Amerikanët po përjetojnë temperaturat më të ulta ndonjëherë
Washington, 31 janar - Miliona amerikanë po përjetojnë ato që mund të jenë temperaturat më të ulta ndonjëherë, pasojë e një masë ajrore të ftohtë që vjen nga Arktiku që është përhapur në të gjithë vendin.
Sipas parashikuesve të motit e mërkura mund të shënojë nivele historike.
Shtetet e Ilinoit, Miçiganit dhe Uiskonsit kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Dimrat me temperatura tejet të ulta janë diçka normale për Çikagon, por parashikuesit e motit thonë se banorët mund të përballen të mërkurën me temperaturat më të ulëta të regjistruara ndonjëherë në qytet.
Në Mineapolis temeraturat pritet të arrijnë në minus 40 gradë Celsius, në Çikago në minus 30 gradë, por duke llogartitur erën në Çikago, temperaturat ndjehen sikur të jenë minus 46 gradë Celsius.
Deri tani raportohen të paktën katër të vdekur si pasojë e motit të acartë.
Ajri i ftohtë është përhapur prej Amerikës veri-qendrore, drejt bregun lindor dhe në disa pjesë të Floridës që ndodhet në jug të vendit.