13 mijë gra janë vrarë brutalisht në Siri
Damask, 9 mars - Të paktën 12,813 gra u vranë në sulmet e kryera nga regjimi sirian gjatë luftës civile në Siri, në tre vitet e fundit, bënë të ditur Rrjeti sirian për të Drejtat e Njeriut.
Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, organizata publikoi një raport të titulluar Gratë siriane, e vërteta dhe dhimbja.
Në raport thuhet se shumica e grave kanë humbur jetën në sulmet e kryera nga regjimi sirian. 483 gra u qëlluan nga snajperët, ndërsa 31 prej tyre vdiqën nga torturat në qendrat e paraburgimit të qeverisë.
Raporti gjithashtu tregon se rreth 87 përqind e të vrarëve nga regjimi sirian ishin civilë, dhe 11 përqind e tyre janë gra.
Më shumë se 7,500 gra janë përdhunuar që prej fillimit të luftës dhe 850 nga këto raste kanë ndodhur në burgjet e kontrolluara nga regjimi sirian, ka deklaruar Rrjeti sirian.
Rrjeti sirian për të Drejtat e Njeriut theksoi se më shumë se 4,000 gra janë duke u mbajtur në burgjet siriane.
Raporti deklaron se aktet e dhunës ndaj grave të kryera nga regjimi sirian janë krime kundër njerëzimit dhe i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të filluar një hetim..