22 Nëntor 2024

Kosova po bën përpjekje që të ruajë tokën bujqësore

Berlin, 16 janar - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka mbajtur sot një fjalë rasti para ministrave dhe pjesëmarrësve të tjerë në Samitin e Ministrave të Bujqësisë, që po mbahet në kuadër të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi, në Berlin të Gjermanisë.

Në fjalën e tij në forum, që kishte për temë ‘Si të ushqejmë qytetet?’, ministri Krasniqi tha se Kosova po bën përpjekje që të ruajë tokën bujqësore dhe të ndalë urbanizimin e egër edhe në zona të mira për kultivimin e prodhimeve të ndryshme bujqësore.

Ai shtoi se ka një trend të rritjes së interesimit për t’u marrë me bujqësi dhe bashkë me këtë ai tha se po rriten edhe investimet nga qeveria, partnerët tjerë dhe vet sektori privat. 

Por, duke parë limitin e tokës bujqësore dhe depërtimin e zonave urbane në zonat rurale, ministri Krasniqi tha se duhet përkushtim më i madh që toka bujqësore të ruhet.

Në këtë drejtim, duke mbështetur deklaratën e Samitit, ministri kërkoi nga shtetet pjesëmarrëse që të angazhohen për të adresuar efektet evidente të urbanizimit rapid në bujqësi.

“Edhe pse sfidat që urbanizimi paraqet për bujqësinë janë të shumta dhe të ndryshme, unë mendoj se ato mund të përmblidhen në tri çështje prioritare: Migrimi nga zonat rurale në ato urbane; Tranzicioni nga punësimi bujqësor në atë jobujqësor; Transformimi i tokës bujqësore për shfrytëzim jobujqësor.\"

\"Të gjitha këto çështje kërkojnë vëmendjen tonë dhe zbatimin e politikave konkrete kombëtare dhe ndërkombëtare për të lehtësuar efektet negative të urbanizimit rapid ndaj bujqësisë”, tha ministri Krasniqi.

Ndërkohë, në margjina të forumit, ministri Krasniqi takoi homologun e tij gjerman, Christian Schmidt. Të dy ministrat biseduan për zhvillimin e sektorit në të dy vendet dhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm.

Ministri Krasniqi dhe ministri Schmidt janë takuar edhe me parë dhe kanë komunikim të vazhdueshëm, me qëllim të gjetjes së nismave konkrete të bashkëpunimit.

Ministri Krasniqi e falënderoi homolgun gjerman për gatishmërinë e treguar në vazhdimësi që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e mëtutjeshëm në sektorin e bujqësisë.

Në këtë drejtim ministri Krasniqi tha se Kosova mund të jetë një vend i mirë për investitorët nga Gjermania, pasi ka potenciale të mira në bujqësi, në veçanti tek sektori i pemëve dhe perimeve, si dhe tek blegtoria.

Ministri gjerman nga ana e tij vlerësoi të arriturat e Kosovës në bujqësi duke theksuar se kjo dëshmon se vendi ka mundësi të mëdha që ta shfrytëzoj këtë sektor si një faktor të rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe punësim.

Schmidt shprehi gatishmërinë që të ofrojnë mbështetje për Kosovën, duke përmendur edhe interesimin e vet Kancelares Merkel për këtë sektor, në mënyrë që agrobizneset kosovare të zhvillohen dhe që të krijohen bashkëpunime mes agrobizneseve nga të dyja vendet.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)