12 Nëntor 2024

Efekti i ndihmës shtetërore në konkurencën në treg

Shkruar nga Elton Tota

Konkurenca e lirë është një ndër shtyllat bazë në rrugën drejt zhvillimit ekonomik, mbrojtja e saj përbën qëllim në vetvete për të cilin institucionet shtetërore duhet të angazhohen që përmes mekanizmave përkatës të mundësojnë krijimin e një ekonomie të lirë dhe funksionale të tregut.

Për këtë qëllim, nga njëra anë i duhet kushtuar vëmendje politikave qeveritare të cilat përmes programeve, skemave të caktuara apo marrëveshjeve tregtare synojnë heqjen e barrierave në tregti, hapjen e tregjeve ndaj investitorëve, nxitjen e investimeve të huaja, krijimin e lehtësirave për të bërë biznes dhe në përgjithësi përmirësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve.

Kurse, nga ana tjetër, ashtu si në vendet e tjera edhe në Kosovë i duhet kushtuar vëmendje mekanizmit të brendshëm rregullativ – ligjor i cili i kontribuon krijimit dhe ruajtjes së një ekonomie të tregut të lirë dhe funksionale në të cilën ndërmarrjet konkurojnë me paraqitjen e ofertave të produkteve dhe shërbimeve të tyre duke u bazuar në cilësi dhe çmime konkuruese që mundësojnë kështu krijimin e një tregu ku qytetarëve iu ofrohet shumëllojshmëri zgjedhjesh.  

Rritja e konkurencës në treg arrihet përmes fuqizimit të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konkurencës dhe kontrollin e ndihmës shtetërore.

Së pari, janë institucionet për mbrojtjen e konkurencës, ato të cilat kanë për qëllim monitorimin e tregut dhe shpalljen si ligjërisht të pavlefshme dhe të papajtueshme me tregun të të gjitha marrëveshjeve të cilat shtrembërojnë apo synojnë të shtrembërojnë konkurencën si dhe njëkohësisht të dënimin e atyre ndërmarrjeve të cilat abuzojnë me pozitën dominuese në treg.

]Dhe, së dyti, janë institucionet e ndihmës shtetërore të cilat kujdesen për dhënien e një ndihme të kontrolluar për ndërmarrje të caktuara dhe nën kushtin e plotësimit të kritereve të caktuara.

Si e tillë, (1) dhënia e ndihmës dhe forma e dhënies së ndihmës duhet të jetë e justifikueshme, (2) duhet që ndihma e dhënë të përdoret për qëllimin për të cilin jepet, (3) ndihma të mos jetë e pakufizuar në kohë pra të jepet për një afat të caktuar kohor si dhe (4) të jepet aq ndihmë sa është e nevojshme, pra ndihma të jetë proporcionale me nevojën.

Kjo do të thotë që institucionet e ndihmës shtetërore duhet të jenë kompetente jo vetëm në vlerësimin e kritereve të përshtatshmërisë për dhënien e ndihmës shtetërore por gjithashtu edhe në monitorimin e zbatimit të ndihmës së dhënë në mënyrë që ndihma të mos keqpërdoret nga përfituesit.

Format e dhënies së ndihmës shtetërore

Koncepti i ndihmës shtetërore është i gjërë dhe dhënia e ndihmës shtetërore nga qeveritë jepet në mënyra të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme.

Këto qëllime përfshijnë ndihmën për sektorët industrialë, firmat e veçanta, zhvillimin rajonal, inovacionin, investimet, zhvillimin e tregtisë, zhvillimin e biznesit të vogël dhe sektorë kyç si: transporti, bujqësia dhe industri të ndryshme.

Shumë prej formave të ndihmës shtetërore mund të jenë shumë të dobishme duke adresuar dështimet e tregut ose duke promovuar barazi ose mundësi më të mëdha.

Pavarësisht formës së dhënies së ndihmës shtetërore, qeveritë përmes saj angazhohen për të nxitur zhvillimin apo modernizimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë, kryerjen e investimeve për rritjen e konkurencës në treg, përmirësimin e tekonologjisë, stimulimin dhe rritjen e prodhimit, furnizimin e qëndrueshëm të tregut, etj.

Në këto raste, forma dhe masa totale e mbështetjes, masa e përfitimit për ndërmarrje si dhe numri i ndërmarrjeve përfituese miratohet nga dhënësi i ndihmës shtetërore bazuar në plotësimin e kritereve ligjore.

Dhënësi i ndihmës, që në Kosovë është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) kryen dhënien e ndihmës pasi të ketë kryer procesin e njoftimit të saj tek organet përkatëse për vlerësimin dhe vendimarrjen mbi pajtueshmërinë e ndihmës.

Në këtë kontekst, dhënësit e  ndihmës shtetërore duhet të jenë të kujdesshëm që ndihma të mos jepet pa aprovim të organeve kompetente të ndihmës shtetërore, në të kundërt, ndihma e dhënë bie në kuadrin e ndihmës së kundërligjshme.

Në pikëpamje të ndihmës shtetërore, a duhet kontrolluar çdo ndihmë e dhënë ?

Në përgjithësi, dhënia e ndihmës shtetërore është e ndaluar, por megjithatë ndihma jepet, por në këtë rast (siç edhe u përmend më lart) ndihma duhet që paraprakisht të njoftohet si dhe të miratohet nga autoritetet e ndihmës shtetërore.

Kjo me qëllim që të sigurohet mbrojtja e konkurencës së drejtë, pra që dhënia e ndihmës shtetërore të mos ndikojë në shtrembërimin e konkurencës në treg.

Në këtë aspekt, pavarësisht formës, çdo ndihmë që jepet si mbështetje për sektorë të caktuar duhet të jetë e kontrolluar në mënyrë që ndihma të shkojnë tek ato ndërmarrje të cilat kanë nevojë, duke u përputhur kështu dhënia e ndihmës me qëllimin për të cilin ajo jepet.

Në të kundërt, çdo lloj ndihme shtetërore pavarësisht formës në të cilën jepet (si për shembull: subvencione, grante dhe përjashtime nga taksat, pjesmarrje në kapital, kredi të buta, shtyrje të pagesës së taksave, garancitë, lehtësimet tatimore dhe masa të tjera mbështetëse më pak të drejtpërdrejta) mund të ketë efekt negativ në treg duke ndikuar në shtrembërimin e konkurencës.

Prandaj, organet përkatëse të kontrollit të ndihmës shtetërore duhet që të vlerësojnë ndikimin e efektit të çdo forme të dhënies së ndihmës duke pasur si qëllim kryesor të tyre mbajtjen hapur të tregjeve.    

(Ky publikim është mbështetur nga projekti me titull "KSV 019 Asistenca Teknike në kuadër të Integrimit Evropian" i zbatuar nga Zyra për Kritere Ekonomike dhe Treg të Brendshëm në Zyrën e Kryeministrit dhe financuar nga Qeveria e Luksemburgut. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorit, dhe nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të Qeverisë së Luksemburgut).

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)