14 viktima nga zjarri në qendrën për COVID-19 në Tetovë
Tetovë, 9 shtator - Numri i të vdekurve nga zjarri i mbrëmshëm që përfshiu qendrën për COVID-19 në Tetovë është rritur në 14.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut, për të inspektuar vendin e ngjarjes tragjike në spitalin modular në Tetovë, përveç tre prokurorëve nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë, të pranishëm ishin dhe dy prokurorë nga Prokuroria Publike Themelore e Shkupit.
Theksohet se në vendin e ngjarjes ishte edhe Prokurori Publik i Maqedonisë së Veriut, i cili ishte i pranishëm në takimin e Shtabit të Krizës.
“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme, inspektimi filloi menjëherë. Prokurorët kanë lëshuar urdhra për autopsi dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave që humbën jetën nga zjarri si dhe vazhdojnë hetimet nëse ka persona të tjerë të vdekur", thuhet në deklaratë.
Deklarata shton se për disa prej të vdekurve do të duhet analiza e ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre.
Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve ndërsa theksohet se deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët kanë marrë në pyetje punonjësit e spitalit modular në mënyrë që të përcaktojnë shkaqet e zjarrit.
"Në të njëjtën kohë u dha urdhër për të siguruar video-pamje nga kamerat brenda dhe përreth objektit. Inspektimi do të vazhdojë edhe sot ndërsa prokurorët publik së bashku me ekspertët e Ministrisë së Brendshme do të sigurojnë provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike”, thuhet në deklaratë.​​​​​​​