Zahir Pajaziti dhe heronjtë tjerë antikosovar
Shktuar nga Faton Abdullahu
Ditë më parë me rastin e përvjetorit të rënies së tij, pothuajse të gjithë pushtetarë, politikanë e aktivistë të ndryshëm, me shumë të drejtë nderuan heroin e Kosovës Zahir Pajaziti. Shumë prej tyre vizituan shtatoren e tij në qendër të Prishtinës, aty vendosën lule dhe u përkulën. Deri këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, përkundrazi.
Mirëpo nuk ka gjasa qe asnjë, ama bash asnjëri, nga ata të cilët bënë këtë nderim, ta inicioj dhe ta jetësoj në një ose mënyrë tjetër, vendosjen e një fotoje (pikture) apo shtatoreje të këtij heroi shqiptarë, diku në foajet, sallat apo dhomat e shumta të Kuvendit të Kosovës pa rënë në konflikt me ligjin. Pse jo?
Sepse kjo do te ishte në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjet dhe parimet mbi te cilat strukturohet shteti i sotëm i Kosovës.
Kështu që në njëfarë mënyre i bije që e gjithë kjo përkulje para heroit tonë Pajaziti është nëse jo krejt, atëherë së paku gjysmë klandestine, edhe pse ky respekt bëhet nga ata që janë zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve. Kështu është edhe me të tjerët.
Tash sa kohë po këto fytyra publike, gjithashtu përulen para veprës së Adem Jasharit në Prekaz, apo gjetiu, po të gjithë përulen me respekt edhe para shumë heronjve dhe dëshmorëve të luftës së fundit në Kosovë, gjithsesi me të drejtë.
Por jo vetëm kaq dhe kështu. Po me kaq të drejtë, gjithë këta që nga paslufta, përulen me respekt edhe para figurave, përkatësisht heronjve nga historia e jonë si Skenderbeut, Hasan Prishtinës, Ismail Qemalit, Isa Boletinit e shumë të tjerëve. Jemi vend i çliruar tash sa vite pse jo, ata e meritojnë këtë.
Po ama asnjë nga këta nuk mund ti gjesh në Kuvendin e Kosovës, apo në ndonjë ministri apo ndonjë institucion tjetër publik edhe pse kjo do të ishte normale në çdo aspekt.
Të gjitha parlamentet e shteteve të ndryshme në vendet e ndryshme të botës, janë të mbushura me piktura, skulptura, shtatore, logo, stema, emblema, flamuj, të heronjve e ngjarjeve të lavdishme të së kaluarës së vendit të tyre.
Aty e kanë vendi ata, jo sikur në Kosovë vetëm në muret e shtëpive të qytetarëve. Dikur ishte e kuptueshme që heronjtë tanë, pikturat, fotot e skulpturat e tyre ti varnim e venim vetëm në muret dhe odat e shtëpive tona, por sot pse ato nuk janë aty ku duhet të jenë në Kuvendin e Kosovës, në institucionet tona ?
A janë antikushtetues plisat në kokat e Gardës së FSK-së
Dikush mbase do të gjejë shembuj ilustrues që e demantojnë këtë që thash me lartë. Por edhe nëse ndodh e i gjeni (ditë më parë kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Kadri Veseli në dhomën ku pret mysafir ka vënë përkrenaren e Skënderbeut, shtatoren e vogël të Nenë Terezës dhe Adem Jasharit.
Vite më parë këtë në mënyrë edhe më të theksuar e ka bërë kryekuvendari Akademik Daci duke vendosur piktura në muret e Kuvendit me heronj dhe ngjarje nga historia e shqiptarëve, por më pas është shtrënguar ti largoj ato pra nëse ka raste si këto që i përmenda, duhet të kuptohemi, kjo nuk është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, kjo është thjeshtë antikushtetuese në bazë të së drejtës pozitive.
Mjafton një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe pavarësisht se kush do të jetë në krye të saj, personi që i ka vendosur ato duhet ti largoj nëse nuk dëshiron që të jetë në konflikt me ligjin.
Kur asamblistët prizrenas vendosën që logoja e qytetit të Prizrenit të ishte shtëpia muze ku është mbajtur Lidhja e Prizrenit me vitin e shënuar poshtë, 1878, një minoritar turk i cili do të ketë qenë antishqiptarë i përbetuar e qon çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me kërkesën që kjo logo nuk është e përshtatshme, sepse ka të bëj me një ngjarje thjeshtë shqiptare që nuk ka lidhje me frymën e kosovarizmit, shtetësisë që po e ndërtojmë dhe sidomos shoqërisë multietnike që kemi.
Gjykata Kushtetuese bazuar në ligjet pozitive vendosi që nga logoja të hiqet viti i cili aludon në atë ngjarje.
Mbi këtë logjikë dhe në bazë të këtyre normave do të vendoset njëjtë edhe sot, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, vetëm se duhet që kjo çështje të iniciohet nga dikush.
Kështu jo ligjore dhe antikushtetuese është edhe paraqitja e Gardës Kombëtare të FSK-së e cila në korrik të vitit 2014 u vesh me tesha kombëtare shqiptare tirqi, jelek e plisa dhe kështu të veshur morën pjesë në ceremoninë e pritjes së një zyrtari nga NATO.
Njëjtë është edhe më pullën postare të edituar kohë më parë (shtator 2014) me rastin e përvjetorit të rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.
Si do të dukej një hero i përshtatshëm për Kosovën multietnike
Pse është kështu, pse jemi pajtuar me këtë realitet dhe a mund të ndryshohet ai? Të ndryshohen gjërat në këtë aspekt është shumë e vështirë, tani për tani gati se është edhe e pamundshme, sepse duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe shumë ligje si dhe koncepti mbi të cilin ndërtohet shteti I Kosovës.
Baza e kësaj mendësie qëndron tek parimi i përpjekjes që nga paslufta për të ndërtuar një shtet dhe shoqëri shumetnike kosovare që kuptohet që në preambulën e Kushtetutës së Kosovës.
Për këtë janë përkujdesur pandalshëm ndërkombëtarët që çdo gjë në Kosovë edhe flamuri edhe stema edhe logot e FSK-së deri tek logot e ndërmarrjeve publike (RTK) të mos jenë kuq e zi, të mos e kenë shqiponjën dykrerëshe, thjeshtë të mos jenë vetëm të shqiptarëve, por të jenë krejt të reja, unike dhe pa ngjyrime etnike.
Pra kjo është një përpjekje për të krijuar një identitet të ri identitetin kosovar një njeri të ri njeriun kosovar që jo pak ka ngjashmëri me atë të njohurën, përpjekjen për krijimin e homo-sovjetikus në kohën e komunizmit në Bashkimin Sovjetik.
Për ta arritur këtë, pengesa më e madhe vije nga njeriu shqiptarë, nga trashëgimia shqiptare dhe e ardhmja shqiptare. Atëherë bazuar në ligjet dhe parimet ekzistuese si duhet të dukej një hero i përshtatshëm për Kosovën, ligjet dhe parimet e saja sot? Thjeshtë realiteti këtë hero nuk e ka prodhuar.
Bile ky nuk është as polici i rënë në mbrojtje të tërësisë territoriale të Kosovës në veri të Kosovës Enver Zymberi ,sepse ai është shumë shqiptarë për të qenë sa duhet kosovar ai i takon shumë një etnie për të qenë i të gjitha komuniteteve, thjeshtë ai nuk është i përshtatshëm për serbët të cilët vazhdojnë të mos e njohin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Pra një hero i përshtatshëm për Kosovën sot nuk ekziston. Shteti i Kosovës nuk i ka sot Borën dhe Ramizin të përshtatshëm dikur për njëmendësinë komuniste jugosllave dhe as që mund të instrumentalizohet ndonjë hero për kohërat e reja sikundër ndodhë jo rrallë në të tilla raste.
Është kështu sepse thjeshtë askush, as nga shqiptarët, as nga serbët apo të tjerët nuk e dha jetën për kosovarizëm dhe Kosovën shumetnike të cilën me ligje e kemi sot e cila u konceptua në zyrat e ndërkombëtarëve.
Rugova jo vetëm në shesh por edhe brenda në Kuvend
Kjo mendësi politiko-juridike ka sjell jo integrimin e aspiruar por ndarjen e Kosovës, sepse integrimi i aspiruar me këtë bazë identiteti shumetnik, thjeshtë është i pamundur.
Nëse shkoni në Graçanicë (e të mos flasim për veriun e Kosovës) në qendër të kësaj komune keni heroin serb Millosh Obiliqin, emërtimet e rrugëve po thuajse të gjitha janë me heronj serb, flamuj e stema të Serbisë, që të gjitha bashkë, asgjë nuk kanë të përbashkët me Kosovën e aspiruar nga ndërkombëtarët dhe ligjet pozitive.
Pra atë që e bëjnë shqiptarët në komunat e tyre në mënyrë gjysmë klandestine e bëjnë edhe serbët, po në të njëjtën mënyrë.
As ata në Kuvendin e Kosovës nuk mund ta fusin asnjë hero të tyre, as flamurin serb, as kryqin, asgjë, ato janë shumë serbë për të qenë sa duhet kosovare.
Nga krejt kjo që thamë më duket se mbetet për të vazhduar ndryshimin e realitetit në terren, qoftë edhe në mënyrë gjysmë klandestine, sepse ne jemi shumicë në Kosovë, kështu për ta futur në Kuvend edhe Zahir Pajazitin edhe Adem Jasharin edhe Skënderbeun edhe Ibrahim Rugovën.
Këtë të fundit duhet ta bëjmë që sot , sepse ai ishte presidenti i parë i Kosovës dhe ky fakt mund ta amortizoj kundërshtimin e mundshëm të serbëve apo komuniteteve të tjera dhe ti jap të drejtë Gjykatës Kushtetuese të mos e largoj atë nga Kuvendi.
Mirëpo ngjashëm do të veprojnë edhe serbët e Kosova do të shkoj kah ndarja, prandaj në një të ardhme duhet ndryshuar edhe ligjet edhe Kushtetutën e Kosovës.