11 Janar 2025

Anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare shtyn marrëveshjen

Bruksel, 18 prill - Gjatë të enjtes edhe raundi i nëntë i bisedimeve midis Kosovës e Serbisë ka përfunduar pa marrëveshje.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, fajin për dështim ia hedh palës serbe, kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic akuzon Thaçin për përpjekje që të imponojë temën e anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Dacic tha se anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare nuk ka qenë temë e dialogut, por kryeministri i Kosovës, Thaçi, këtë e shtroi kusht për të negociuar sistemin policor e gjyqësor.

Ndërsa dy kryeministrat në negociata u thanë gazetarëve se zgjidhja mund të gjendet, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, që ndërmjetëson dialogun, tha se ka mbetur vetëm edhe pak kohë.

Mediet e Beogradit raportojnë se kryeministri i Serbisë ishte i gatshëm të pranonte Marrëveshjen e Brukselit mbi kompetencat e Bashkësisë së komunave serbe, por Hashim Thaçi e minoi duke e lidhur këtë çështje me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.

Mediet e Beogradit po ashtu citojnë kryeministrin serb të jetë i gatshëm për të vazhduar dialogun deri sa të gjendet zgjidhje për të gjitha çështjet. “Ishin 15 pika dhe ato ishin të pranueshme për ne, pos asaj që çështjen e policisë në veri ndërlidhë me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare” , citohet Dacic.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka sqaruar se pala kosovare ka parashtruar një temë të re, duke e lidhur çështjen e policisë në veri, me të cilën të dy palët do të merrnin obligime që të mos e pengojnë njëra tjetrën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Catherine Ashton, përmes zëdhënëses së saj, Maja Kocijancic, i ka bërë thirrje Beogradit e Prishtinës të rishqyrtojnë propozimet e ofruara dhe të shohin nëse mund të arrihet marrëveshja.

Ashton ka deklaruar se deri të hënën, kur duhet të raportojë për dialogun në Luksemburg para Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, ka mbetur pak kohë.

Ky raund ka zgjatur rreth 14 orë. Të dy palët kanë deklaruar se vazhdimi i dialogut është i mundur, por nuk është caktuar ndonjë datë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)