Profili i politikanit të suksesshëm sot
Shkruar nga Avni Tafili
Një politikan sot konsiderohet i suksesshëm nëse ai mbledh rreth vetes turma njerëzish, pa konsideruar se çfarë vlera tubojnë ato turma njerëzish.
Është i suksesshëm kur ai tubon vota me shumicë, pa pyetur nëse votat që mblodhi, janë vota të dorës së lirë apo dorës se shtrënguar.
Një politikan që di të gënjejë dhe të mos i skuqet fytyra.
Që është në gjendje të ndryshojë qëndrimet brenda një ndeje, sa duke pirë një kafe.
Ai politikan që rri e përzihet me popull, duke qenë hajdut i tij. I qesh njerëzve përreth, ndërsa zemra e tij duke nxjerrë flakë kundër tyre.
Ky është politikani, i cili vlerësohet. Që sponsorizohet e ndihmohet.
Por jo nga njerëzit e lirë! Jo nga njerëzit që bartin vlera e parime; njerëz që nuk e shesin veten e nderin e saj për kafshatën e gojës. E as sikur ti jepej gjithçka që sheh syri e dëgjon veshi.
Këta politikanë, të suksesshëm, janë armiq të vetes, para se të jenë të të tjerëve. Kanë një jetë, dhe atë jetë e bëjnë si mos më keq. Sjanë të lirë as brenda vetes së tyre.
Sa keq për ta, e sa keq për ata që i çmojnë dhe iu shkojnë pas.