07 Janar 2025

Ambasadat e shqetësuara me planet e Vetëvendosjes

Prishtinë, 13 janar - Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i shohin me shqetësim veprimtaritë e planifikuara të Vetëvendosjes për datën 14 janar për të mbyllur pikat kufitare të Kosovës në portat 3 dhe 5, si dhe për të kufizuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave brenda Kosovës.

"Ne nxisim Vetëvendosjen që të përmbahet nga çfarëdo dhune ose provokimi ndaj personelit të Policisë së Kosovës. Veprimet e tilla jo vetëm që do të jenë joligjore, por po ashtu do të rritnin tensionet politike në Kosovë dhe do të ndikonin negativisht në imazhin e Kosovës jashtë vendit. Çdo bllokim i njëanshëm i tregtisë po ashtu do të shkonte kundër përkushtimeve të Kosovës nën CEFTA-n", thuhet në një deklaratë nga ambasadat e Pesëshes.

"Ne jemi të bindur që Policia e Kosovës, e mbështetur nga EULEX-i dhe KFOR-i në rolet e tyre përkatëse, do të tregojnë përmbajtje dhe profesionalizëm në sjelljen e tyre ndaj çfarëdo provokimeve, por në fund Vetëvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të saja të planifikuara".

Asnjë parti politike sipas tye nuk gëzon pushtetin jashtëligjor për të marrë ligjin në duart e veta e as për të zbatuar njëanshëm interpretimin e vetë të akteve legjislative.

Këto siç kanë thënë ambasadat janë kompetenca legjitime të një qeverie të zgjedhur dhe asnjë parti politike nuk mund t’i përvetësojë ato.

"Kjo është veçanërisht keq kur veprimet e tilla kufizojnë të drejtat themelore të qytetarëve, përfshirë edhe të drejtën e tyre për lëvizje të lirë. Pasi që këto veprime shkojnë përtej të drejtës legjitime për të shprehur mendimet e kundërta, të cilat ne gjithmonë i mbështesim, ato  janë plotësisht në mospërputhje me parimet themelore të qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit", thuhet në deklaraten e Ambasades se Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Ambasadat theksojnë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për marrëveshjet e arritura deri tash. Qëllimi strategjik i këtij procesi është për të mundësuar normalizimin gradual të gjendjes së Kosovës në rajon.

"Ky normalizim, dhe vendosja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, janë në interes konkret dhe praktik të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Po ashtu, ky është shtegu i vetëm që çon në integrimet euroatlantike. Kosovarët nuk duhet ta lejojnë asnjë parti politike që ta sabotojë këtë proces.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)