Ambasadori Gashi dorëzon letrat kredenciale tek Presidenti i Gambisë
Banjul, 15 mars - Ambasadori i Republikës së Kosovës,Ramadan Gashi, i ka dorëzuar Letrat Kredenciale tek Presidenti i Republikës së Gambisë, Adama Barrow.
Në një ceremoni të organizuar për dorëzimin e letrave kredenciale, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Senegal, i shoqëruar nga diplomati i Ministrisë së Punëve të Jashtme, z. Avni Hasani, dorëzoi letrat kredenciale, si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Republikën e Gambisë, me rezidencë në Dakar (Senegal).
Ambasadori Gashi u nderua, para takimit me presidentin Barrow, me një parakalim para Gardës së Nderit të shtetit të Gambisë.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit të letrave kredenciale, ambasadori Gashi, i përcolli presidentit Barrow, përshëndetjet e presidentit, qeverisë dhe popullit të Kosovës, drejtuar Shkëlqesisë së Tij, qeverisë dhe popullit të Gambisë, shprehjen e konsideratave më të larta për njohjen e shtetit të Kosovës, si dhe avancimin e marrëdhënieve diplomatike bilaterale, në nivel ambasadorësh.
Presidenti Barrow e falënderoi ambasadorin Gashi dhe autoritetet e shtetit të Kosovës, si dhe e uroi për zgjedhjen e dialogut dhe rrugës paqësore të marrëdhënieve të Kosovës me fqinjët e vet, gjithashtu theksoi qëndrimin e shtetit të Gambisë për thellim të marrëdhënieve të tyre me shtetet që pasqyrojnë demokracinë dhe paqen në raportet e tyre ndërkombëtare.
Ambasadori Gashi, në këtë prizëm, theksoi se shteti dhe populli i Kosovës, po ndërton ura miqësie me popujt tjerë dhe shtetet paqedashëse.
Presidenti Barrow dhe ambasadori Gashi u pajtuan në thellimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve dypalëshe, në fushat e interesit të përbashkët.
Ceremoninë e dorëzimit të kredencialeve të ambasadorit Gashi në Gambi e kanë pasqyruar edhe mediat e këtij shteti.