Republika e sundimtarëve
Shkruar nga Margarita Kadriu
Para shtatë vjetësh, në të ftohtin e shkurtit 2008, sheshet dhe rrugët e Kosovës u mbushën plot me njerëz fytyrëndritur. Entuziazëm i papërshkruar gjithandej vendit, festë e madhe, gëzonte i madh e i vogël. Pas shumë përpjekjeve, sakrificave, ëndrra e dëshmorëve po bëhej realitet.
Pavarësia erdhi më 17 shkurt, pasi përjetuam pasojat e rënda të luftës, vrasjeve, masakrave, djegieve e shkatërrimeve të tëra, eksodit të mbi një milion shqiptarëve, zhdukjes së më të dashurve, për fatin e të cilëve as sot nuk kemi asnjë informacion.
Shteti u krijua, por sfida e vërtetë fillonte pikërisht me marrjen e përgjegjësive të plota për të qeverisur vetë.
Qindra mijëra njerëz që kremtonin shpalljen e pavarësisë, ndiheshin të lumtur për shtetin e tyre, por me siguri që nuk e kishin imagjinuar që, pas shtatë vjetësh, Republika e tyre do të degradohej kaq fort. Kosovën, sot, mediet evropiane e portretizojnë si një shtet të sundimtarëve, ku nëse nuk je pjesë e klaneve, nuk ke të ardhme.
Orteku i të pakënaqurve nga regjimi autoritar e i korruptuar, ka vërshuar rrugët e emigracionit ilegal duke na rikthyer fatkeqësisht në vitin 1999.
Atëbotë iknin nga dhuna e gjenocidi i Serbisë fashiste, kurse tani largohen, duke ikur të dëshpëruar keq me udhëheqjen e shtetit, të cilin me padurim e pritën mbi 100 vite.
Për shtatë vjet, ky popull shpresoi se vërtet do të bëhej më mirë për të gjithë, do të kishte drejtësi dhe barazi të plotë, sundim të ligjit dhe mirëqenie për të gjithë, por asnjëri prej këtyre objektivave themelore nuk u përmbushën.
Dy partitë e mëdha, që sikur sot, edhe atëherë para shtatë vjetësh, u gjendën në koalicion, u brengosën për ndarjen e posteve, tenderëve, ryshfeteve, përfitimeve të paligjshme, por jo edhe për zhvillimin ekonomik dhe punësimin e mirëqenien e qytetarëve në Republikën e Kosovës.
Ata që e bënë luftën, duke qenë në krye të shtetit, shpejt i harruan krejtësisht idealet e dikurshme për liri, pavarësi, drejtësi e demokraci.
Ndërkaq që partnerët e tyre pacifistë u kënaqën shpejt me përmbushjen e interesave e tyre të ngushta dhe heshtën.
Pasi që së bashku e rrokën pushtetin, në të gjitha fijet e tij, skishte gjë që i ndalte drejt degradimit të shtetit. Liderët me klanet e tyre shtonin milionat pandalshëm, ndërsa shumica varfërohej nga dita në ditë, gjithashtu pandalshëm.
Në vitin 2015, historia vetëm mund të përsëritet, fatkeqësisht, ndoshta në përmasa edhe më dramatike.
Qindra-mijëra qytetarë e kanë lëshuar Kosovën gjatë muajve të fundit. Në mesin e tyre, ka shumë që i përkasin shtresës së mesme, nëse mund të ketë mbetur një e tillë këtu te ne.
Varfëria në fakt ka pllakosur rëndë edhe këtë ish-kategori, duke e shndërruar atë në shtresën e të mjerëve. Kosova, sot, më së paku është shtet social.
Qeveria ka në plan tua falë borxhet milionëshe bizneseve, që kanë bërë evazion të rëndë fiskal për shume vite, ndërsa për pesë euro, një familjeje që mezi mbijeton, kompania e privatizuar e shpërndarjes së energjisë, ia ndërpret furnizimin.
Në mungesë të perspektivës, me shpresën e rrënuar nga sundimtarët kosovarë, familje të tëra po provojnë rrugën drejt Perëndimit, për të siguruar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre.
Me një klasë politike totalisht të papërgjegjshme, normaliteti në këtë vend është bërë i pamundur.
Mund të jesh nxënës i shkëlqyer, talent i rrallë, të kesh rezultate maksimale, diploma e tituj, por për fatin tënd vendosin vetëm ata-SUNDIMTARËT.
Nëse nuk je pjesë e bandave të tyre, klaneve, karteleve apo grupeve të interesit që ua mbajnë bizneset, je i pashpresë fare.
Me diploma në xhep, plot kosovarë po largohen, sepse nuk kanë një punë dhe më kot presin prej shumë vitesh.
Konkurset janë vetëm formale, ndërsa administrata shtetërore, është e stërmbushur me profanë, analfabetë me diplomë, që si për ironi të fatit, marrin edhe shtesa për kinse kapacitetet profesionale.
Nuk ka institucion, që i ka shpëtuar këtij regresi e degradimi, si pasojë e përqendrimit të pushtetit në duart e oligarkëve mafiozë dhe rrënimit të çdo kriteri ligjor, etik e moral.
Pikërisht, për shkak të këtij keqadministrimi për shumë vite, thuajse asgjë nuk funksionon si duhet dhe me ligj, llogaridhënia për pushtetarët dhe politikanët nuk ekziston fare në këtë vend, ndërsa rrjeti që kanë instaluar sunduesit e shtetit, na zhvat sa mundet dhe pandalshëm.
Pasoja të rënda po vuan edhe sipërmarrja e ndershme dhe e ligjshme, që paguan taksa dhe hap vende të reja pune.
Nëse nuk përfshihesh në rrjetin kriminal të pushtetit, mbijetesa është shume e zorshme, sepse sundimtarët ti ndërsejnë zyrtarët si zagarët, duke detyruar bizneset serioze ta rishikojnë pozicionin e tyre, të mbyllen fare ose të zhvendosen në vendet fqinje, siç po bëjnë disa kohët e fundit.
Politikanët pashallarë të Kosovës, prej vitesh i kanë kompanitë e veta dhe kushdo që u afrohet në territorin monopolistik të veprimtarisë, e pëson tepër keq.
Me një fjalë, pas shtatë vjetësh shtet, e tërë Kosova, duhet të punojë për interesin e sunduesve të saj dhe oligarkëve të tyre, të familjarëve e miqve të tyre, të cilët jetojnë në luks, numërojnë milionat, ndërsa populli vdes urie në Suboticë, në kampet e Hungarisë, Austrisë dhe të Gjermanisë.
Falë një drejtësie të kapur deri në fyt, të zbehtë e të pafuqishme, të inkriminuar e të korruptuar, shpërdoruesit e buxhetit, abuzuesit e pushtetit, rrënuesit e demokracisë, mbeten ende të paprekshëm.
Ata po e mbajnë peng të ardhmen tonë të përbashkët, perspektivën e fëmijëve tanë, prandaj duhet ta luftojmë këtë të keqe të madhe që ka zënë rrënjë thellë, në çdo qelizë të Republikës sonë.
I madh e i vogël, duhet të ngrihemi kundër mashtrimit që na është bërë, kundër zhvatjes, kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Edhe sundimtarët e Kosovës, si të gjithë sundimtarët e çdo kohe, një ditë do të japin llogari para drejtësisë. Mos ti lëmë të na e vjedhin të ardhmen tonë të përbashkët, sepse të tashmen veç na e kanë përbaltur e nëpërkëmbur.
(Autorja është deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës)