AI paralajmëroi mbi rënien e standardit të jetesës në Europë
Gjenevë, 24 maj - Organizata Amnesty International paralajmëroi mbi rënien e standardit të jetesës në vendet e Bashkimit Europian (BE).
Kriza ekonomike në BE dhe kriza e borxheve të anëtarëve të këtij Unioni, është bërë shkak për uljen e standardeve të jetesës në BE.
Raporti vjetor i AI që u publikua sot në Vjenë, tregon se zbatimi i politikave të kursimit në Evropë, janë bërë shkak për uljen e standardit të jetesës të popujve.
Hajns Patslet, sekretar i përgjithshëm i kësaj organizate në Austri pas publikimit të raportit për vitin 2013, deklaroi se në një kohë kur qeveritë janë të detyruara të luftojnë ndaj falimentimit ekonomik dhe të zbatojnë politikat e kursimit ekonomik, duhet të respektojnë edhe të drejtat sociale dhe ekonomike të njerëzve.
Mbi këtë bazë garantimi i strehimit, ushqimi i mjaftueshëm, arsimi i fëmijëve deri në moshën 15 vjeçare, garantimi i nevojave shëndetësore të njerëzve, janë disa nga standardet minimale të jetesës.
Por vazhdimi i krizës në vendet e tilla si Greqia dhe Spanja, është bërë shkak i papunësisë dhe i përkeqësimit të gjendjes ekonomike të shumicës së njerëzve në këto vende.
AI kritikoi mungesën apo respektimin e cekët të demokracisë në disa vende evropiane. Ulja e standardeve të jetesës, është konfirmuar edhe nga institucione të tjera evropiane.
Zyra e statistikave të BE disa muaj më parë njoftoi se niveli i papunësisë në eurozonë ka arritur në një rekord të ri në shifrën 11.9%.
Kjo shifër në muajin janar ishte 10.8 %. Aktualisht 19 milionë persona në zonën euro janë të papunë, ndërsa në të gjithë BE numërohen mbi 26.2 milionë të papunë. Kushtet reale në eurozonë janë më të rënda se shifrat e publikuara, sepse në këto shifra nuk përfshihen miliona që eliminohen nga tregu.
Niveli më i lartë i papunësisë është në Greqi, ku papunësia kap shifrën 27 %. Të tjera statistika tregojnë se në shumicën e vendeve të BE në muajin shkurt 2013, janë reduktuar aktivitetet ekonomike, ndërsa në eurozonë aktiviteti ekonomik ishte 47.9%, çka dëshmon qartë për krizën e thellë ekonomike.
Ky është muaji i 22 radhazi i rënies së aktivitetit ekonomik në Evropë. Statistikat tregojnë se për shkak të krizës ekonomike dhe krizës së strehimit, standardet e jetesës janë ulur në shumë vende evropiane si në Angli.
Zyra evropiane e statistikave EUROSTAT, deklaroi se nga aspekti i standardeve të jetesës, Anglia ka rënë dy shkallë në mesin e vendeve të BE, duke u radhitur në vendin e gjashtë, ndërsa Austria dhe Gjermania ndodhen më lartë Anglisë.
Që nga fillimi i rënies ekonomike në vitin 2008, standardet e jetesës në Angli janë ulur shumë. Shtimi i papunësisë, rritja e taksave, ulja e pagave, janë shkaqet kryesore të rënies së standardit të jetesës në Angli.
Një gjendje e tillë vërehet edhe në vendet e tjera evropiane të përfshira nga kriza ekonomike dhe financiare dhe në këtë mes gjendja konsiderohet kritike për Spanjën, Portugalinë, Greqinë dhe Italinë.