09 Janar 2025

Prapë Gërmija

Prapë Gërmija

Shkruar nga arch. Ylber Vokshi -Ylli

(“Qendra për punë protokollare dhe administrative” në Gërmi)

Çdo tendencë apo “ide e re”se si do t’i ndërrohej destinimi i objektit të filluar pa leje ndërtimi në mars të vitit 2005,  “Qendra për punë protokollare dhe administrative” në Gërmi, do të ishte gabim i madh hapësinor dhe urban, të cilin gjeneratat e ardhshme nuk do të na falnin pasi do të vepronim kundër të gjitha parimeve aktuale në fushën e urbanistikës dhe mbrojtjes së mjedisit.

Me u shprehur troç,  as që ishin e as që janë kërkesat e reja në kohën e fundit,  në harmoni me dokumentet aktuale hapësinore dhe urbanistike të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, të cilat duhemi me i respektuar.

Për korrektësi të opinionit publik po e përsëris edhe një herë shkrimin tim të para disa viteve, paksa të modifikuar,  ku haptas isha kundërshtar i madh i shfrytëzimit të hapësirave të Gërmisë  për ndërtime të ndryshme të pa planifikuara. Aty tregohet se ky objekt nuk e ka pasur vendin aty, e njëjta vlen edhe për funksione (objekte) tjera.

Gërmija duhet të mbetet pasuri natyrore e Kosovës dhe e Prishtinës, ashtu parashihet edhe në Dokumentet Hapësinore si dhe së fundmi në “Propozimin profesional të MMPH të vitit 2015 për ri-kategorizimin e Parkut Regjional Natyror “Gërmia” në kategorinë Peizazh i Mbrojtur”.

Ende e kamë në kujtesë foton nga shtypi ditor i tetorit 2005 nga një vizitë e objektit në ndërtim “ Qendra për punë protokollare dhe administrative” në Gërmi – Prishtinë. Deklaratat bombastike të zyrtarëve të lartë të pushtetit qendror dhe ati lokal të asaj kohe ishin në stilin:

·    “Disa risi në shoqëri është normale që absorbohen me vështirësi por forcat që duan të bëhen lokomotivë e proceseve do të ecin përpara sigurisht duke respektuar ligjshmërinë që është primare.” – ish Krye-parlamentari z.Nexhat Daci.

·    “Objekti është plotësisht legal sipas të gjithë parametrave”,  ish Ministër në MMPH  z.Ardian Gjini.

·    “Nuk na mjafton që të kemi hapësira LIVADHESH por duhet ti funksionalizojmë këto hapësira, - Kryetar i KK Prishtinë z.Ismet Beqiri.

Ajo çka NUK ishte respektuar ishte pikërisht ligjshmëria në rastin konkret pasi Ligji i Planifikimit Hapësinor i nënshkruar nga vet dora e Krye-parlamentarit të atëhershëm z. Nexhat Daci, në rastin e përgatitjes  së  projektit – investimit nuk ishte marr në konsideratë, duke e instaluar praktikën e “privatizimit politik” të hapësirave publike, e sot pas dhjetë vite na del në opinion me “disa”arsyetime jo serioze dhe jo të qëndrueshme !

Këta zyrtar sot i kanë humbur pozitat e larta shtetërore por objekti i pa përfunduar ka mbetur ende aty në atë lokacion, pengon, që dhjetë vite është degraduar e shkatërruar në masë të madhe. përkundër reagimeve të pakta publike dhe individuale si ishte rasti imë, me tendencë për ta mënjanuar.

Në qershor 2006 më dëftuan me vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që të ju rekomandojnë deputetëve që të miratojnë vazhdimin e ndërtimeve.

Edhe në vitin 2008, formohet një grup i ri punues për të rishikuar gjendjen aktuale në këtë objekt,  edhe së kishte një ekspertizë profesionale nga legjislatura e kaluar,  për shpenzimet e pa kontrolluara të mjeteve materiale të taksapaguesve Kosovar.

    Faktet-dokumentet flasin ndryshe:Duke ju referuar ”Plani Strategjik 2004-2020”,  i cili nuk ka respektuar ligjet aktuale të Kosovës (LPH). Njëra nga tri çështjet kryesore është “Pylli i Qytetit” të Prishtinës apo Pylli i Gërmisë  që do të përbëhej nga” zonat për sport dhe rekreim...., zonat për edukim-arsim në natyrë dhe ekspedita...., shtigjet natyrore dhe pikat e vështrimit..., liqet për peshkim...., dhe restorantet malore, kafenetë me kusht që të integrohen në Pyllin e Prishtinë.(gjegjësisht të jenë si servise përcjellëse të përmbajtjeve të lart përmendura)

Banorët e kryeqytetit e kanë të vetmin vend për rekreacionin,   shkarkime nga frustrimet shpirtërore dhe mekanike nga përditshmëria monotone nga anarkia urbane e imponuar nga lëvizja e pa kontrolluar e popullsisë si dhe nga lejimi i ndërtimeve pa leje pas luftës.

Si do të relaksohën ata me zhurmën e sirenave zyrtare dhe diplomatike të zyrtarëve të ndryshëm të vetmes rrugë për qendrën rekreative të Gërmis,  në drejtim të kompleksit të përmendur.

Çka me bllokimin e rrugës së vetme, për diplomatët dhe personalitet e rëndësishëm që do të vizitojnë Kosovën në të ardhmen, e të cilëve duhet siguruar një rehati dhe qetësi optimale.

A mundet kjo të arrihet me vazhdimin e punimeve në këtë kompleks që është i domosdoshëm për shtetin e Kosovës,  me siguri se jo në këtë lokacion.

Është i domosdoshëm një kompleks i tillë ekskluzive për nevojat e organeve shtetërore të Kosovës. Lokacioni do të duhej të ishte i definuar me ekskluzivitet politik të cilin duhemi ta respektojmë për interesa ma të larta.

Lokacione të tilla  ka në Kosovë afër kryeqendrës–Prishtinës, kanë ekzistuar ma parë dhe ka mundësi hulumtimi për lokacione të reja ekskluzive, për strukturat politike shtetërore në Planin e ri Hapësinor të Kosovës 2010 - 2020+.

Politikanëve të cilëve ju është dedikuar ky lloj objekti, duhet të kishin një qetësi relative,  pas punëve të ndryshme në veprimtarit e tyre për të cilat kanë marr mandatin e votuesve në shtetet e tyre, ju duhet një qetësi shpirtërore. Me siguri nevojitet një diskresion minimal të cilin nuk e mundëson lokacioni në të cilin ka filluar ndërtimi para dhjetë viteve.
 
Pretendimi të zyrtarizohet, legalizohet një krijesë e tillë apo e ngjashme,  do të ishte shkelje flagrante e të drejtave të njeriut,  si rrjedhojë e mos respektimit të ligjeve, normave dhe standardeve në fushën e planifikimit hapësinor dhe të ati urban të cilat i ka aprovuar vetë Kuvendi i Kosovës.

Shtrohet pyetja ku do të ishte vendi i një kompleksi të mbyllur ekskluziv politik në kompleksin e “Peizazhit të Mbrojtur të Prishtinës”-Gërmisë pasi “Qendra për punë protokollare dhe administrative” me siguri nuk e ka vendin aty.

Ka shumë lokacione për këtë lloj të destinimit dhe do të ishte dështim profesional dhe shtetëror nëse përcaktohemi për një lokacion i cili do të ishte i dëmshëm për të gjithë ne, edhe se duhet paguar tagrin e qeverisjes së keqe për të cilën dikush ma në fund duhet të jep përgjegjësi në shtetin e Kosovës.

Përse tentohet të shkatërrohet një kompleks rekreativ për banorët e kryeqytetit e më gjerë,  ku të gjithë do të ishim humbës të mëdhenj,  pos interesave të atëhershme personale,  qe shumë lehtë munden me u konstatuat nga ana e ekspertëve të mirëfilltë.

A mundet të përfundohet një objekt-kompleks apo t’i ndërrohet destinomi,  i cili do të ketë pasoja të pa riparueshme në natyrë dhe për tërë shoqërinë kosovare ? Duke marrë parasysh dëmet të cilat do të ia shkaktojmë interesit të përgjithshëm të kësaj shoqërie, afro 2 milion euro të shpenzuara, ajo hapësirë duhet me ia kthye natyrës.

Nuk jemi shoqëri e pasur për të gjuajtur para por parregullsitë në fillimin e ndërtimit të objektit duhet të trajtojnë organet e autorizuara, çka disa herë pa sukses është tentuar.

Gërmija duhet të jetë një pasuri e të gjithë neve,  e jo një privilegj grupeve politike të ndryshme pasi për këto lloje të domosdoshme të rezidencave ka lokacione të shumta ma adekuate, duke ju referuar dokumenteve të shumta hapësinore dhe urbane që ekzistojnë në Kosovë.

 
Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)