Ambasadori Fitou: KFOR-i duhet të qëndrojë në veri
Prishtinë, 11 gusht - Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin e radhës të forumit FOL Hapur, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, duke përfshirë vendimin për vendosjen e masave të reciprocitetit, si dhe intervenimin e Policisë së Kosovës në pikën 1 dhe 31 në veri të Kosovës.
"Gjendja në veri të Kosovës është shumë e ndjeshme, prandaj KFOR-i duhet të qëndrojë atje deri në zgjidhjen e situatës", tha ambasadori i Francës në Kosovë, Jean-Francois Fitou , në këtë debat.
Ambasadori, Fitou, thotë se bashkësia ndërkombëtare ka qenë e befasuar me këtë vendim, por tani sipas tij nuk duhet fokusuar në atë se çfarë, si dhe pse ndodhi, por për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
Gjëja më e mirë për të bërë sipas pikëpamjes sime është, së pari të ftojmë të gjithë që të mos bëjnë asgjë që do të mund të përkeqësonte situatën. Është ndërmarrë një hap, qeveria e Kosovës është qeveri e një vendi sovran dhe ka vendosur çfarë ka vendosur, tha Fitou.
Sipas ambasadorit francez ndarja e veriut të Kosovës as që diskutohet. Por ai theksoi se zgjidhja e problemit në veri mund të bëhet përmes zbatimit të Pakos së Ahtisarit, e cila sipas tij i jep mundësi të mëdha decentralizimit dhe përmes së cilës mund të gjendet një zgjidhje për veriun e Kosovës.
Kurse sa i përket pranisë dhe rolit të institucioneve ndërkombëtare në veri, Fitu theksoi që aktualisht është mirë që KFOR-i të krijojë një lloj sigurie për qytetarët që janë atje, kurse EULEX-i të përgatitet pak më shumë për përfshirje të sundimit të ligjit në veri.
Ende është koha për KFOR-in. Të gjitha vendet e Evropës dhe Amerika përkrahin faktin se KFOR-i kontrollon situatën në veri. Kjo është e domosdoshme. Komandanti i KFOR-it ka bërë një punë të mirë për të mbikëqyrur situatën, por mendoj se ende është koha për KFOR-in deri në zgjidhjen e situatës , tha Fitou.
Por zhvillimet në veri, sipas ambasadorit francez nuk pritet të ndikojnë në shtyrjen e fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Sipas ambasadorit Fitu e rëndësishme për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit është që të lëvizin nga mbikëqyrja drejt një vizioni të përbashkët.
Por analisti Agron Bajrami thotë se intervenimi në veri ka qenë befasues, për faktin se në të kaluarën ka pasur arsye shumë më të mëdha për të intervenuar në atë pjesë sesa çështja e reciprocitetit.
Sidoqoftë, ai thotë se ndërhyrja ka qenë e drejtë, por jo në funksion të luftimit të krimit të organizuar dhe shtrirjes së sovranitetit në atë pjesë.