Anëtarësimi i Kosovës në OKB duhet të trajtohet në bisedime
Beograd, 24 janar - Ambasadori gjerman në Serbi, Heinz Wilhelm ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në OKB është një çështje që duhet të trajtohet në tryezë e bisedimeve në Bruksel.
Në një prononcim për të përditshmen serbe Veçernje Novosti, Wilhelm ka nënvizuar se Berlini dëshiron që marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës të ngirhen në nivel ambasadorësh.
Për ne kjo është një çështje e rëndësishme, por në këtë moment unë nuk mund të them nëse ajo do të jetë vendimtare për dhënien e datës së hapjes së negociatave të anëtarësimit me Serbinë, ka thënë Wilhelm.
Së pari, ne do të presim raportin e Komisionit Evropian dhe të Catherine Ashton mbi prpgresin në dialog. Palët do të shqyrtojnë më pas raportin dhe do të marrin vendimin përfundimtar, ka vijuar ai.
Diplomati gjerman ka rikujtuar se vendi i tij e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, arsye për të cilën Berlini do të donte të shihte ngritjen e raporteve mes Beogradit e Prishtinës në nivel ambasadorësh.
Por Serbia nuk e njeh Kosovën. Megjithatë, ne jemi të kënaqur edhe me marrëveshjen për shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës për të punuar me misionin e BE-së në Beograd dhe në Prishtinë, ka thënë Wilhelm.
Ai ka shtuar më tej se, kjo është një gjë pozitive, por ka nënvizuar se ka ende shumë gjëra të tjera të rëndësishme që duhet të adresohen.