03 Janar 2025

Shteti jofunksional

Shkruar nga Besim Mehmeti

Sot, në këto ditë të shkurtit kur po e ,,festojmë” 7 vjetorin e Pavarsisë së shtetit tonë, 7 vjet të kësaj republike ,,fiktive” në sy të qytetarit, një republike jofunksionale në çdo aspekt dhe në çdo fushë, ku në çdo venë të shtetit po rrjedh gjak, kam frikë se një ditë shumë shpejt do të vdes e tërë republika, edhe ashtu e kanë mundur të shkretën sëmundjet.

Pikërisht, para 8 viteve kur erdhi Pakoja famëkeqe e Ahtisarit në këtë vend, e shikuam me syrin kritik se me të vërtetë kjo pako po e ,,krijon” një shtet jofunksional, dhe kjo po ndodhë çdo ditë e më shumë.

Ne tashmë e kemi harruar këtë pako nga Vjena (edhe pse në atë botë ishim në status quo) në krahasim me të zezat e kësaj pakos së Brukselit që na erdhi në shtatë vjetorin e Pavarësisë.

Për hirë të së vërtetës, duhet thënë se kjo Pako e Ahtisarit nuk pati as një pikë dhe asnjë presje të mirë për Kosovën, përveq fjalës ,,Pavarësi me mbikëqyrje”. Edhe ato pak elemente të shtetësisë që i pati, tashmë këto elemente do të jenë të infektuara me marrëveshjet e fundit dhe me budallallëkun tonë që kemi instaluar virusë në sistemin tonë juridiko-kushtetues të vendit.

Edhe pse mbikëqyrja ndërkombtare u tërhjek me kalimin e kohës, Kosova tashmë realisht ka një mbikëqyrje edhe më të rrezikshme si asnjëherë më parë në historinë e saj, pra nga shteti fqinj Serbia, ku më së miri vërehet më 19 janar 2015 që nuk ishte në gjendje të vendos për pasurinë e vet, brenda territorit të vet – Trepçës, duke e thyer në bosht kurrizor sovranitetin dhe funksionalitetin e kësaj republike.

Atëherë lind pyetja, a është Kosova shtet funksional ?

Ne edhe pse i ofruam minoriteteve, përkatësisht minoritetit serb liri dhe të drejta më shumë se çdo shtet tjetër demokratik në botë, duke i inkuadruar në çdo skutë të institucioneve shtetërore, kjo nuk i mjaftoj Qeverisë së Serbisë që herë pas here përmes mekanizmave të saj legal dhe ilegal që i ka në Kosovë të ndërhyj në rregullimin shtetëror të saj.

Duke përdorur standarde të dyfishta e të dhjetëfishta, gjithnjë në dëm të shumicës shqiptare, ne sot nuk mund të marrim asnjë vendim madhor për shtetin (siq është krijimi i ushtrisë) sepse fati i këtij shteti nuk qëndron tek sovrani por thjesht tek një grusht serb të rebeluar që njëherit janë largëpërçues të politikave të Qeverisë së Serbisë.

Kosova nuk mund të ecë përpara përderisa vullneti i 110 deputetëve të Kuvendit të Kosovës hedhet poshtë nga 10 sosh të minoritetit serb përmes të ashtuquajturës shumicë e dyfishtë, apo të quajtur ndryshe përdorimi i të drejtës së vetos së minoritetit serb ndaj amandamentim-ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve me interes jetik për Kosovën për të cilat shprehimisht për miratimin dhe ndryshimin e tyre parashihet shumica e dyfishtë.

Shembuj nga praktika na flasin më së miri se për vendime të mëdha Kosova duhet të përdorë infuzion nga bashkësia ndërkombtare tek minoriteti serb për shkak të përdorimit të të ,,drejtës së vetos” në vendimmarrjet e mëdha në Kuvend.

Atëherë , a kemi të bëjmë me një shtet normal dhe funksional ?

Natyrisht se jo. As idealistëve të sovranitetit të shtetit dhe as filozofëve të së drejtës nuk u ka shkuar ndërmend ndonjë ide kësi çoroditëse sikur ,,e arkitektit” Ahtisari i cili vuri themelet e një shtëpije jostabile dhe jofunksionale, sidomos reshjet e fundit politike të fundit që herë pas here po vijnë nga Brukseli po rrezikojnë seriozisht shembjen e kësaj shtëpie, edhe ashtu të ndërtuar keq e me mjeshtër të pakualifikuar.

Ky shkrim do të ishte i mangët nëse nuk do t’i kisha përmendur edhe disa njolla të zeza të republikës që ja sjellën ,,bisedimet” e Brukselit, siq është Fondi për Zhvillimin e Veriut, Doganat e Veriut, Komandanti Regjional i Veriut, Gjykatat e Veriut, Asociacioni i Komunave Serbe të Veriut që nuk do të jetë vetëm si një OJQ ashtu siq e ka proklamuar Qeveria në Prishtinë por do të ketë edhe kompetenca ekzekutive sidomos në gjyqësor në propozimin e gjyqëtarëve dhe prokurorëve serb, si dhe mbikëqyrjen e tyre, si dhe do të ketë edhe një statut në formatin e një kushtetute dhe me gjasë se do t’a kenë në menaxhim edhe ,,Trepçën e Veriut” ashtu siq e kan konfirmuar tërthorazi edhe ambasadorët e vendeve të Quintit në Prishtinë.

Kur ja shtojmë këtyre elementeve edhe Mbrojtjen Civile dhe Shërbimin Sekret Serb që aktualisht është aktiv në veri të vendit, atëherë vijmë në një konkluzion të qartë se Veriu i Kosovës përpos ushtrisë (të cilën nuk e ka as Kosova si e tërë që 7 vjet shtet ) i posedon të gjitha elementet për të ekzistuar si shtet me mundësi të lehtë të shkëputjes nga Kosova.

Asociacioni i Komunave Serbe të Veriut në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të injorohet për shkak të kompetencave që do t’i ketë, si dhe pamundësisë së shpërbërjes së këtij institucioni serb nga asnjë autoritet relevant i Republikës së Kosovës duke e përfshi këtu edhe institucionin më të lartë ligjdhënës – Kuvendin, sepse shpërbërja e tij dihet se si bëhet, me votimin e 2/3 të kryetarëve të komunave serbe e nuk ka gjasë me ndodhë asnjëherë.

Për fund, kujtoj se bisedimet në Bruksel edhe de jure po i kontribuojnë shkëputjes reale të pjesës veriore nga pesa e tjetër e Kosovës, andaj me plot kuptimin e fjalës konkludoj se Kosovës sot nuk po funksionon si shtet normal,mos të them se nuk po i vjen era shtet.
 

(Autori është në përfundim të studimeve Postdiplomike të Masterit Kushtetues-Administrativ, si dhe absolvent në Fakultetin e Filologjisë-Dega Letërsi Shqipe në UP)


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)