AFP: Gjermania e vetme stopon datën për Serbinë
Berlin, 26 qershor - Gjermania ka qenë ndër vendet që fuqishëm ka kërkuar miratimin e fillimit të negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA).
Ministri i Jashtëm gjerman Gido Westerwelle u ka thënë ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në Luksemburg se Kosova ka merituar fillimin e negociatave për MSA-në, ndërsa ka folur edhe për çështjen e fillimit të negociatave për anëtarësim me Serbinë.
Siç njoftojnë sot agjencitë botërore të lajmeve, kjo çështje me insistimin e ministrit të Jashtëm gjerman, Westerwelle është shtyrë për muajin janar të vitit të ardhshëm, me qëllim që të vëzhgohet zbatimi në praktikë i marrëveshjes së arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Siç njofton agjencia e lajmeve AFP të gjitha vendet tjera anëtare të BE-së janë angazhuar që Serbisë data e fillimit të negociatave ti jepet më herët, respektivisht në muajin tetor.
Sidoqoftë, vendimi përfundimtar për këtë do të merret në fund javës në samtin e shefave të shteteve anëtarë të BE-së.
Në anën tjetër politikani i CDU-së, Andreas Schockenhoff i ka deklaruar gazetës berlineze Tagesspiegel se koalicioni qeveritar do të japë dritën e gjelbër për Serbinë, por jo dhe datën e saktë. Data konkrete, sipas tij, do të jepet vetëm pas zbatimit të suksesshëm në praktikë, të gjithë marrëveshjes së arritur me Kosovën.
Aktualisht Bundestagu gjerman tha ai, po përgatitet për një vendim të tillë dhe sipas politikanit të CDU-së, Andreas Schockenhoff, kancelaria gjermane do të prezantojë këtë qëndrim të Bundestagut edhe në samitin e BE-së në fundjavë.