Amerikanët, ekspeditë në Kosovë
Prishtinë, 31 maj - Profesorë dhe studentë nga Universiteti i Gjeorgjisë Jugore të SHBA-ve për disa ditë kanë qëndruar në Kosovë. Ata nga afër janë njohur me të kaluarën e Kosovës dhe luftën që ka ndodhur në vitet 1998-1999.
Gjatë ekspeditës hulumtuese në Kosovë ata kanë udhëtuar në disa qytete të Kosovës, për ta pasur një pasqyrë më të mirë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur këtu.
Studentët amerikanë, që më shumë ishin të interesuar të dinin për luftën në Kosovë, i kanë vizituar edhe vendet që janë me rëndësi për Kosovën dhe të kaluarën e saj. Ata kanë qëndruar në Prekaz, në kompletin memorial Adem Jashari. Po ashtu, studentët amerikanë kanë vizituar edhe Mitrovicën, ku kanë parë edhe barrikadat e vendosura.
Profesoresha Lori Amy ka deklaruar se kjo vizitë studimore është shumë me rëndësi për studentët amerikanë, pasi ata tani nga afër po njohin Kosovën dhe njihen me ndodhitë që kanë ngjarë këtu. Unë jam shumë e lumtur që studentë nga Amerika kanë ardhur këtu në Kosovë. Para se të vinin këtu ata kishin vetëm një pamje gjenerale për Kosovën. Tani ata kanë parë dhe dëgjuar se çfarë në të vërtetë ndodhi këtu, është shprehur ajo.
Sipas saj, ky program studimor do ti pajisë studentët me njohuri për tema të ndryshme kyçe që shërbejnë për studime në shkencat politike. Kjo vizitë është shumë me rëndësi pasi ata kanë mësuar edhe për luftën në Kosovë dhe identitetin e tyre shqiptar gjuhësor dhe kombëtar, identitetin etnik, kontestet territoriale, proceset e demokratizimit etj., ka theksuar ajo.
Gjatë udhëtimit studentët kanë mësuar për çështje të rëndësishme në rajonet kufitare, ku e kaluara komuniste dhe represioni i fundit - luftërat etnike dhe konfliktet - ende ndikojnë në shoqëritë në Shqipëri dhe në vendet fqinje.
Studentët, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, kanë udhëtuar edhe në Mal të Zi, ishullin e Korfuzit, Greqi, duke u kushtuar vëmendje të veçantë çështjeve kufitare, mosmarrëveshjeve dhe konflikti etnik.
Ekspeditën e studentëve janë duke e udhëhequr profesorët Lori Amy dhe Krista Uiegand-Jordan, kurse grupi i studentëve përbëhet nga Chelsea Medeiros, Molly Laughlin, Feagin Oliver, Ashley Boyer, Elijah Anderson, Kelsey Keane dhe Cady Ennis.
(Gazeta Epoka e RE)