10 Dhjetor 2024

Vështrim për romanin Zhgenjimi i Venerës, Kristaq Turtulli

Shkruar nga Fatmir Halimi

Deri më tani jemi mësuar të lexojmë se shkrimtari i madh i letërsisë sonë Kristaq Turtulli shkruan romane që për tema trajtojnë të kaluarën e popullit tonë me të gjitha vuajtjet e tij. Në serinë e romaneve Saga e madhe ai trajtoi jetën e popullit nën sundimin totalitar e diktatorial të tiranit Enver Hoxha.

Me një vërtetësi të jashtëzakonshme e të pashoq, me  një saktësi si të një regjisori filmik e paraqet realitetin e dhimbshëm e shumë të hidhur të popullit tonë menjëherë pas përfundimit të luftës së dytë botërore dhe ardhjes në pushtet të të kuqeve, të komunistëve barbarë te romani “Hani me dy porta”.

Përveç kësaj teme emotive nga vuajtjet e popullit nën pushtetin e diktatorial të komunizmit, ai trajtoi si kush tjetër temën e gjakmarrjes tek romani “Përroi qante në mesnatë”.

Gjakmarrja apo si quhet në disa krahina tona hakmarrja e sidomos aty ku kishte ndikim Kanuni i Lekë Dukagjinit, si temë së pari kishte shtrirje të gjerë në oralitetin tonë, pra në letërsinë gojore, për tu bërë temë e pëlqyer nga shkrimtarët e letërsisë moderne,  duke filluar nga Ernest Koliqi e deri te Kadareja në Shqipëri, kurse te shkrimtarët në Kosovë kjo temë u trajtua gjerësisht nga Rexhep Qosja, Ramiz Kelmendi, Nazmi Rrahmani etj.

Qëllimisht i përmenda këta shkrimtarë të mëdhenj për të ardhur në konstatimin se askund në letërsinë tonë nuk hasim aq shumë emocione, dhimbje, ndjenjë të krenarisë e të vuajtjes sa te romani “Përroi qante në mesnatë”.

Duke përfaqur mendimin se shkrimtari Turtulli ka një nivel të lartë artistik, edhe për romanin e tij më të ri “Zhgënjimi i Venerës”, i cili këtë fundvit do të jetës në duart e lexuesve, vijmë në disa interpretime dhe konstatime.

Pra duke e pasur përvojën me romanet e Turtullit, duke e njohur stilin e lartë dhe shumë filozofik të të shkruarit të tij, s’do mend se edhe romani “Zhgënjimi i Venerës” është i tillë.

Shkrimtar Turtulli duke i njohur të gjitha trendët e të shkruarit të letërsisë së kohës dhe qe tridhjetë vite duke jetuar në Kanadanë e largët, dhe duke qenë në kontakt të përhershëm me letërsinë amerikane, do t’i përdorë të gjitha teknikat dhe metodat postmoderne të shkrimit të rrëfimit të tij romanesk e fiksional.

Këto teknika stilistike të shkrimit do t’i përdorë me shumë sukses edhe te romani i tij i fundit “Zhgënjimi i Venerës”, sidomos teknikën (kategorinë stilistike) të retrospektivës dhe të intertekstit.

Pra duke konstatuar dhe duke vlerësuar se Turtulli sot është shkrimtar i kalibrit botëror dhe i etiketuar si shkrimtar shqiptaro-amerikan, roman “Zhgënjimi i Venerës” edhe për temë ka jetën e një vajze amerikane, siç është Venera.

Prandaj duke e analizuar fabulën e romanit në shumë aspekte e dimensione, siç janë motivi, tema, luftimi i dukurive negative të shoqërisë, ambienti, struktura arkitekturore e vendngjarjeve, emërtimi i personazheve, i toposeve, e shumë aspekte të tjera “Zhgënjimi i Venerës” vërtetë është një roman aksion, i stilit të shkrimit amerikan.

 Shkrimtari Turtulli përmes personazhit të tij kryesor, në këtë rast një femër e re, e brishtë, një vajzë me plot ëndrra për dashurinë, besnikërinë dhe të ardhmen e lumtur, së pari na i paraqet të gjitha veset, dukuritë negative të shoqërisë amerikane apo evropiane, të cilat kishin marr hov në fundshekullin e XX për të vazhduar edhe në ditët e sotme.

Pra përmes jetës së Venerës vihen në pah të gjitha veset e këqija të shoqërisë siç janë: prostitucioni, jeta e shfrenuar, narkomania, dashuria lesbike e femrave, por edhe jeta homoseksuale e meshkujve, korrupsioni në shoqëri, sidomos në nivele të larta të politikanëve, dhe varfëria e skajshme e njerëzve të thjeshtë.

Të gjitha këto paraqiten si hyrje në syzhe, ku më pas përmes karakterit të fortë të Venerës do të luftohen deri në flijim.

Ajo do të flijojë shumëçka nga jeta e saj vetëm e vetëm që shoqëria e sotme të duket më e mirë, e mbi të gjitha të ngadhënjejë dashuria dhe e vërteta.

Venera do të bie në kundërshtim me mamanë e saj, e cila bënte një jetë të shfrenuar nën ndikimin e alkoolit, ku këtë do ta shfrytëzojë i dashuri i saj për ta dhunuar Venerën e vogël.

Më pas ajo do ta kundërshtoj dhe braktisë edhe të dashurin e saj Tonin, të cilin do ta zë në flagrancë homoseksuale me punëdhënësin e tyre, Herrin.

Këto edhe shumë ngjarje të tjera rrëqethëse Venerën e qojnë deri tek akti i fundit i jetës, që është vetëvrasja, por që në momentet e fundit e ndaloi Toni, mandej ajo kalon nëpër fazën e skajshme të çmendurisë, por që kurohet në spital.

Venera gjen forcë dhe shërohet për të vazhduar jetën, sidomos kur takon Maksin, një njëri të mirë dhe shumë pozitiv.

Si romanet e tjera, që janë më shumë se 30 sosh edhe romani “Zhgënjimi i Venerës” në lexim të parë është i vështirë për tu kuptuar, pasi që shkrimtari i shfrytëzon shumë kategoritë stilistike metatekstin, intertekstin (ndërmjet tekstin), retrospektivën e të tjera.

Me këtë dua të them se shkrimi i rrëfimit nuk është linear dhe për këtë lexuesi duhet të jetë i vëmendshëm dhe i mbamendshëm për t’i lidhur copëzat e rrëfimit. Ky është stili i shkrimtarit turtulli, ky është stili i një shkrimtari postmodern.

Shfrytëzimi i kategorive stilistike e ngrisin vlerën letrare të veprës, prandaj mund të themi se te Turtulli tashmë këto janë shndërruar në vetëdije të lartë artistike.

E mbylli këtë vështrim duke hapur vetëm një dritare të vogël për studiuesit e tjerë, që në të ardhmen do të merren me interpretime të shumta, që na ofrojnë romanet e shkrimtarit Turtulli.



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)