Ambasadori Greiçevci dorëzoi kredencialet në Irlandë
Dublin, 23 maj - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci, ka dorëzuar të martën letrat kredenciale te presidenti i Irlandës, Michael D. Higgins, me çakt u zyrtarizua emërimi i tij si ambasador jorezident në këtë vend.
Ceremonia shtetërore në rezidencën presidenciale të Irlandës, Áras an Uachtaráin, përfshinte intonimin e himnit të Kosovës nga Orkestra Ushtarake, rivistën e Gardës Ushtarake dhe paraqitjen solemne para presidentit Higgins, gjatë së cilës ambasadori Greiçevci i përcolli mesazhet e përzemërta të presidentes Jahjaga, për presidentin dhe popullin e Irlandës.
Pas dorëzimit të kredencialeve, ambasadori Greiçevci pati edhe një takim të veçantë me presidentin Higgins.
Me këtë rast, ambasadori Greiçevci falënderoi Irlandën për mbështetjen që e ka dhënë dhe po vazhdon ta japë për Kosovën, veçanërisht në procesin e integrimeve evropiane.
Ai u zotua se si ambasador jorezident i Kosovës, do të punojë me përkushtim që ti kultivojë më tutje raportet e mira ndërmjet dy vendeve.
Presidenti Higgins, duke i përcjell urimet e tij për presidenten Jahjaga dhe popullin e Kosovës, tha se Irlanda do ta përkrahë Kosovën e pavarur në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ai po ashtu përshëndeti marrëveshjen e arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në kuadër të vizitës së tij në Irlandë, ambasadori Greiçevci pati takime edhe me zyrtarë të lartë në Ministrinë e Jashtme të Irlandës, duke përfshirë sekretarin gjeneral, David Cooney, dhe drejtoreshën e Departamentit për Evropë, Anne Barrington.