30 Tetor 2024

Dashni e lule në vend të krismave dhe armëve

Shkruar nga Orges Mjeku

Fushata e Ministrisë së Punëve të Brendshme “Festo me zemër dhe jo me armë”, vazhdon t’i sendërtojë sukseset e saj, por ky përkushtim nuk është vetëm në dorën e shtetit, por edhe të kujdesit të vet bashkatdhetarëve tonë.

Vargani i bashkatdhetarëve tanë që ia mësyejnë vendlindjes gjatë verës, është gjithmonë i gjatë. Ky vargan, të cilin e shohim çdo ditë në pikat tona kufitare dhe në aeroporte, nisë gëzueshëm në qershor, pasi ata vijnë të çmallen në vendlindjen e tyre.

Jo rrallë vizitat e tyre në vendlindje kanë përfunduar pikëllueshëm në fundgusht, kur ata kthejnë sërish në Evropë. Kanë përfunduar pikëllueshëm për disa nga ata, derisa në vend të festimit me dashni në dasma e ahenxhe, kanë festuar me armë.

Bashkatdhetarët tanë bashkë me mallin e tyre për vendlidje, me vete sjellin edhe një lumë emocionesh të tjera. Vijnë me shumë emocione për t’u takuar me prindërit e farefisin, me miqtë e të afërmit dhe me gjithçka tjetër që ekziston në Kosovë.

Kur ata në kushte dhe rrethana të okupimit e kanë braktisur Kosovën, me vete i kanë bartur edhe shumë gjëra tjera të parealizuara, të cilat u kanë mbetur peng që në rininë e tyre…

Gjatë verës, shohim shumë bashkatdhetarë, të cilët janë më të lëvizshëm se sa ne, më shumë emocionalë se sa ne, prandaj pa arsye ndjehemi të besdisur, derisa jo rrallë edhe nuk i kuptojmë sa duhet ata.

Bashkatdhetarët tonë shpejtojnë për t’i vizituar sa më shumë të afërmit e tyre, pasi koha e shkurtër e pushimeve nuk mjafton.

Shpejtojnë për t’i plotësuar shumë ftesa dasmash e gazmendesh dhe shpejtojnë pandalur, duke kursyer sa më shumë kohë. Shpejtojnë edhe për ato pak ditë pushim që u kanë mbetur, t’i kalojnë në rivierën shqiptare.

Jo rrallë bashkatdhetarët tanë, duke provuar të zënë kohën e tyre të çmuar, pa dashje e pa vullnet, kanë dalur nga vetvetja.

Në ftesa të ndryshme dasmash e gazmendesh, kemi lexuar në mediet tona se jo pak nga ato dasma e gazmende kanë përfunduar me tragjedi. Shumë buzëqeshje janë ngrirë në pikëllim dhe shumë dashuri janë thyer përjetësisht.

Përdorimi i armëve në dasma e gazmende, ka njëfar tradite në psikën tonë. Në mungesë të shtetit e kushtetutës, pastaj të rendit dhe ligjit, këtë boshllëk e kemi zëvendësuar me të shtëna armësh, më shumë për të plotësuar boshllëkun e lirisë së munguar, se sa për të realizuar një kënaqësi, e cila jo rrallë ka përfunduar me tragjedi.

Përmes armës kemi manifestuar lindjen e një fëmije, kurorëzimin e një qifti, por edhe ndjesinë për lirinë e munguar.

Për fatin tonë të mirë, gjërat kanë ndryshuar, derisa në dy dekadat e fundit, këto tragjedi shenjuan përmasa shqetësuese. Edhe këtë vit, institucionet e shtetit ndërmorën hapat e tyre, në mënyrë që ky fenomen të minimozohet për aq sa të jetë e mundur, që situatat e këtilla tragjike të mos përsëriten.

Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përmes fushatës tashmë të njohur e sensibilizuese “Festo me zemër dhe jo me armë”, është e pranishme kudo.

Që nga momenti kur bashkatdhetarët tanë janë të pranishëm në pikat kufitare dhe në aeroporte, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, po bëjnë gjithçka që është e mundur, që kjo fushatë sensibilizuese të ndikojë sa më shumë, në mënyrë që “vesin” për të festuar me armë, ta shndërrojnë në dashni për familjen dhe atdheun.

Fushata sensibilizuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme “Festo me zemër dhe jo me armë”, vazhdon t’i sendërtojë sukseseset e saj, por që ky angazhim nuk është vetëm në dorën e shtetit, por edhe të kujdesit të vet bashkatdhetarëve tonë.

Bashkë do ja dalim! Po, sepse jemi në fillim të muajit gusht dhe për fatin tonë të mirë, këtë vit nuk kemi patur asnjë incident të këtillë as nga ne, as nga bashkatdhetarët tonë. Kemi edhe shumë mundësi tjera, që në vend të krismave të armëve, të manifestojmë dinjitet e dashuri.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)