Al Kaida mbetet kërcënim më i madh se grupi ekstremist Shteti Islamik
Paris, 8 shkurt - Al Kaida mbetet kërcënim më i madh se grupi ekstremist Shteti Islamik në shumë rajone, thanë në një raport ekspertë të Kombeve të Bashkuara.
Raporti, i cili është parë nga agjencia Associated Press, thotë se rrjeti terrorist i Al Kaidës "është shumë rezistent" dhe mbetet kërcënim në vendet si Jemeni dhe Somalia.
Paneli i ekspertëve është duke monitoruar sanksionet kundër të dyja grupeve dhe i ka bërë vërejtjet në një raport për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ekspertët thanë se Al Kaida "mbetet kërcënim serioz brenda Gadishullit Arab, duke planifikuar sulme në Lindjen e Mesme".
"Përveç kësaj, propaganda e Al Kaidës vazhdon të nxjerrë në pah një brez të ri të udhëheqësve të mundshëm, si Hamza Bin Laden, në përpjekje për të krijuar një imazh të ri për simpatizuesit e saj", thanë ekspertët.
Hamza Bin Laden është djali i Osama Bin Ladenit, i cili ka urdhëruar sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara, më 11 shtator, 2001.
Ekspertët, megjithatë, nuk e minimizuan rrezikun nga Shteti Islamik, duke thënë se ai paraqet "kërcënim të madh dhe në zhvillim rreth botës".