Bayern dhe Tottenhami arrijnë marrëveshje për kompensimin për Harry Kane
Mynih, 11 gusht - Sipas mediave britanike dhe gjermane, Bayern Mynihu dhe klubi londinez Tottenhami kanë arritur marrëveshje për shumën e kompensimit për Harry Kane, kështu që sulmuesi anglez do të luajë në Bundesligë duke filluar nga sezoni i ardhshëm.
Raportet e mediave thonë se Bayerni do t'i paguajë klubit të Premier Ligës angleze 100 milionë euro për 30-vjeçarin Kane, plus 20 milionë të mundshme për bonuse. Lojtari i kombëtares angleze do të nënshkruajë kontratë 4-vjeçare me gjigantin gjerman.
Kane pritet të udhëtojë që sot drejt Gjermanisë për t'iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe më pas të nënshkruajë zyrtarisht kontratën me Bayernin.
Kane është një "fëmijë i Tottenhamit" ku ka kaluar të gjithë karrierën e tij, me huazime në Leyton Orient, Millwall, Norwich City dhe Leicester City. Ai luajti 435 ndeshje për Tottenhamin dhe shënoi 280 gola.
Me fanellën e kombëtares së Anglisë ka 84 paraqitje me 58 gola.