është e mirëpritur theksoi kryeministri Thaçi.
Në takim u bisedua edhe për procesin e njohjeve të reja për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës.
Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi kërkoi nga Mbreti Abdullah që Arabia Saudite ta ndihmojë Kosovën në këtë proces, posaçërisht tek ato vende të pa inkuadruara që manipulohen nga diplomacia e Beogradit.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit të sotëm falënderoi Arabinë Saudite për përkrahjen e Kosovës, si gjatë periudhës së luftës çlirimtare, ashtu edhe gjatë procesit të rindërtimit.
Në takim, Kryeministri Thaçi foli edhe për projektet e infrastrukturës rrugore, posaçërisht për magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, dhe mori përkrahjen e Mbretit për investime përmes Bankës Islamike.
Nga ana e tij, Mbreti Abdullah Ibn Abdulaziz al Saud shprehu vullnetin e Arabisë Saudite për ta përkrahur Republikën e Kosovës në vendet ku ka ndikim Arabia Saudite, si në procesin e njohjeve, ashtu edhe në ekonomi, investime dhe turizëm.