Të ndalohet përfundimisht punësimi i shumëfishtë në pozita publike
Shkruar nga Margarita Kadriu
Përderisa Kosova vlerësohet si vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore nuk e kanë fare problem të gjejnë, të zaptojnë dhe të mbajnë deri edhe në gjashtë vende pune , e që paguhen nga buxheti i shtetit.
Nga 4200 zyrtarë të lartë të Kosovës, çdo i treti prej tyre ushtron funksione të shumëfishta. Sipas të dhënave të Agjencisë Kundër Korrupsionit, janë identifikuar mbi 1500 zyrtarë të lartë që ushtrojnë më shumë se një funksion shtetëror e publik.
Derisa shumë zyrtarë të lartë mbajnë nga dy e deri në gjashtë vende pune, pagat e të cilëve, sipas formularëve të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, sillen prej rreth 1 200 euro, deri mbi 2 800 euro në muaj, shkalla e papunësisë dhe e varfërisë në Kosovë është shumë e lartë,por edhe po rritet gjithnjë.
Kosova po vazhdon të ketë politika hipokrite, korruptive e të padrejta të punësimit në sektorin publik dhe kjo falë ndërtimit të një sistemi tepër klientelist dhe zhvatës të buxhetit të shtetit.
Përderisa qindra e mijëra zyrtarëve u është mundësuar të mbajnë nga dy, tri, katër, pesë, gjashtë pozita publike-shtetërore, ndërkohë rrugëve na sillen vërdallë plot të rinj me diploma universitare.
Sipas asaj që është deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, janë të paktën më shumë se dy mijë vende pune që do të liroheshin, nëse do të ndërpritet me ligj punësimi i shumëfishtë në sektorin publik.
Me këtë punësim të shumëfishtë që tejfavorizon një pakicë njerëzish të rrethuar nga luksi, pushteti e paraja, po vazhdojnë të dëmtohen një shumicë e madhe që mezi gjejnë ose nuk gjejnë dot një vend pune për vete dhe familjet e tyre.
Edhe pse mund të kenë kualifikimet e duhura, shkollimin përkatës, është e pamjaftueshme të zësh një pozitë publike, po nuk pate lidhje korruptive e politike.
Zakonisht gjatë çdo fushate zgjedhore partitë politike nga nevoja e madhe për votën e çdo qytetari, i lodhin duke i joshur qytetarët me premtime të rrejshme për hapje të vendeve të reja të punës, me zotimet e tyre për kinse meritokraci, drejtësi, zbatim ligji dhe të kritereve, por sapo hipin në karrigen e pushtetit, premtimet bien në ujë, si gjithmonë gjer më tani.
Pasi draftligji i ri për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit do të jetë shpejt në duart tona, është detyrë jona si deputetë të Kuvendit të Kosovës, si përfaqësues të qytetarëve të këtij vendi, që të ndalojmë përfundimisht dhe përgjithmonë padrejtësitë e tilla, që një zyrtar shteti, kudo qoftë dhe në çfarëdo pozite është, pra duhet ta ketë të ndaluar me ligj rreptësisht të mbajë edhe një punë a pozitë tjetër të dytë në të njëjtën kohë.
Vetëm kështu do të ndalet ky diskriminim i madh ndaj të rinjve dhe familjeve të tyre dhe do tu hapet rruga kuadrove të reja të punësohen sipas aftësive të tyre.