Për ata që vazhdojnë ta quajnë UÇK-në terroriste
Shkruar nga Jakup Krasniqi
Me shkas nga deklarimet e një deputeteje të Bundestagut me origjinë turke.
Ka kohë që krejt padrejtësisht, pas pesëmbëdhjetë/gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po etiketohet me cilësorin terroriste.
Në fillimet e saj UÇK-ja është quajtur terroriste nga një regjim, i cili në mënyrë sistematike, për dekada me radhë, kishte vepruar mbi bazën e një politike të planifikuar e të programuar për të ushtruar gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare, që ishin të pushtuara nga ish-Federata Jugosllave. Pra, është quajtur terroriste nga një regjim që ushtroi gjenocid në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë dhe i cili regjim me të drejtë është luftuar nga e gjithë bota demokratike.
Ndoshta për deputeten e Bundestagut me origjinë turke, terrorist është çdo shtet anëtar i NATO-s për shkak të antiamerikanizmit që e ka e majta ekstreme, por të quhet Terroriste Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pse bëri luftë çlirimtare kundër një regjimi barbar, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja: çfarë vlerash shoqërore mbron ai orientim ideologjik në botën demokratike? Është një e vërtetë e madhe se shumica e popujve në botë kanë kaluar nëpër atë rrugë, madje edhe Turqia moderne e Ataturkut ka dalë nga një luftë e tillë! Një gjë më duhet të konfirmoj, jo vetëm një jetë, por edhe 500 jetë pas kësaj po ti kishim, luftën çlirimtare për shqiptarizmin e rilindësve nuk do ta pushonim. E përsëris, vetëm për shqiptarizmin e rilindësve (themeluesve të kombit shqiptar) dhe për asnjë ideologji tjetër!
Dikush fare lehtë mund të thotë, siç po thuhet nga brenda e jashtë Kosovës, se institucionet e Kosovës së pavarur e sovrane nuk po e luftojnë krimin e korrupsionin dhe fajtor për këtë na qenkan komandantët e UÇK-së, ose njerëzit, që më votën e lirë me origjinë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, na qenkan përgjegjës?! Unë nuk do ti marr në mbrojtje qeveritarët e Kosovës të pas luftës, qofshin ata me origjinë ushtarake apo pacifiste (pasi të dy palët kanë qeverisur qe 15-16 vjet) dhe që të dy palët kanë qeverisur e bashkëqeverisur keq, madje do të thosha edhe tepër keq.
Nga padituria dhe papërgjegjësia e tyre si dhe nga prirjae tyre për të qeverisur me njerëzit, me ekonominë dhe pasuritë e vendit na kanë lënë në pozita inferiore, mbase edhe mjerane. Por kjo nuk i jep askujt të drejtë, as në Kosovë, që nostalgjikëve të bashkim vëllazërimite as të atyre jashtë saj, që të gjitha fajet e 16 viteve të pasluftës, ti adresohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adresimi i problemeve me këtë thjerrëz apo optikë politike pa dyshim që është diagnostifikim i gabueshëm dhe pa asnjë dyshim pacienti nuk mund të ketë shërim! Pse po kërkohet me çdo kusht vdekja e pacientit? Kujt i duhet kjo?
Nëse njerëzit e veshur me fuqinë e pushtetit të dalë nga zgjedhjet e lira, të cilat ishin të menaxhuara nga komuniteti ndërkombëtar ( OSBE-ja evropiane), gjatë këtyre 15-16 viteve kanë qeverisur keq edhe me ligjet e miratuara (diktuara) nga ata (pra, ndërkombëtarët), atëherë cila është arsyeja që të gjitha fajet ti adresohen vetëm Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mbylli historinë e saj më 21/22 qershor 1999? Ngjarjet, cilat do qofshin ato të ndodhura pas kësaj date, nuk mund ti veshën UCK-së. Të gjithë e dimë, se në asnjë qeverisje, shumësia e qeveritarëve nuk ka qenë nga Lëvizja Kombëtare për Çlirim, përkundrazi shumica kanë qenë me origjinë tjetër! Madje as qeveria e sotme as nuk udhëhiqet dhe as nuk ka ndonjë numër të rëndësishëm që i përket asaj origjine. Në institucionet e sotme të Republikës së Kosovës, me origjinë nga UÇK-ja kemi vetëm Kryetarin e Kuvendit dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm.
Epo, ndërkombëtarë të nderuar, ky ka qenë vullneti juaj i realizuar nga Hashim Thaçi, të cilin e mbështetët pa hezituar edhe në bisedimet tepër të dëmshme të zhvilluara për tri e më shumë vjet në Bruksel. Bisedime që shtetin e Kosovës tashmë e kanë bërë goxha jofunksional. Në ato bisedime ia keni arritur që më pak se 5 për qind e popullsisë së Kosovës tia imponojë dhe tia dirigjojë jetën shumicës, të përbërë me më se 95 për qindtë popullsisë së Kosovës! Bisedime që Serbinë e kanë bërë hisedare të fuqishme të jetës institucionale dhe ekonomike të Kosovës përmes Listës Serbe! Çfarë demokracie është kjo dhe ku tjetër është e instaluar? Rrjedhimisht, a kemi një precedent të tillë diku gjetkë në rruzullin tokësor? Nëse keni të bëni me krimin (politik e ekonomik), korrupsionin, trafiqet e ndaluara, me keq menaxhimin e pasurisë kombëtare te pas luftës, ketë e keni pasur mundësinë ta bënit gjatë gjithë këtyre viteve. Pse nuk e betë?
Së këndejmi, ne, luftëtarët e lirisë, të pavarësisë e të demokracisë nuk mund të pajtohemi, kur deputetë e zyrtarë të ndryshëm nga BE-ja e vlerave demokratike, UÇK-në e quajnë terroriste e në të njëjtën kohë bëhen mbështetës të regjimit kriminal të Millosheviqit, i cili ka udhëhequr e ushtruar gjenocid të programuar me qëllim të pastrimit etnik të Kosovës. Edhe ne, luftëtarët kombëtarë të Kosovës, sipas një analogjie të thjeshtë, këta njerëz mund ti quajmë kriminelë e terroristë pasi mbështesin regjimin gjenocidal të Millosheviqit, pasi ata njerëz me origjinë politike të së majtës ekstreme, ishin mbështetës të tij edhe në kohën e bombardimeve të NATO-s në Kosovë.
Për ne shqiptarët liridashës e socialdemokratë nuk mund të jenë terroristë ata që ia vunë gjokset regjimit të Millosheviqit dhe demokratë ata që i mbështeten barbaritë e tij dhe iu kundërvunë botës demokratike, me SHBA-të në krye, pse po e luftonin regjimin barbar të tij. Ne nuk i quajmë ata terroristë dhe këtë nuk e bëjmë pse frikësohemi nga padrejtësia ngado që mund të vijë ajo, se padrejtësitë e mbështetura në forcën e kërbaçit, të ligjit e të gjyqësisë shoviniste i kemi përjetuar për pothuajse një shekull, por pse jemi njerëz të gatshëm për çdo flijim, nëse ai flijim është në interes të kombit e të atdheut.
Shkurt, gabohen të gjithë ata që mendojnë se sulmet e koordinuara, të brendshme e të jashtme, janë të drejtuara vetëm kundër disa individëve që dje ishin pjesë e UÇK-së?!