06 Dhjetor 2024

Shamia

Shkruar nga Ali Mehmeti

Amplifikimi i temës së “shamisë”, edhe kur kundërshtohet kam frikë se i shërben atyre nga tabori tjetër. Por tani, që u deklarua edhe Kryeministri Kurti, iu është hapur rruga edhe të gjithë të tjerëve.

Duke lexuar disa nga postimet, bëhet e qartë se gjithkush po përdor argumente që paraprakisht i përshtaten bindjeve të tyre.

Ata që janë pro shamisë në shkolla, rrahin telin e drejtave fetare dhe njerëzore dhe si shembull marrin Evropën (krishtere) perëndimore ku lejohet shamia nëpër shkolla.

Harrojnë se në këto shtete nuk ekziston rreziku i ndryshimit të karakterit të shoqërisë, për shkak të një numri të vogël të atyre që identifikohen me fe.

Përkundrazi, ky vetidentifikim, diku-diku mund edhe të stimulohet, për të lehtësuar shërbimet e sigurisë të vendeve pritëse që të vejnë nën mbikëqyrje pikat e grumbullimit të tyre, nga ku zakonisht rrjedhin elementë ekstrem, ndonjëherë të gatshëm edhe ta rrezikojnë sigurinë publike.

Në Francë, ku komuniteti mysliman nuk është i pakët dhe ku rreziku i ndryshimit të karakterit të një pjesë të shoqërisë, sado të vogël, nuk mund të neglizhohet, në hapësirat publike është e ndaluar “bartja e shenjave apo veshjeve me të cilat të miturit në mënyrë të dukshme, shfaqin përkatësinë e tyre fetare”, ku shamia gjithsesi merr pjesë (citati nga ligji).

Në arsyetim thuhet se nuk bëhet fjalë për ndalimin e adhurimit dhe mendimit, por për detyrim për ti mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga disa dogma, sidomos përsa i përket veshjes së tyre.   
 
Argumenti tjetër: po edhe nënat tona kanë mbajtur shamia, po ashtu nuk qëndron.

Nëna ime, edhe pse ka vijuar mejtepin në vitet 30-ta të shekullit të shkuar, nuk mbaj mend se ka mbajtur shami, përveç kur ka qenë në kuzhinë, sikur mjet higjienik, apo dimrit sikur mjet kundër të ftohtit.

Këta që sot kërkojnë shamia nuk besoj se kanë më shumë edukatë fetare sesa që kishte nëna ime?! Apo ndoshta mësuesi (hoxha) i atëhershëm ishte më bashkëkohor sesa këta të sotshmit?

Por, edhe ato shamia që kanë mbajtur nënat tona, nuk kanë asgjë të përbashkët me këto shamia që kërkohen sot, as për nga pamja, as për nga porosia që përçojnë, as për nga tradita.

Aq më pak janë të mbështetura në dukjen e veshjeve tona kombëtare nga cilido vis shqiptar.  

Ata më naivët, pa sherr dhe besimtarët e vërtet, sepse me ata të tjerët nuk merrem, që besojnë se shamia është veçse një simbol, gabojnë rëndë.

Le të shkojnë në Bash Çarshi të Sarajevës, ku unë isha para dy viteve, dhe do ta shohin një qytet që më shumë i ngjanë ndonjë qyteti të Afganistanit sesa asaj Sarajeve, ku në vitin 1984 u mbajt Olimpiada Botërore në sportet dimërore. Për këtë ndryshim karakteri shoqëror e kam fjalën.

Nuk besoj se shumica prej tyre do donin ta shohin Prishtinën sikur Kandaharin. Shamia është maja e akullnajës (Ajsbergut) – pjesa që nuk shihet është shumë më e madhe dhe më e thellë.

Pyetja që po shtrohet rreth shamisë është çështje civilizuese, kulturore, arsimore, politike dhe mbi të gjitha çështje e interesit kombëtar.

Arsyetimi, pse është e tillë, do merrte shumë ngjyrë për shkrim, prandaj nuk po i hy asaj pune.  

Këto diskutime mund të janë edhe të dobishme nëse rezultojnë me një ligjësim sa më të shpejt dhe të qartë.

Për të qenë i tillë do të ketë nevojë për një pajtueshmëri mes pozitës dhe opozitës që në këtë temë mos të peshkojnë vota.

Në këtë rast vendimi do jetë i lehtë, sepse jam i sigurt që së paku 90% të deputetëve shqiptarë janë për mbrojtje të fëmijëve dhe adoleshentëve nga dogmat fetare të manifestuara, përveç tjerash, edhe me veshje.

Por, lakmia për vota, kam frikë, do mundësoj vetëm pajtueshmëri deklarative, kurse prapa shpine do vazhdojnë t’iu vardisen asaj kategorie të votuesve që janë kundër këtij ligjësimi, që shkon në favor të mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve.

Kjo mund të nuhatet edhe nga fakti se shumica e politikanëve gjer me tani janë përmbajtur nga deklarimi publik.

Por, tani që u deklarua Kryeministri Kurti, besoj se do të “detyrohen” edhe të tjerët.

Nëse vlen thënia se “kompromisi është i mirë nëse asnjëra palë nuk është e kënaqur”, atëherë Kurti e ka gjetur kompromisin, duke propozuar moshën 16 vjeçare deri kur do të vlej ndalesa e bartjes së shamisë.

Çfarëdo që propozon Kurti dhe Qeveria e tij, vendimi do varet nga Kuvendi. Në këtë temë nuk ekziston ai kompromis që do mund ti pajtoj të gjithë deputetët e LVV-së, e lere më edhe ata të koalicionit, që ky ligjësim të bëhet pa opozitën. Prandaj, marrëveshja me opozitën është e domosdoshme.

Të shpresojmë se do jetë e sinqertë. Nëse opozita vazhdon me heshtje për këtë temë, atëherë duhet sjell një projektligj në Kuvend kur nuk do mund të heshtin më tutje. Nëse edhe atëherë nuk do refuzojnë të votojnë?!

Personalisht mendoj se ndalesa duhet të vlej për “të mitur”, pra gjer në moshën 18 vjeçare.

Deri në këtë moshë, shkolla duhet ta bëj të vetën me arsimim të mirëfilltë. Respektivisht, ta “RIZGJOJ ATDHEDASHURINË” – siç thotë Kadareja.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)