Vdekja në semafor
Shkruar nga Gani Qarri
Si çdo vit, ne përsëri, të gëzuar u nisëm, bashkë me familje për pushime në atdhe. Por tanimë ,atje kanë ndryshuar shumë gjëra dhe çudia qëndron në faktin se shqiptarët, kohët e fundit, kanë vendosur edhe rregulla të veçanta ngasjeje dhe mënyra aq të pakuptueshme manovrimi në komunikacioni, sa që për pjesën tjetër të Botës, ato mbeten mister i vërtetë.
Rreziku më i madh vije, sidomos në semafor nga shoferë të gjithëdijshëm, të cilët nuk ndalojnë makinat as para dritës së kuqe, duke kaluar jo rrallë edhe mbi trupat e kalimtarëve të pafajshëm.
Për aq më keq, ata as nuk mërziten fare edhe kur mbysin këmbësorët në vendkalimet e veta, ani pse atyre u lejohet ecja sipas sinjalistikës me dritë të gjelbër.
Por nuk janë vetëm ata të cilët në gjuhën popullore emërohen si vagabond dhe veprojnë ashtu siç nuk do duhej në komunikacion. Mjerisht jo rrallë, na bie të shohim e dëgjojmë se si edhe disa nga policët, ngasin makinat në semafor të kuq.
Madje, shpesh herë as ata nuk ndalojnë para turmës së këmbësorëve në parakalim, të cilët të frikësuar, zmbrapsen me shpejtësi në trotuar për tu shpëtuar goditjeve të tyre.
Këto janë rregullat e çoroditshme që dominojnë në rrugët e Atdheut, ku e drejta e lëvizjes nuk luanë peshë, në vendin e hurit dhe të konopit, sundon ligji i të fortit.
Policët serioz dhe shokët që patrullojnë në rrugë, të gjobitin, me arsyetimin banal e fare pa mbulesë, sa herë që atyre u teket se prapa disa kthesave dhe në disa kilometra largësi, me sytë e tyre si shqiponjë paskan parë sesi ti ke parakaluar në mënyrë të ndaluar mbi vijën e pandërprerë, apo nuk ke respektuar ndonjërën nga shenjat inekzistente të komunikacionit.
Kurse, shoferët gjentil e inatgjinj, nuk lejojnë sidomos shacat dhe fëmijët e tyre mërgimtar, as të kalojnë në anën tjetër të rrugës edhe kur drita e gjelbër për këmbësor, ligjërisht ua mundëson këtë të drejtë.
Raste të tilla e të ngjashme kanë ndodh e ndodhin gjithnjë e më shpesh, aq sa shumë këmbësor të pafajshëm, në vendet e shënjuara për kalimin e tyre, e ndonjëri edhe në trotuar, kanë humbur edhe jetën.
Kohët e fundit, në atdheun tënd ta thyejnë edhe makinën dhe vjedhin të gjitha gjësendet me vlerë, në pikë të ditës, hapur dhe në vende publike, pa u frikësuar nga pasojat, as skuqur nga turpi, që nuk u ka mbetur asnjë fije.
Edhe kur lajmërohen raste të tilla, te policia vendore, po ajo polici strikte dhe agjile në gjobitje të mërgimtarëve, të përgjigjet me ironi ende nuk kemi të dyshuar, hetimet vazhdojnë, ndërsa mërgimtarit të shokuar nuk i mbetet tjetër ,veç se të sillet e rrotullohet si i çmendur, duke kapur kokën me dy duar nga dëshpërimi.
Por ajo që brengosë më tepër, është humbja e jetëve të këmbësorëve të pafajshëm, kur ata të mashtruar nga drita e gjelbër në semafor, marrin guximin që të kalojnë në anën tjetër, para se të shohin e studiojnë mirë e me kujdes se me ç`shofer rigoroz kanë të bëjnë.
Përballja me ta, nënkupton sfidën me rrezikshmërinë më të lartë, e cila në Evropën perëndimore, as nuk mund të paramendohet, se jo më të ndodhë.
Këtë \"guxim\", sipas rrëfimit të një nëne, do ta paguante me jetë edhe bija e saj mërgimtare, e cila nuk e kishte paramenduar një arrogancë të tillë në atdheun e prindërve të vet.
Ajo, fatkeqësinë e përjetuar, në pamundësi për t`ia shpjeguar me gojë nënës së saj, para se të vdiste, do t`ia linte si testament gjithë familjes, të shkruar në mënyrën më të dhembshme në një letër, me sa vijon:
Nëna ime, dy ditët e para ti vije me mua, ku e pe edhe vet se si na trajtonin aty. Nuk e di pse nuk erdhe edhe ditën e tretë, atë ditë të mallkuar e cila kurrë nuk do të dëshiroja, të më takonte mua. Këtë e them nga fakti se ndoshta kujdesi yt engjëllor nënë, do më shpëtonte edhe nga fatkeqësia që më ndodhi.
Sapo kthehesha nga zyra e gjendjes civile në Komunë, ku për tri ditë radhazi mu dashtë të shkoja vetëm për një dokument, edhe pse mendjen, ato çaste nuk e kisha fare te ti, për çudi, vazhdimisht më kujtoheshin fjalët tua, që t`ia veja mendjen sjelljes arrogante të shoferëve diler dhe të kisha kujdes në rrugë nga veprimet e tyre të çoroditura.
Ata, si duket, nuk njohin sa duhet shenjat e komunikacionit as nuk respektojnë të drejtën e lëvizjes së këmbësorëve edhe kur në semafor ndizet drita e gjelbër për lëvizjen e tyre.
Nëna ime, ti më ke këshilluar dhe thënë qindra herë se dhjetëra këmbësorë kanë vdekur në vendkalimin e shënjuar për ta ,nga goditjet e shoferëve të tillë, por unë nuk e mendoja se kjo do të më ndodhte edhe mua.
Ndaj, pikërisht në momentin që po i gëzohesha pa masë, mbarimit të mundimshëm të asaj pune të vogël në Komunë, dhe mezi prisja shenjën e gjelbër për këmbësorë që të kaloja në anën tjetër të rrugës, e bindur se tani do të arrija shpejt dhe shëndosh e mirë në shtëpi, drita e gjelbër në semafor, me mendimin se edhe këtu, ajo ka të njëjtën peshë e domethënie që ka edhe në Evropë e botën anë e mbanë, më tërhoqi si me dorë, që të kaloja \"lirshëm\" pa e ditur se çfarë do të më gjente dhe sa shtrenjtë do ta paguaja këtë \"guxim\".
Vetëm pak minuta më vonë, nuk e dija më se ku gjendesha dhe si nëpër ëndërr, e me shumë vështirësi, dëgjoja nga pakë policët të cilët silleshin rreth meje dhe i thonin njëri tjetrit; njeriu që më goditi, në vendkalimin për këmbësorë, ngiste makinën si i tërbuar dhe nuk kishte ndaluar as para dritës së kuqe në semafor, ani pse unë dhe ndonjë këmbësorë tjetër kishim filluar të kalonim rrugës sonë.
Zhurma e makinës së tij, ende sikur përsëritet dhe më vije valë-valë e shqetëson pareshtur në kokën time të dërmuar.
Derisa gjaku im vazhdonte të shpërndahej gjithandej përreth meje, unë përkundër dhimbjeve të mëdha, përpiqesha të mos nxirrja zë as rënkime.
Më vije të flejë dhe nuk e di pse! Është kjo agoni nga dhimbjet apo shenja të vdekjes që po më afrohet, nënë.
Por, ja që tani me sy të mbyllur, po dëgjojë si në kllapi edhe mjekët se si thonë me dëshpërim; kjo vajzë nuk mund tu mbijetoj gjithë këtyre plagëve të rënda.
Ajo, duhet të vdesë ,sepse një psikopat i çmendur, vendosi të ngiste makinën me tërë shpejtësinë si i dehur, përkundër dritës së kuqe në semafor dhe në zonën e paraparë për këmbësor, duke mbytur një kalimtare të pafajshme në rrugën e saj.
Pse lejohen këto veprime të çmendura të njerëzve tanë nëna ime, tu marrin jetën të tjerëve, siç më mbytën edhe mua në moshën time më të mirë?!
çfarë kemi ne këtu? Jemi të huaj në vendin tonë!....Nuk është ky edhe Atdheu i ynë, për të cilin ju na flisnit aq shpesh, vuajtët aq gjatë dhe ndihmuat aq shumë, apo si qëndron puna, nëna ime, me këtë vend?!.
Si guxuat të na thonit se ky vend na përket edhe neve, fëmijëve të lindur e rritur në mërgim, kur këtu për pak gjë, njerëzit të marrin edhe shpirtin !?
Dhembjet më therin nënë, sikur të më shpojnë qindra thika menjëherë, forcës sime po i afrohet fundi dhe unë nuk mund të shkruaj gjatë për këtë temë.
Por, megjithëse Atdheu më vrau dhe unë po vdes kaq e re, të lutem shumë ti mos derdh lot, i thuaj dhe babit të bëhet i fortë, si dhe vëllait e motrës, që as ata të mos qajnë për mua. Ju lutem, ruani sa më mirë që mundeni dhe mos lejoni që edhe atyre tu ndodhë ndonjë fatkeqësi, të paktën jo këtu.
As unë nëna ime, nuk e dëshirova këtë përfundim, por ja që kështu paska qenë e shkruar, ndaj në jetë, njeriu u dashka pajtuar edhe me tragjedi të tilla.
Një gjë, dua tu premtojë që tani, se me të arritur pranë Zotit, do të kërkojë nga ai që të më bëjë engjëllin tuaj mbrojtës dhe nga qielli të kujdesem për të gjithë ju, që asnjëherë të mos u ndodhë kjo që më gjeti mua.
Sikur të mos kishte njerëz të tillë, nënë edhe unë ende do të jetoja, por ja që tani po kalojë minutat e fundit, e nëse ju edhe pas kësaj ngjarje, vendosni të ktheheni prapë në Perëndim, atje prej nga ne erdhëm në këtë \"pushim\" të pafund, ju lutem nëna ime, as mua, mos më leni të vetmuar në atdhe, sepse nga ato që pashë e përjetova, kam frikë se këtu edhe të vdekurit nuk mund të rehatohen as gjejnë qetësinë që u takon në amshim.
Ndaj, më merrni edhe mu me vete nëna ime dhe më varrosni atje ku tradita vendore hijezon varrezat me lule dhe i mbanë ato në freski.
Atje ku u rrita e shkollova dhe shokët e shoqet, patjetër do vinë e të më recitojnë ndonjë poezi, përsëritin ndonjë nga bisedat tona më interesante të zhvilluar për gjalljen time kur argëtoheshim bashkë si të rinj dhe ndezin qirinj pranë varrit në shenj nderimi për shpirtin tim të shuar në rini.
Atje, do të më vizitoni edhe ju më shpesh nëna ime, ti, babai, vëllezërit dhe motrat. Fillimisht çdo ditë dhe javë e pastaj, me kalimin e kohës, ndoshta më rrallë, por të jeni të sigurt nëna ime, se edhe nën dhe, secilës nga vizitat tuaja, unë do ti gëzohem shumë.
Do ti gëzohem mu si atëherë kur isha fëmijë dhe ju vinit nga qyteti e më sillnit rroba të reja të blera enkas për trupin tim të njomë, që atëbotë atje ende rritej, kurse këtu, mjaftoi një ardhje, për tu shuar përgjithmonë.
Që në çastet e sjelljes sime në Spital nënë, në vend të barnave dhe kontrollit mjekësorë, për mua kujdesin kryesor treguan mizat. Ato që nga ajo ditë,me qindra, më hanë për së gjalli, kanë gjetur ushqim të bollshëm nga gjaku i pa fshirë si duhet dhe të pa shqetësuara, grimcojnë pak nga pak trupin tim.
U përpoqa disa herë ti largoja me ndonjë lëvizje të lodhur dore, por nuk arrija dot, madje me kalimin e kohës, fillova as të mos i ndjejë më, ndaj vendosa ,që ngadalë të paktën, tua shkruaj në këtë letër, ato fjalë që do të mundem.
Dora e djathtë nënë, më është bllokuar e tëra, por unë sikur paskam pasur pak fat në këtë fatkeqësi, pasi që edhe në shkollë ,kam shkruar me dorë të majtë. Se po të mos ishte kështu, edhe këto fjalë që tani po i qes me shumë vështirësi në letër, do ti merrja me vete në amshim, dhe ju ndoshta, nuk do të kuptonit asgjë mbi rrjedhën e fatkeqësisë që më ndodhi, përveç vdekjes sime.
Një gjë do të më mbetet peng përgjithmonë, nëna ime e dashur, po të mos e them që në fillim; sikur ta dija se çfarë do të më gjente këtu, të betohem në frymën e fundit, se kurrë nuk do të vija në këtë atdhe, gangsterët e të cilit vrasin kaq lehtë njerëz të pafajshëm dhe shkatërrojnë ardhmërinë e këtij vendi.
E kishim lënë edhe me Artin që disa ditë ti kalonim në rivierat më të njohura shqiptare, për të shijuar bukuritë e tyre, që nga Saranda deri në Ulqin, por ja që nga kjo tragjedi edhe ai, tani po mbetet vetëm me dhimbjen për mua.
Ti e di nënë, se atë e kisha gjysmën e shpirtit tim, ndaj edhe nga ky shtrat spitali ku jam shtrirë për vdekje, nga zemra i urojë, që të ketë një fat sa më të mirë dhe të jetojë i lumtur në këtë botë. Lumturisë së tij do ti gëzohem edhe unë.
Nënë, më dhimbseni shumë! Përveç tragjedisë sime, pushimi as për ju, nuk mbeti më pushim, ai u kthye në hidhërim e vuajtje për të gjithë, ndaj keni mirëkuptim dhe ju lutem pafundësisht, më falni!
Kam edhe shumë për të thënë, sidomos tani kur shohë me dëshpërim, fundin e jetës time, por më falë nënë e dashur se frymëmarrja, sapo vije e po më dobësohet dhe rrahjet e zemrës i ndjejë gjithnjë e më rrallë.
Ndaj, dëshirojë pa masë, që në këto çaste të vështira, tu përqafoja të gjithëve për herë të fundit, derisa të vdes në përqafimin tuaj.
Tu përqafoja fort; ty nënë, babin, motrën time të dashur dhe vëllain e vogël, tu thoja secilit se sa shumë ju dua dhe se nuk do t`ju harrojë kurrë.
Por pasi që kjo tanimë është e pamundur për mua, nga këtu ku jam, edhe pa praninë tuaj, me grahmat e fundit të frymëmarrjes time, të gjithë juve të dashurit e mi, përkundër dhimbjeve të mëdha që po më mbysin, para se ato të ma marrin përfundimisht shpirtin tim, të paktën dua tu them një mirë-mbeqi, se unë ika përgjithmonë nga kjo botë.
Nënë....baba..... familja ....ime .....e .....shtrenjtë,.... ju dua shumë...e... tani që më duhet të ndahem ... nga ju... me zemër.... të thyer.. u .... them... përjetësisht..... lamtumirë! E juaja Linda!