Ahtisaari, Wisner e Ischinger konfirmojnë vizitën në Kosovë
Prishtinë, 11 gusht - Me rastin e heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues, më 10 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka paraparë organizimin e një varg aktivitetesh të nivelit të lartë.
Përveç përfaqësuesve të shteteve anëtare të GND-së, pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet që do të shënojnë këtë ditë, Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ia kanë konfirmuar edhe shumë personalitete të shquara ndërkombëtare, burrështetas nga rajoni, Evropa dhe bota.
Pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet e zhvilluara më këtë rast, ministrit Hoxhaj, ia kanë konfirmuar edhe nobelisti Martti Ahtisaari, ish-ndërmjetës në bisedimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës, përfaqësuesi amerikan në këtë proces, Frank Wisner dhe ai i Bashkimit Evropian, Wolfgang Ischinger, ka thënë zyrtarë të kësaj ministrie.
Në këto aktivitete, do të marrin pjesë edhe shumë përfaqësues të lartë të qeverive të vendeve mike të Kosovës, zëvendëskryeministra, ministra dhe personalitete të shquara nga vendi, rajoni dhe bota.