16 Nëntor 2024

MBPZHR me program për bimët mjekësore dhe aromatike

Prishtinë, 3 korrik - Kultivuesit dhe përpunuesit e bimëve mjekësore i kanë shtuar kapacitetet teknike për prodhimin dhe përpunimin e këtyre bimëve dhe kjo ka mundësuar që bimët mjekësore të jenë edhe më të kërkuara në tregun e jashtëm.

Kultivimi i këtyre bimëve po rezulton të jetë mjaft fitimprurës për fermerët kosovarë dhe për këtë qëllim, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin e ardhshëm, planifikon ta mbështes edhe këtë prodhimtari, përmes hartimit të një programi specifik për to.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, gjatë vizitës që i bëri kompanisë “Agroprodukt Syne” në Istog, e cila merret me grumbullimin, përpunimin dhe prodhimin e bimëve mjekësore, vlerësoi se prodhimtaria e bimëve aromatike dhe mjekuese është mjaft e rëndësishme edhe në vendin tonë.

Ai tha se shumë regjione të vendit tonë, përmes kësaj prodhimtarie, e cila është kultivuar edhe në të kaluarën, mund të kenë një të ardhme shumë premtuese.

“Ne në planet tona të ardhshme, do të kemi edhe një program specifik për bimët mjekuese dhe aromatike, pasi që kjo prodhimtari është shumë profitabile dhe përmes saj mund të sigurohen të ardhura shumë të mira nga fermerët tanë. Si nga fermerët që bëjnë kultivimin, ashtu edhe nga ata që bëjnë grumbullimin e këtyre bimëve”, tha ministri Stavileci.

Kushtet klimatike dhe tokësore që e karakterizojnë vendin tonë, sipas ministrit mundësojnë rritjen e shumë llojeve të bimëve mjekësore.

Ministri Stavileci theksoi se në të ardhmen, tregu i jashtëm mund të jetë edhe më i leverdishëm për fermerët kosovarë që merren me këtë veprimtari.

Ndërsa, drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, tha se përmes asistencës teknike, USAID-i ka arritur t’i mbështes edhe kultivuesit e këtyre bimëve dhe një prej përfituesve të tyre ka qenë edhe kompania “Agroprodukt Syne”.
“Krejt përkrahja që kemi ofruar është bërë për të ngritur kualitetin e bimëve mjekësore që kultivohen në Kosovë”, thotë Shauket.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Agroprodukt Syne”, Halit Avdijaj, tregoi se me bimë mjekuese dhe aromatike ka të mbjellë rreth 80 hektarë dhe në të ardhmen, për shkak të kërkesës më të madhe, mendon t’i shtoj ende sipërfaqet e mbjella.

Në tërë territorin e Kosovës, ai tha se i kanë gjithsej 32 pika grumbulluese, të cilat janë të pajisura me makineri përkatëse, ndërsa 90 për qind e produkteve që kultivohen dhe përpunohen në këto pika, sipas tij, eksportohen jashtë vendit, sepse kanë arritur të nënshkruajnë kontrata afatgjate me kompani ndërkombëtare.

Ministri Stavileci së bashku me drejtoreshën e USAID-it, Maureen Shauket dhe kryetarin e komunës së Istogut, Haki Rugovën, sot kanë vizituar edhe fabrikën e re të qumështores “Vita” në Radushë të Istogut dhe janë njoftuar për së afërmi edhe me mbarëvajtjen e punës që është duke u bërë në këtë ndërmarrje prodhuese.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)