Kosovës për furnizim me ujë të pijshëm i duhen 1.250 milion euro
Prishtinë, 19 mars - Lidhur me gjendjen në sektorin e ujit të pijshëm në Republikën e Kosovës, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor në mbledhjen e sotme u njoftua nga Baton Begolli, këshilltar për projekte ujore në Zyrën e kryeministrit. Begolli në mbledhjen e sotme të Komisionit, po ashtu foli edhe për veprimtarinë e Task-Force për ujëra.
Sipas Begollit, ristrukturimi i ndërmarrjeve komunale në shtatë ndërmarrje regjionale të ujërave, është e arritur e madhe dhe organizim i mirëfilltë i distribuimit dhe menaxhimit të ujit të pijshëm. Pronare e ujërave, tha në vijim Begolli, duhet të jetë Qeveria, e cila në mënyrë të centralizuar do të menaxhonte ato.
Ndërkaq, decentralizimi i ndërmarrjeve do të ishte më i kushtueshëm dhe jo efektiv.
Ai me këtë rast përmendi disa veprime të disa komunave, të cilat me vendim të njëanshëm kishin vendosur tua ndalin ujin komunave tjera nën pretekstin se i përkasin ekskluzivisht komunës në të cilën edhe buron uji.
Duke folur për furnizimin me ujë të pijshëm në Kosovë, Begolli tha se 76 për qind e qytetarëve në Kosovë kanë qasje në ujë të pijshëm, ndërsa 24 për qind e tyre furnizohen nga puset e ujit të pijshëm.
Lidhur me këtë konstatim, anëtarët e Komisionit shprehën mëdyshje duke e konsideruar këtë informatë të pasaktë. Ndërkaq, Begolli sqaroi se, bëhet fjalë për kyçje në rrjetin e ujësjellësisit, e jo për furnizim të pandërprerë të 74 për qind të qytetarëve.
Tutje sqaroi ai, se sipas një parallogarie të Task Force për ujërat, Kosovës për furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujërave të zeza, i nevojiten më se një miliard e 250 milion euro.
Duke e cilësuar si të arritur të Qeverisë krijimin e Task Force për ujërat, Begolli në vijim foli për të arriturat dhe sfidat që e përcjellin këtë mekanizëm.
Ndër aktivitet e përfunduara të Task Force ai përmendi: bilancin e ujërave sipërfaqësorë, kornizat menaxhuese për thatësira dhe kontroll të përmbytjeve, konferencat ndërkombëtare, zhvillimin akademik të plan programeve master në shkencat e menaxhimit mjedisorë, si dhe vlerësimin e sigurisë së digave në lumenjtë dhe liqenet në Kosovë.
Duke iu referuar nevojave që aktualisht ka Task Force për ujërat, Begolli nënvizoi domosdoshmërinë e miratimit, për siç u shpreh ai: Dokumenteve Strategjike.
Me këtë rast ai përmendi Ligjin për ujërat, Strategjinë e ujërave dhe planin e veprimit, Planin e pellgjeve të lumenjve. Duke folur për sfidat, ndërkaq, ai shprehu shqetësimin lidhur me inkasimin e ulët.
Po ashtu, Begolli vuri në pah nevojën për mbështetje nga donatorët, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe definimin e qartë të rolit dhe përgjegjësive të aksionarëve.
Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi dhe vendosi ta procedojë për në mbledhje plenare Planin Hapësinor të Zonës me Interes të Veçantë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në Kleçkë dhe Divjakë të komunës së Lipjanit.