Galatasaray nënshkruan kontratë 3-vjeçare me Icardin
Bruksel, 30 korrik - Klubi turk Galatasaray njoftoi një marrëveshje trevjeçare me sulmuesin argjentinas Mauro Icardi nga Paris Saint-Germain (PSG), duke përfshirë një tarifë transferimi prej 10 milionë eurosh.
Në një deklaratë, klubi nga Istanbuli zbuloi se tarifa e transferimit do t’i paguhet ish-klubit të Icardit në katër sezone me këste.
Duke filluar nga sezoni 2023-2024, Icardi do të veshë fanellën e Galatasarayit për tri sezonet e ardhshme. Sulmuesi do të fitojë një pagë neto prej 6 milionë eurosh në sezon.
Icardi, 30 vjeç, mbërriti në aeroportin Ataturk të Istanbulit premten vonë, ndërsa tifozët e mirëpritën, duke brohoritur emrin e tij.
Ai e kaloi sezonin 2022-2023 te Galatasarayi si huazim dhe shënoi 23 gola në 26 paraqitje, duke fituar titullin e Superligës turke dhe duke u bërë i preferuari i tifozëve.