06 Dhjetor 2024

Ne duhet t’i fuqizojmë gratë dhe t’i angazhojmë ato si agjente aktive të paqes

Shkruar nga Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog
 
Sot shënohet 22 vjetori i miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila për herë të parë njohu zyrtarisht dimensionin gjinor në paqe dhe siguri dhe ripohoi rolin e domosdoshëm të grave në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, në negociatat për paqe, në ndërtimin e paqes, ruajtjen e paqes, reagimin humanitar si dhe në rindërtimin pas konfliktit.

Duke qenë se kjo temë është lartë në agjendën ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, dëshiroj t’ju jap një pasqyrë të qasjes së BE-së ndaj angazhimit gjithëpërfshirës të grave në paqe dhe siguri, çfarë bëjmë ne për këtë në Kosovë, si dhe të përcjell porosinë time kryesore se ne duhet t’i fuqizojmë gratë dhe t’i angazhojmë ato si agjente aktive të paqes.

Dy fundjavë më parë ishim dëshmitarë të organizimit të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS) me nismën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme si për Kosovën edhe për BE-në, pasi demonstroi përkushtimin e Kosovës për rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën e përfshirjes aktive të grave në proceset e paqes dhe harmonizimin e kësaj me zotimet e Bashkimit Evropian për barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut, të cilat qëndrojnë në thelb të të gjitha aktiviteteve dhe politikave të BE-së.

Ne kishim nderin të mbështesim këtë ngjarje përmes një paneli të diskutimit të bashkëorganizuar me UNDP-në përkitazi me nevojën për fuqizimin ekonomik të grave për të reaguar më mirë ndaj efekteve negative të ndryshimeve klimatike në ekonominë globale dhe për të kontribuar në rimëkëmbje përmes bizneseve të udhëhequra nga gratë.

Po e përmend këtë sepse Rezoluta e KS të KB-së e zgjeroi fushëveprimin e një politike tradicionale të sigurisë duke u përqendruar jo vetëm në nevojën për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna e ndërlidhur me konfliktin por edhe në të drejtën e grave për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse dhe në zhvillim ekonomik, ndër të tjera.

Mbi bazën e kësaj Rezolute, nevoja për pjesëmarrje të plotë, të drejtë dhe të barabartë të grave për të ruajtur dhe promovuar paqen dhe sigurinë u pasqyrua në Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian në dhjetor të vitit 2018, ku u miratua Qasja Strategjike e BE-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila është një agjendë ambicioze dhe zbatohet përmes Planit aktual të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që vlen deri në vitin 2024.

Ky plan i veprimit identifikon objektivat e parandalimit, mbrojtjes, ndihmës dhe rimëkëmbjes, si dhe tri parimet gjithëpërfshirëse dhe ndërsektoriale të pjesëmarrjes, integrimit gjinor dhe udhëheqjes përmes shembullit.

Vlen gjithashtu të theksohet një dokument tjetër, i cili si një nga objektivat kyç ka zbatimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë: Plani i Veprimit Gjinor III i BE-së (GAP III) për vitet 2021-2025, i cili bën thirrje dhe promovon barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave përmes të gjitha veprimeve të jashtme të Bashkimit Evropian, edhe në Kosovë.

Në këtë kontekst, Plani i Zbatimit në Nivel Vendi i BE-së për Planin e Veprimit Gjinor III për Kosovën ofron udhëzime të qarta për të gjitha veprimet lokale të BE-së për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Ky plan paraqet një pasqyrë të plotë të qëllimeve të matshme dhe ambicioze siç janë liria nga të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, promovimi i shëndetit seksual dhe riprodhues, promovimi i fuqizimit socio-ekonomik të grave dhe vajzave dhe pjesëmarrja e tyre e barabartë në politikë dhe udhëheqje, dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, rritja e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në tranzicionin e gjelbër dhe në digjitalizim.

Të gjitha këto dokumente shkojnë dorë për dore me zotimet ligjore dhe politike të Kosovës për barazinë gjinore dhe kjo më jep shpresë se të gjithë këtu, pavarësisht seksit apo gjinisë, mund t’i gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre.

Plani i parë i Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë i Kosovës është miratuar tashmë në vitin 2013 dhe Programi i fundit për Barazinë Gjinore i Kosovës mbulon periudhën 2020-2024. Këto dokumente udhëzuese bazohen kryesisht në Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi të Kosovë, të cilët së bashku synojnë të përmirësojnë pozitën e përgjithshme të grave në shoqëri si dhe të drejtat e tyre për të marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të Kosovës.

Duke i bashkuar zotimet e BE-së dhe Kosovës për zbatimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, BE-ja në Kosovë ka zbatuar gjatë pesë viteve të fundit shumë veprime dhe projekte që synojnë rritjen dhe fuqizimin e rolit të gruas në jetën publike.

Në kuadër të dialogut politik, BE-ja në Kosovë angazhohet rregullisht me autoritetet e Kosovës për zbatimin e detyrimeve ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare, duke përfshirë ato për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, dhe ne e mbështesim më tej këtë dialog përmes projekteve që kanë për qëllim të rrisin pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe politike në nivelin qendror, ndërsa në terren punojmë me gratë udhëheqëse nga të gjitha komunitetet në Kosovë dhe kemi mbështetur trajnimin dhe këshillimin e tyre si dhe nismat e tyre në nivel lokal.

Duke e çuar më tej aktivizmin dhe fuqizimin ekonomik të grave, ne kemi promovuar legjislacionin dhe kemi financuar projekte që avancojnë zhvillimin ekonomik të grave dhe përfshirjen e tyre të plotë në tregun e punës si dhe kemi zbatuar aktivitete që i promovojnë gratë si udhëheqëse.

Ne konsiderojmë se perspektivat e grave janë thelbësore në dialogun Beograd-Prishtinë. Që nga fillimi i tij, gratë nga të dyja anët kanë qenë të përfshira në mënyrë aktive në dialog në të gjitha nivelet. Ato kanë dhënë dhe japin kontribut thelbësor nga pozita të ndryshme udhëheqëse dhe ndikimi i tyre është gjithnjë në rritje.

Duke e pranuar rolin thelbësor të grave në paqe dhe pajtim, ne do të vazhdojmë të punojmë si përbrenda edhe me palët për të avokuar për një përfaqësim të drejtë dhe përfshirje më të fuqishme të perspektivave dhe përvojave të grave në të gjitha nivelet - diçka që përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, e konfirmoi gjatë pjesëmarrjes në Forum.

Për më tepër, dua të theksoj se duke punuar së bashku me partnerët tanë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ne kemi ndërmarrë aktivitete dhe fushata informuese për edukimin e burrave të rinj dhe djemve rreth barazisë gjinore dhe i kemi angazhuar ata në aktivitete që sfidojnë stereotipet gjinore, që është thelbësore për promovimin e shoqërive ku ruhet paqja.
 
Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, dua të theksoj se EULEX-i, si Misioni në Kosovë në kuadër të Politikës së Përbashkët të BE-së për Siguri dhe Mbrojtje, ndër të tjera, ofron gjithashtu ndihmën e domosdoshme ligjore për institucionet e Kosovës në luftën kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore, në përputhje me mandatin e tij.

Si përmbledhje, në këtë përvjetor të 22-të të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, unë dal në përfundim me një bindje të fortë se kjo Agjendë është universale dhe duhet të zbatohet nga të gjithë, nga BE-ja dhe Kosova njësoj, dhe se zotimet e përfshira në strategjinë e BE-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë duhet të respektohen dhe të ndiqen vazhdimisht në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe në forumet ndërkombëtare.

Gjithashtu dua t’ju siguroj se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë drejtim, si në shumë fusha të tjera, dhe e përsëris edhe një herë porosinë time: Ne duhet t’i fuqizojmë gratë dhe t’i angazhojmë ato si agjente aktive të paqes!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)