08 Maj 2024

Accoyer konfirmoi përkrahjen e Parisit zyrtar për Kosovën

Prishtinë, 3 nëntor - Delegacioni parlamentar i Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Paris, u prit sot nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Francës, Bernard Accoyer, nga  senatori Didier Boulaud, kryetar i Grupit miqësor ndër-parlamentar për Ballkanin Perëndimor, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në këto takime, Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron, i njoftuan mikpritësit me zhvillimet e fundit në Kosovë, me përparimet që ka bërë Kosova dhe me sfidat me të cilat ajo po përballet.

Ata iu kërkuan përfaqësuesve francezë, ndikim më të fuqishëm të Francës mike për kapërcimin e vështirësive të Kosovës në proceset zhvillimore, për vendosjen e rendit e të ligjit në veri dhe për liberalizmin e vizave e për integrimin e gjithmbarshëm evropian. 

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Francës, shprehu kënaqësinë për atë që ka arritur Kosova dhe veçanërisht shprehu nevojën për rolin e fuqishëm të Kuvendit për përmbushjen e kornizës ligjore dhe për forcimin e shtetit ligjor.

Ne, tha ai, e mbështesim Kosovën, duke e dëshmuar këtë edhe me prezencën franceze atje.

Kryetari Krasniqi e njoftoi homologun e tij francez për shtetndërtimin në Kosovë, kornizën ligjore të hartuar në përputhje me legjislacionin e BE-së, mbështetjen që Kuvendi ynë ka pasur gjatë këtyre viteve, sidomos nga Asambleja Kombëtare e Francës, si dhe për nevojën e thellimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve.

Në këtë rast, kreu i Kuvendit të Kosovës e ftoi Accoyer për vizitë zyrtare në Kosovë. 

Një temë e pashmangshme e këtyre takimeve ishte gjendja në veriun e Kosovës dhe dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Delegacioni paraqiti pikëpamjen institucionale për domosdoshmërinë e shtrirjes së kushtetutshmërisë në veri, për nevojën e shpërbërjes së strukturave ilegale kriminale atje dhe për sigurimin e qarkullimit të lirë e të mirëqenies qytetare.

Anëtarët e delegacionit të Kosovës kërkuan nga Franca dhe Bashkimi Evropian që të bëjnë presion te Beogradi që të heqë dorë nga ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës dhe nga mbështetja që iu bën strukturave kriminale në veri.

“Ne jemi për dialog teknik e simetrik me Serbinë, por jo të kushtëzuar prej saj”, u tha në takim.

Të gjitha këto takime u zhvilluan në mënyrë shumë të hapur, në frymë sinqeriteti dhe miqësie.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)