Akuzat ndaj ish-presidentit Trump dorëzohen sot në Senat
Washington, 25 janar - Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara do të dorëzojë sot në senat akuzat për nxitje rebelimi ndaj ish-Presidentit Donald Trump, duke hedhur poshtë një kërkesë nga kreu i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell për një shtyrje.
Kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer që zëvendësoi zotin McConnell si kreu i shumicës në Senat, e bëri njoftimin të premten por nuk tha se kur do të fillonte gjyqi i ish-presidentit Trump.
Paraqitja e akuzave vë në lëvizje një proces gjyqësor në Senat, vendimi i të cilit mund ta ndalojë ish-presidentin të mbajë një post federal në të ardhmen.
"Dhoma e Përfaqësuesve do të dorëzojë akuzat në Senat. Senati do të zhvillojë gjykimin e Donald Trumpit Do të jetë një gjyq i plotë. Do të jetë një gjykim i drejtë," tha senatori Schumer në sallën e Senatit.
Gjyqi i dytë në Senat kundër ish-Presidentit amerikan Donald Trump me akuzën për nxitje rebelimi, pas sulmeve vdekjeprurëse në Kapitol, ka thelluar ndarjet mes republikanëve.
Të paktën një republikan, senatori Mitt Romney, tha se beson se gjyqi, i cili mund të çojë në një votim që ndalon zotin Trump të kërkojë post federal në të ardhmen, është një reagim i nevojshme ndaj thirrjeve ndezëse të ish-presidentit drejtuar mbështetësve më 6 janar për të "luftuar" kundër humbjes së tij në zgjedhje.
Dhjetë republikanë iu bashkuan Dhomës së Përfaqësuesve në votimin për të akuzuar zotin Trump për nxitje rebelimi.
Dhoma e Përfaqësuesve i miratoi akuzat javën e kaluar në përgjigje të sulmit vdekjeprurës në Kapitol nga mbështetësit e ish-presidentit Trump.
Ish-presidenti republikan u largua nga zyra të mërkurën dhe udhëtoi për në vendpushimin e tij në Florida, disa orë para se të betohej demokrati Joe Biden.
Demokratët kontrollojnë Senatin me epërsinë më të ngushtë të mundshme, duke u mbështetur në votën e Nënpresidentes Kamala Harris për të thyer ndarjen në mënyrë të barabartë të votave 50-50, dhe gjithashtu kanë nevojë për bashkëpunimin e republikanëve për të çuar përpara shumë elemente të axhendës së Presidentit Biden, si dhe për të konfirmuar emërimet për Kabinetin e tij.
Trump është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë, dhe gjyqi i tij në Senat do të jetë i vetmi që ka ndodhur ndonjëherë pasi një president është larguar nga detyra.