Ambasadori Kallaba i dorëzoi letrat kredenciale presidentit Plevneliev
Prishtinë, 29 qershor -Ambasadori i ri i Republikës së Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba, u prit sot me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti i Republikës se Bullgarisë, Rosen Plevneliev, me çrast i dorëzoi letrat kredenciale.
Në një bisedë shumë miqësore, presidenti bullgar Plevneliev i uroi ambasadorit Kallaba mirëseardhje dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet e mira ekzistuese ndërmjet dy vendeve do të thellohen edhe me tej.
Presidenti Plevneliev ndër të tjera ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Republikës se Bullgarisë dhe Republikës se Kosovës janë miqësore dhe afatgjate.
Ai ka përgëzuar popullin dhe Qeverinë kosovare për të arriturat e mëdha në përpjekjet për krijimin e një shteti sovran, të pavarur dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe multi-etnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Ambasadori Kallaba dhe presidenti bullgar Plevneliev, biseduan rreth zhvillimeve të fundit në Republikën e Kosovës me ç´rast presidenti bullgar theksoi se shteti i tij vazhdon të mbetet i përkushtuar në përkrahjen e shtetit të Kosovës për ndërtimin e institucioneve demokratike.
Plevneliev shtoi se Bullgaria do të ofrojë mbështetjen e saj te plotë për rrugën euroatlantike të Republikës se Kosovës.
Në fjalën e tij, ambasadori Shpend Kallaba përcolli përshëndetjet e presidentes, Atifete Jahjaga, dhe urimet më të sinqerta të popullit, Qeverisë dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Ambasadori Kallaba theksoi qëllimin e institucioneve të Republikës se Kosovës që si shtet demokratik të vazhdojë të kontribuojë në thellimin e marrëdhënieve me shtetin bullgar, mbështetur në miqësinë dhe respektin ndërmjet dy popujve si dhe në avancimin e mëtutjeshëm të paqes në rajon.
Kallaba po ashtu ka veçuar angazhimin e shtetit të Kosovës për avancimin e marrëdhënieve diplomatike, rritjen e shkëmbimeve tregtare si dhe rritjen e bashkëpunimit në arsim me Bullgarinë.
Ambasadori Kallaba tha se Ambasada e Kosovës në Sofje do të rrisë angazhimin edhe në drejtim të lobimit për njohje, konform Strategjisë për rritjen e numrit të njohjeve për Republikën e Kosovës.