Thaçi vs. Gjykata Themelore e Prizrenit, kush po ja huq
Shkruar nga Durim Berisha
Se në Kosovë përdorim standarde speciale saherë që dëshirojmë të gozhdojmë dikënd nuk është më sekret. Se në këtë vend i ka humbë fija çdo gjëje po dëshmohet edhe me kampanjën e fundit rreth ish-punëtorit të Bankës ProCredit. Sikurse çdoherë temat aktualizohen në kurriz të dikujt pa e zbuluar edhe anën tjetër të medaljes.
Sikur të kishte moral shoqëror vite me parë do të fillonin kampanja kundër institucioneve të akredituara të fajdes që po i quajmë banka.
Por kur ato përkrahnin profiterët që sot po na shiten të ndershëm, të shumtë nga ta që kanë zhvatur buxhetin e shtetit tonë apo profiter që janë pasuruar në emër të aktivizmit qytetar përmes fondeve ndërkombëtare heshtnin.
Abdullah Thaçi është dënuar për veprën penale zbulim i fshehtësisë zyrtare e cila në rastin në fjalë lidhet me të drejtën e individit për privatësi.
Ai i ka zbuluar të dhënat personale të një klienti të cilat duhej të ruheshin nga institucioni ku ai punonte në një subjekt politik. Subjektet politike nuk janë organe në të cilat denoncohet krimi, ato janë organizime në të cilat bëhën pazare per realizim interesash. Prandaj në këtë mesele nuk ka moral shoqëror se është denoncuar ndonjë krim.
E keqja më e madhe është kur individi humb besimin në institucionet e shtetit, sidomos në organet e drejtësisë. Dhe më e keqe është kur pjesë e këtij rasti është zbulimi i një keqpërdorimi nga i cili është shkaktuar dëm mbi 60 mijë eurosh.
Nga këndi konstitucionalist, dëmi më i madh i pariparueshëm është shkelja e lirive dhe të drejtave themelore. E këto janë shkelur nga z. Thaçi.
Është çështje tjetër kur shteti që vet çdo ditë ti shkel ato të drejta, këtë herë përmbush një obligim kushtetues. Sikur z. Thaçi të denonconte krimin në prokurori dhe ajo të mos procedohej tutje apo edhe të denohej, çdo reagim do të kishte rezon.
Secili qytetar i këtij vendi duhet të pasqyrojë ndryshimin që dëshiron ta shoh në këtë shtet. Nuk arsyetohet kundërligjshmëria, sidomos nëse synojmë të ndërtojmë një shtet të së drejtës, një shtet kushtetues në të cilin duhet ta kuptojmë se e keqja nuk luftohet në mënyrë të gabuar. Një shtet në të cilin liritë dhe të drejtat themelore janë prioritet shoqëror dhe shtetëror.
Njëkohësisht duhet të kuptojmë se nuk ka logjikë që për çështje juridike e sidomos rreth të drejtave dhe lirive të njeriut të cilat janë çështje komplekse të na gjykojnë laikët.
Gjithologët që e kanë bërë fet në lëmin e tyre të studimeve duhet të kuptojn paditurinë e tyre, sepse në këtë kohë kur padituria profesionale është në kulm ata po bëhen horë me huqjet e tyre.
Sinjalizues nuk janë bashkëpunetorët e partive politike, por ata që e denoncojnë krimin në adresen e duhur. Pra në prokurorinë e shtetit. Prandaj z. Thaçi ja huqi kur shkoi në një subjekt politik me qëllim të denoncimit të krimit.
Ndërsa të tjerët po ja huqin kur po mundohen ta klasifikojnë ndryshe këtë çështje dhe në fakt po e mjegullojnë situatën dhe po shkaktojnë huti. E huqja më e madhe do të ishte indiferenca ndaj rastit kundër zyrtarëve komunal, e që nuk është çudi. Sepse në këtë shoqëri vëmendja ndaj ngjarjeve zgjatë vetëm 3 ditë.
E për fund shpresoj se prapa kësaj buje nuk qëndrojnë bankat tjera të cilat janë sponsor të mediumeve dhe OJQ-ve të caktuara, por se vërtetë tërë kjo fushatë po bazohet në qëllimin human për të përkrahur një qytetar, qëllimi i të cilit ishte fisnik.