Vdekja u vjen prej syve të tij
Shkruar nga Berat Armagedoni
Në kohën kur në krye të shtetit të Republikës së Kosovës ishte Partia Demokratike e Kosovës e Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e udhëhiqte ministri Memli Krasniqi, (djali i vetëm i profesor Milazim Krasniqit, i cili nuk kishte dhe nuk ka kurrfarë raporte miqësore me klanin e Hamitëve në Fakultetin e Filologjisë), ekspertët e LDK-së, ata që ishin nën hije, e që vite më parë e gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme ishin militantë partiakë të LDK-së, e kritikonin ministrin Krasniqi për emërimin e këshillave dhe për politikat e pafavorshme në interes të kulturës. Se sa kanë pasur të drejtë ata ekspertë për ato reagime, i vërtetoi për pak muaj ministri i Kulturës, Kujtim Shala, i cili shkarkoi dhe ndërroi: përbërjen e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës (më pas, këshilli i ri i tij, mbase me urdhër të vet ministrit Shala, e shkarkoi Valdet Avdiun nga drejtorllaku, jaranin e Kadri Veselit, të kryeparlamentarit, pa iu dridhur Shalës syri nga Veseli, por duke u dridhur anëtarët e KL të Teatrit Kombëtar para Shalës, ndaj të cilit nuk reaguan askund), të Qendrës Kinematografike të Kosovës, të Institutit të Arkeologjisë, të Muzeut të Kosovës, të Galerisë së Arteve, të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, të Këshillit të Librit të MKRS-së.
Ska si të klasifikohet ndryshe ky veprim i tij përpos si ofensivë ndaj këshillave të Memli Krasniqit e të Milazim Krasniqit.
Por deri tash, e që pritet të ndodhë shumë shpejt, se shkarkoi e as nuk e ndërroi përbërjen e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Pjetër Bogdani, për të cilin ekspertët e dikurshëm të LDK-së patën reaguar kur u pat emëruar e për të cilin është duke u bërë një lojë e fshehtë e interesante për shumëkënd, por e hapur dhe foshnjarake për mua.
Të kujtoj me këtë rast se këtë traditë të punës së Shalës e shkarkimin e atyre këshillave e kam prognozuar qëkur Shala është zgjedhur ministër i MKRS-së. Referencë kam një tekst autorial të cilin e pata botuar muaj më parë po në këtë gazetë, me titull Ministër, inshallah të shkon viti mbarë!
Aty pata përmendur se ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ani pse meditant në fushën e letërsisë, është militant partiak i Lidhjes Demokratike të Kosovës, se ai është bërë njëfarë talebani, i cili nuk rri me pushkë në krahë, por me laps e vulë në dorë që, sapo gjen ditën një anëtar të partisë tjetër në MKRS, merr vendim natën ta heqë nga aty. Dorën në zemër, përpos këshillave të mëhershme të MKRS-së që i ka ndërruar e i ka emëruar militantët e partisë së vet, nuk ka prekur edhe në institucione.
Nuk di ndonjë rast, se nuk ma ka përmendur kush deri sot e as nuk kam lexuar në medie, se nga MKRS-ja ose nga ndonjë institucion vartës i saj e ka hequr Filan Fistekun. Kjo qëndrueshmëri emocionale e këtij meditanti e militanti është për mburrje! Po të ishte kaq llogaritar i mirë sikurse i ka bërë llogaritë e anëtarëve të këshillave, nuk di ndonjë tjetër njeri që do ti jepte shkak më të madh sesa unë që i kam dhënë herë pas here të më heqë nga puna nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës Pjetër Bogdani. Ka pasur arsye personale të mjaftueshme. Natyrisht, po të donte, edhe arsyetime do të gjente. Ligjet kanë zbrazëti, ministrat e vartësit e tyre dinë të bëjnë dredhi!
Pse do ta bënte këtë?
Sepse, përpos që vazhdimisht kam shkruar për disa kolegë të tij, kam shkruar edhe për të kur ka qenë vetëm profesor universitar, edhe në kohën kur është bërë ministër i Kulturës. Jam përpjekur, si atëherë si sot, tia them troç të metat. Meqë nuk ia thosha privatisht, se sna ka rënë rasti të takohemi që sa vite, u dashke tia thosha publikisht. Dikush tjetër, për interesa të vetat, mund ti ketë bartur fjalë që si kam shprehur për të privatisht. Dmth., i kam shtirë brirët me të, jo edhe ai me mua, kur ka pasur fuqi e ndikim më të vogël sesa ka sot.
I kam shtirë brirët me të edhe sot. Luftën ndaj tij se kam shpallur as atëkohë e as sot për ti dhënë shkak të më hakmerret e të arsyetohem vetë ndërkohë, se e bëri sepse kohë më parë kisha shkruar për të se është militant partiak, por e kam bërë duke njohur përshtypjet e tij për të gjithë krerët e PDK-së, veçanërisht për ish-ministrin e Kulturës, Memli Krasniqi, për punën e të cilit ka urdhëruar auditorin e brendshëm të MKRS-së ti shqyrtojë të gjitha lëndët e projekteve që ka përkrahur ai (ministri Krasniqi), duke dyshuar në përzgjedhjen e projekteve dhe përkrahjen e tyre. Megjithatë, ende auditori i brendshëm i kësaj ministrie zyrtarisht nuk ka dhënë një raport të detajuar për keqpërdorime të mjeteve të MKRS-së nga ministri Krasniqi.
Kjo vonesë është e çuditshme, por edhe e pritshme. Lojë interesante e këtij kapiteni me lojtarë të formacionit rezervë. Strategji e hapur, por plan i fshehur, i cili frikëson shumëkënd, veçanërisht të përlyerit në përkrahje të projekteve.
Pse?
Sepse as dostave të ministrit Shala e as vetë atij si pëlqente politika kulturore që bënte Krasniqi kur ishte ministër, siç nuk i pëlqen sot aspak komunitetit artistik politika kulturore e Shalës, ndaj të cilit kanë reaguar shumica e kanë heshtur pakica. Së këndejmi, nëse Krasniqi ka bërë punë të keqe kur i ka emëruar këshillat e institucioneve, të cilat i ka emëruar pasi u ka skaduar mandati të mëparshmeve, Shala ka bërë punë edhe më të keqe, sepse i ka emëruar këshillat e rinj sapo kanë nisur punën këshillat e Krasniqit.
Dmth., për shkak të raporteve jo të mira me njëri-tjetrin, (të Shalës me dy Krasniqët), e kanë pësuar të tretët në shpinë të tyre (anëtarët e këshillave). Përjashtim bën rasti i Këshillit të Librit, të cilin Shala e emëroi dhjetë ditë pasi këshillit të Krasniqit mandati i skadoi. Edhe këtë këshill është dashur ta shkarkojë e ndërroi ato ditë të para që është bërë ministër, sepse dostat e tij, ekspertët e kulturës së LDK-së, patën reaguar edhe për emërimin e këtij këshilli nga Krasniqi. Pra, sështë dashur ta presë datën e kalimit të mandatit të tyre, por të veprojë sikurse në rastet e mëparshme: ta emërojë këshillin e ri pa i kaluar mandati të vjetrit.
Nuk e di pse ka gabuar këtu, pse ka lëshuar pe e i ka mbyllur sytë, por e di se ka qenë i njoftuar nga këshilltarët e vet, se Këshilli i Librit i Krasniqit ka mandat deri më 14 prill. Këtë pritje të afatit të kalueshmërisë së KL-së mund ta ketë bërë vetëm për ish-anëtarin e KL-së nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, për profesor Agim Vincën dhe Daut Demakun. Arsye tjetër nuk ka, pasi dostat e tij, kur ishin ekspertë të kulturës e që sot disa prej tyre janë këshilltarë të tij, kanë qenë të pakënaqur me të gjithë anëtarët e tjerë të KL-së. Por, është shumë e kuptueshme që punën e deritashme që ka bërë Shala, duke shkarkuar këshillat e Krasniqit e emëruar të vetët, e ka bërë për këto arsye: së pari për interesa personale, së dyti duke arsyetuar reagimet e dikurshme të dostave ekspertë të kulturës, së treti duke i mbushur këshillat e MKRS-së me militantët e partisë së vet e përkrahësit e vet.
Një prej arsyeve të tjera, e cila nuhatet, por nuk shihet, është se Shala kurdoherë ka qëllim ta drejtojë LDK-në, ta zërë vendin e Isa Mustafës. Për të rënë në sy të votuesve e krerëve të partisë i është dashur të reagojë kaq ashpër, që të pëlqehet e përkrahet ndërkohë nga ta në projektet e tjera që i ka në mendje e ende si ka zbardhur, ani pse i ka bërë planet me disa shokë të ngushtë. Thënë të drejtën, se paramendoja Shalën të tillë. Kaq të ashpër, kaq politikan.
Se paramendoja sepse i ka botuar rreth 30 libra nga fusha e letërsisë, shumica prej tyre studimorë. Mund ta ketë ditur ai, sikurse e dinë krijuesit, se politika e arti sshkojnë bashkë dhe e dëmtojnë njëra-tjetrën. Se sa do ta dëmtojë politika Shalën, do ta shohim në vitet në vazhdim produktin e tij në letërsi. Një di të them se, ai u bë ministër i Kulturës në kohën kur u duhej institucioneve (MKRS-së, duke qenë Shala edhe zëvendëskryeministër, iu shtua buxheti), kur u duhej njerëzve të LDK-së (të cilët hezitonin ta kërkonin ndihmën e Krasniqit), por kur su duhej krijuesve të pavarur, ndaj të cilëve ka nisur ndëshkimi. (Pikëpamjet janë personale)