09 Janar 2025

Roli i Gjermanisë në sistemin ndërkombëtar

Shkruar nga Albert Ramadani

Aneksimi i Krimesë nga Rusia, si dhe shpërthimi i konfliktit të armatosur në Ukrainë, shënojnë prishjen e status quo-së së vendosur në marrëdhëniet ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Dinamika e zhvillimit të krizës, si dhe ndërveprimit ndërmjet aktorëve dhe faktorëve të përfshirë në të, ka nxjerrë në pah disa zhvillime, në lidhje me rolin e Gjermanisë në sistemin ndërkombëtar.

Për herë të parë, Gjermania ka marrë rolin kryesor në menaxhimin e një krize, e cila për nga kompleksiteti dhe rrezikshmëria që mbart mund të përcaktohet si më e vështira që pas Luftës së Ftohtë.

Dalja nga pozicioni pasiv dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i saj në krizën ukrainase janë treguesi më i qartë i vullnetit të Gjermanisë për të pasur një rol proaktiv dhe më të dukshëm në arenën ndërkombëtare.

I pari që e artikuloi publikisht nevojën për një rol të ri të Gjermanisë në realitetin e sotshëm global ishte presidenti Joachim Gauck, gjatë fjalimit të mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Mynih (2014), ku ai foli qartë, mbi atë që ai e cilësoi si ndryshim mentaliteti të politikës së jashtme gjermane nëpërmjet marrjes së përgjegjësive më të mëdha nga Gjermania, duke përfshirë këtu edhe një angazhim më të madh në fushën ushtarake, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët e saj, NATO-n, SHBA-në dhe BE-në.

Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe personalitete të tjera të larta të politikës gjermane, të cilët bënë thirrje për një rol më aktiv të Gjermanisë në sistemin ndërkombëtar.

Angazhimi i Gjermanisë për ruajtjen e paqes në disa zona të Afrikës duke dërguar edhe trupa ushtarake (rasti i Malit) apo edhe marrja e një roli drejtues në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke nxitur procesin e integrimit të tyre në BE, duhen parë si pasqyrim i këtij mentaliteti të ri në politikën e jashtme gjermane.

Marrja e rolit drejtues në menaxhimin e krizës ukrainase, ndër të tjera, është edhe shprehje e vullnetit dhe maturisë së politikës së jashtme gjermane për t’u përfshirë dhe për të kontribuar më shumë në ruajtjen e rendit ndërkombëtar, madje edhe në kriza komplekse e me rrezikshmëri të lartë.

Megjithatë, duhet theksuar fakti, që marrja e këtij roli nuk erdhi vetëm si rrjedhojë e vullnetit të Gjermanisë, por edhe si rrjedhojë e bashkëveprimit dhe kombinimit të disa faktorëve: 1) Marrëdhënia me aleatët, sidomos me SHBA-në. Roli drejtues i Gjermanisë në menaxhimin e krizës ukrainase do të ishte i pamundur pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së.

Veprimet e saj të deritanishme janë bërë në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me mbështetjen e vendeve kryesore të BE-së, duke e bërë atë, në një masë të caktuar, edhe përfaqësuese të pozicionit të Perëndimit në lidhje me krizën ukrainase.

Amerika duket e kënaqur me këtë rol të Gjermanisë edhe sepse tashmë mund të ndajë barrën ekonomike e politike të menaxhimit të krizave nëpër botë me një partner të qëndrueshëm.

Nëse i referohemi fjalimit të George H. W. Bush, të mbajtur më 31 maj 1989 në Mainz, mbi të ardhmen e marrëdhënieve amerikano-gjermane, ku u theksua ideja e një partneriteti në lidership (partners in leadership), mund të themi, se ky rol i Gjermanisë në Europë ka qenë pjesë e pritshmërive amerikane, madje edhe është mbështetur prej tyre.

Kjo marrëdhënie partneriteti strategjik mes dy vendeve, pavarësisht skandalit të përgjimeve, u rikonfirmua jo vetëm në koordinimin dhe bashkëpunimin e tyre të ngushtë në krizën aktuale në Ukrainë, por edhe së fundmi gjatë samitit të G7. 2) Statusi aktual i Gjermanisë në BE.

Që prej ribashkimit (1990) Gjermania gradualisht u shndërrua në ekonominë më të madhe dhe më të fortë të Europës, duke e rritur dukshëm peshën e saj specifike jo vetëm brenda BE-së, por edhe më gjerë.

Kriza ekonomike që mbërtheu BE-në goditi rëndë disa prej ekonomive më të mëdha të saj, duke bërë që disa prej tyre të kalonin edhe në recesion. Modeli ekonomik gjerman u provua si rezistent ndaj kësaj krize.

Ekonomia gjermane, e bazuar kryesisht tek eksportet, ruajti një rritje të qëndrueshme. Performanca ekonomike pozitive bëri që Gjermania të merrte rol drejtues në menaxhimin e krizës, jo vetëm në rrafshin ekonomik, por edhe në atë politik. 3) “Mittellage”.

Pozita gjeografike qendrore e Gjermanisë, ndryshe e njohur si “Mittellage”, e bënte të pamundur mosangazhimin e saj përballë përshkallëzimit të krizës në Ukrainë.

Kjo, pasi rishfaqja e karakterit dhe veprimeve imperialiste te Rusia nëpërmjet aneksimit të dhunshëm të Krimesë, si dhe qasja e saj agresive përkundrejt fqinjëve rrezikon paqen në Europë, si dhe të gjithë rendin gjeopolitik në lindje të Gjermanisë.

Destabilizimi i këtyre zonave do të përbënte rrezik jo vetëm për sigurinë kombëtare të Gjermanisë, por edhe për prosperitetin e saj ekonomik. Në tërësinë e eksporteve gjermane një pjesë jo e vogël e tyre kanë si destinacion tregjet e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore.

Nga ky këndvështrim stabiliteti politik dhe prosperiteti ekonomik i tyre janë për Gjermaninë tepër të rëndësishëm për ruajtjen e bilancit pozitiv në shkëmbimet e saj tregtare dhe për rrjedhojë, ruajtjen e statusit të saj aktual në Europë.

Nga ana tjetër, Rusia nuk është vetëm një prej furnizuesve kryesorë të industrisë gjermane me gaz dhe naftë, por në të njëjtën kohë, ajo ka edhe potencialin për të kërcënuar seriozisht sigurinë e Gjermanisë.

Për këtë arsye, Gjermania është përpjekur dhe ia ka arritur me sukses të mbajë Rusinë të ulur në tryezën diplomatike, duke mos e lejuar kalimin e konfliktit në fushën ushtarake, aty ku Rusia ka avantazh.

Ky sukses i Gjermanisë ka ardhur falë aftësisë së saj, sidomos politikës së saj të jashtme, për të ndërthurur në mënyrë efektive fuqinë ekonomike me diplomacinë.

Krahas kësaj aftësie, kriza ukrainase ka nxjerrë në pah një dobësi të politikës së jashtme, rajonale dhe globale gjermane: dimensionin ushtarak të saj.

Për shkak të së shkuarës dhe pozicionimit të saj si fuqi civile, Gjermania shfaqet shumë e tërhequr kur diskutohet një angazhim i shtuar në fushën ushtarake, edhe kur kjo i kërkohet nga partnerët dhe aleatët e saj.

Rasti i fundit është qëndrimi i SHBA-së për të rritur ndihmën ushtarake për Ukrainën, qëndrim ky, që dukshëm nuk është pranuar nga kancelarja Merkel edhe për shkak të drojës nga një acarim i mëtejshëm i marrëdhënieve me Rusinë.

Ky disproporcion ndërmjet fuqisë ekonomike e diplomatike nga njëra anë dhe asaj ushtarake nga ana tjetër përbën një prej dobësive më të mëdha të politikës së jashtme gjermane, veçanërisht në një kohë kur Gjermania po përpiqet të ketë një rol më proaktiv në sistemin ndërkombëtar.

Forcimi i dimensionit ushtarak në bashkëpunim të ngushtë me partnerët kryesorë (SHBA, NATO dhe BE) mbetet një parakusht i rëndësishëm në procesin e ndryshimit të mentalitetit të politikës së jashtme gjermane.

Përmbushja e tij do t’i lejonte Gjermanisë të luante një rol më të madh dhe t’i përgjigjej në mënyrë më efektive krizave që kërcënojnë paqen ndërkombëtare.

Për aq kohë sa ky parakusht nuk do të përmbushet, politika e jashtme gjermane do të ngelet, ashtu si George Friedman e përcakton, “shumë e fortë për t’u injoruar dhe shumë e dobët për të imponuar vullnetin e saj.”

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)