Ambasadori i Kosovës në Kroaci shkakton skandal të paparë
Zagreb, 2 gusht - I ngarkuari me punë në ambasadën e Kosovës në Zagreb ka shkaktuar skandal të paparë në Kroaci, kur i pirë drrasë ka vozitur makinën me targa diplomatike dhe ka goditur disa vetura të parkuara.
Fjala është për Urtak Hamitin, djalin e madh të një prej nënkryetarëve të parlamentit të Kosovës, Sabri Hamiti, nga radhët e LDK-së.
Televizioni kroat, Nova TV, i cili ka pasur edhe pamje filmike nga vendi i ngjarjes ka raportuar se \"një diplomat i akredituar në Kroaci ka qenë duke i japur makinës diplomatike nën ndikimin e alkoolit\".
\"Duke mos qenë në gjendje që të drejtojë si duhet veturen diplomatike, i ka goditur disa makina të parkuara\".
Sipas dëshmitarëve që i ka cituar televizioni kroat, Nova TV, diplomati ka qenë aq i pirë sa që kur ka tentuar të ik nga vendi i ngjarjes është rrëzuar pasi nuk ka qenë në gjendje që të rrij në këmbë.
Pronarët e makinave të dëmtuara e kanë mbajtur diplomatin në fjalë derisa ka ardhur policia kroate.
Televizioni kroat ka transmetuar pamje gjatë gjithë kohës me fytyrën e mbuluar të personit në fjalë, mirëpo indeksonline mëson se sot, një ditë pas këtij rasti, në orën 15 ,Ministria e Jashtme kroate e ka informuar MPJ e Kosovës për një siç e kanë quajtur ata, \"incident të rëndë\" të diplomatit kosovar.
Hamiti, prej kohës kur Valdet Sadiku është emëruar i dërguar i Kosovës në Beograd është udhëheqës i ambasadës së Kosovës në Kroaci.