Albin Kurti e Shpend Ahmeti: Rrugët e zhvillimit të Kosovës
Uashington, 1 maj - Të mërkurën në Institutin \"The Emerging Democracies\", Carnegie Endowment, në Washington, të ftuar ishin Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ata u ftuan për të mbajtur një prezantim në lidhje me të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe perspektivën e tij evropiane.
Në ligjëratën e tij Albin Kurti tha midis të tjerash se \"Kosova i ka dy problem kyçe. Problemi i parë kyç është qyteti i ndarë i Mitrovicës. Problemi i dytë kyç është papunësia shumë e lartë.
Problemet kyçe nuk janë patjetër probleme të mëdha. Mirëpo, problemet kyçe bëhen problem të mëdha kur të provosh zgjidhje të gabueshme për to.
Kjo është saktësisht çfarë ka ndodhur në Kosovë. Çështja e Mitrovicës është adresuar në dialog me Serbinë dhe gati gjithçka është bërë më keq.
Pas zgjedhjeve lokale, në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, dhjetë komuna në Kosovë udhëhiqen nga partia më e re e formuar nga e Beogradi, e cila quhet Serbe (duke aluduar qartë në Republikën Serbe në Bosnje).
Në shekullin 21 Serbia dëshiron ta krijojë Serbinë e madhe, duke i krijuar ca Serbi të vogla që ata i quajnë Serbe. Për dallim, prej në fillim dhe në fund të shekullit XX, kur posedimi legal dhe praktik i territorit ishte mënyra për ushtrimin e hegjemonisë, në ditët tona e njëjta më shumë tentohet duke e kontrolluar praktikisht territorin, i cili nuk është nën posedimin legal të tyre.\"
Po ashtu, Kurti u ndal gjatë ligjëratës dhe në shpjegimin e raportit Kosovë-BE duke theksuar se: \"Kosova nuk është vend në BE, por Kosova është vend i BE-së.
Emri i himnit tonë është Evropa dhe e tërë BE-ja është aty: kemi një zyrë të fuqishme të Komisionit Evropian, përfaqësuesin special të BE-së dhe EULEX-in, një mision në përbërje prej 1200 njerëzve, i cili harxhon 1 milion dollarë në ditë.
Duke udhëtuar nëpër Kosovë mund të shohësh flamuj të ndryshëm, të vënë në një vend të përbashkët: Flamurin e Kosovës, Flamurin Shqiptar, Flamurin e BE-së, Flamurin e ShBA-së, Flamurin Gjerman, Flamurin Britanik, etj. tipike kjo për llojin e qenies politike të Brukselit.
\"Deri sa neve - vijoi më tej Kurti - na thuhet se e ardhmja jonë është e sigurt në BE, e kaluara jonë është në rrezik më shumë se kurrë më parë. Përpjekjet për ta kriminalizuar luftën çlirimtare të shqiptarëve, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë rritur si kurrë më parë.
Pas tre vjetëve të dialogut me Serbinë, ne nuk morëm as liberalizim të vizave (unë kam pasaportë diplomatike, me të cilën mund të shkoj vetëm në 5 shtete pa vizë), por e morëm Gjykatën Speciale Ndërkombëtare për gjoja krimet e ushtarëve të UÇK-së\" - theksoi ai.
Duke përfunduar, Albin Kurti konstatoi se \"drejtësia, demokracia dhe zhvillimi duhet të jenë çështje të brendshme dhe vendore të Kosovës, derisa Serbia duhet të jetë çështje e jashtme dhe e huaj.
Qeveria jonë e bëri pikërisht të kundërtën e kësaj: Serbia është thellësisht çështje e brendshme, ndërkaq drejtësia, demokracia dhe zhvillimi çështje të jashtme, çështje të shpresës dhe të ndihmës nga jashtë.
Kthimi mbarë i këtij rregullimi të mbrapshtë është esencial për një zbatueshmëri të sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës.\"
Më pas ligjëratën e vijoi Shpend Ahmeti, kryetari i komunës së Prishtinës i cili u fokusua në nevojën e normalizimit të shtetit të Kosovës para se të prioritizohet normalizimi i marrëdhënieve me shtetet e tjera e posaçërisht, me Serbinë.
Bashkësia ndërkombëtare, - vazhdoi më tej Ahmeti, - po mendon për Kosovën vetëm në relacion me Serbinë e asnjëherë nuk po e konsideron vetëm si shtet i cili duhet të normalizohet, duhet të zhvillohet dhe duhet të jetë një shtet i cili ofron shërbimet dhe sigurinë e nevojshme për qytetarët e vetë.
Si pasojë e këtij qëndrimi, bashkësia ndërkombëtare duke pasur prioritet marrëdhëniet me Serbinë i pranon si të pandryshueshme gjërat e këqija brenda shteteve e shumë shpesh edhe mbyll sytë ndaj padrejtësive, keq-qeverisjes duke i rritur kështu dhe konfirmuar padrejtësitë në shoqërinë tonë.
Ajo çfarë po prezantohet dhe publikisht dhe ndërkombëtarisht si \"normalizimi me Serbinë\" është në fakt një lloj destabilizimi i brendshëm institucional e shoqëror.
Prishtina, - tha Ahmeti - është një shembull shumë i mirë se një qytet mund të fillojë të normalizohet e kjo mund të jetë edhe shembull edhe për qytetet e tjera e edhe për shtetet e Ballkanit. Përkundër pritjeve qytetarët u organizuan, u bënë bashkë dhe e bënë ndryshimin.
Të njëjtit qytetarë, shtoi më tej Ahmeti, sot janë gardianë të ndryshimeve sepse e dinë se janë ata të cilët e mundësuan atë.
Një qeverisje e pastër dhe e drejtë është e mundshme. Institucionet mund të forcohen duke u kujdesur që me të vërtetë mund të funksionohet si Republikë.
Tani pas një kohe të shkurtër të qeverisjes kemi dhjetëra shembuj se si mund të ndryshohet qeverisja që nga largimi i luksit nga qeverisja, transparenca në vendimmarrje e deri te kërkimi i përgjegjësisë për çdo vendim që nuk ka qenë në interes të qytetarëve. Natyrisht, ka shumë sfida, por kjo është rruga e vetme drejt normalizimit të shtetit të Kosovës dhe drejt zhvillimit.
\"Në qoftë se arrihet normalizimi i shtetit të Kosovës, - vijoi ai - atëherë normalizimi i marrëdhënieve me shtetet e tjera është veçse pasojë e funksionimit të shteteve normale. Kjo është e mundshme por jo edhe e shpejtë\".
Në përfundim, Shpend Ahmeti tha se me funksionimin e shtetit bëhet edhe integrimi i të gjithë anëtarëve në shoqëri. Kur përmirësohen shërbimet, kur funksionon drejtësia, kur krijohen vende të punës, shumë pak njerëz do të fokusohen në ndasitë në shoqëri.
Në fakt, atëherë problemet e përbashkëta dhe lufta për të drejtat universale do të jenë bazë e bashkimit të njerëzve për përmirësimin e jetës të secilit prej qytetarëve të Republikës së Kosovës.