05 Janar 2025

Ndrikulla në Ranillugë dhe udha e serbëve

Shkruar nga  Faton Abdullahu

Vetë fakti se zyrtarëve të komunës së re të Ranillugës ua ka marr mendja që në këtë kohë, në mes të Kosovës, pas gjithë asaj që ka ndodhur në këtë vend, ta shqyrtojnë mundësinë e emërtimit të një rruge të kësaj komune me emrin  e diktatorit ballkanas, Sllobodan Milloshevic, flet për atë se sa ata janë të shkëputur nga realiteti kosovar, për rrjedhojë se sa ata marrin mundin të bëhen pjesë e Kosovës, gjë që do të duhej të ishin detyrimisht.

Në vend të kësaj, kjo përpjektë e zyrtarëv të Ranillugës flet më së miri se ata po mundohen që ta nxjerrin jashtë kësaj komune çdo gjë të Kosovës së re. Deri më tani për këtë kanë pasur sukses vazhdimisht.

E vërteta e hidhur është se këtë përjashtim të Kosovës nga Ranilluga e Kosovës, ata mund ta bëjnë duke i përdorur ligjet mu të kësaj Kosove dhe jo vetëm të Kosovës, por edhe parimet dhe konceptet e qasjes së ndërkombëtarëve konkretisht të Bashkimit Evropian në Kosovë e cila gjithnjë e më shumë po bëhet \"silenciatore\" në armën anti-institucionale të cilën po e përdor \'Lista Serpska\' kundër funksionimit të institucioneve të Kosovës e më këtë edhe kundër asaj që njihet tash sa kohë si \"Kosovo successful story”.

Ligjet dhe parimet e Kosovës së pasluftës, sikundër edhe konceptet e involvimit të ndërkombëtarëve në Kosovë, konkretrisht të Brukselit, në emër të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të komunitetit serb, në emër të funksionimit të decentralizmit ahtisarian të Kosovës e konsideruar si parakusht konstitucional për jetësimin e kësaj mbrojtje, po e dëmtojnë maksimalisht, deri në deformim, minimumin e domosdoshëm të centralizmit demokratik, si premisë e funksionimit të shtetit të Kosovës si tërësi.

Ky centralizëm minimal demokratik nuk po funksionon në Kosovë e për rrjedhojë po determinon anomali ligjore, politike e të tjera, sikundër është edhe kjo për emërtimin e një rrugë në Kosovë me emrin e kriminelit serb.

Centralizmi i domosdoshëm

Vështruar nga kjo prizëm anomalish, del se komunat, sidomos ato serbe, nuk i japin llogari qendrës, konkretisht Prishtinës dhe sa më e madhe të jetë kjo mospërfillje ndaj qendrës, aq më i mbrojtur është komuniteti, konkretisht qytetari serb i Kosovës.

Duket se kjo logjikë legjislative ahtisariane jo që vazhdon të pulsojë aktive në mendësinë e politikës serbe në Kosovë, por ajo mëton të begatohet edhe me një risi tjetër me “Asociacionin e Komunave Serbe” që në të vërtetë do ta shpërbënte në fillim çdo formë të mbetur edhe ashtu jo funksionale të  centralizmit minimal në Kosovë, por edhe do ta vente në pyetje përfundimisht çfarëdo funksionimi të Kosovës si tërësi, me rend juridik, sovranitet dhe integritet territorial.

Fakti se dy ministri të Kosovës,  Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë reaguar për ta ndaluar një të keqe të ndrikullës në Ranillug, nuk flet për pranin e centralizmit të nevojshëm minimal për funksionimin e rendit juridik dhe kushtetutshmërisë, as për azhuritetin e punës së këtyre ministrive.

Jo, kjo ishte e mundshme vetëm pse vendimi i  zyrtarëve komunal të Ranuillugës ishte aq banal, dhe aq i papranueshëm, sa që nuk kishte kurrfarë sensi, as mundësie për arsyetim apo justifikimi që ky vendim të mbrohej.

Por kjo flet edhe për një mendësi tjetër të cilën si duket e kanë kuptuar mirë serbët e Kosovës e që është larg më brengosëse dhe më problematike.

Ashtu si shqiptarët në komunat e tyre, ashtu edhe serbët dhe të tjerët në komunat ku janë shumicë, duke e shfrytëzuar decentralizimin  kryeneç, në emër të mbrojtjes së interesave nacionale e fetare, mund t’i emërojnë rrugët, shkollat, dhe institucionet si të duan, mund të vendosin flamuj, stema, logo, cilado që i preferojnë, mund ta mësojnë historinë nga cilat do tekste e të tjera të kësaj natyre.

Kjo mendësi po i kthen komunat e Kosovës, ku ka shumicë serbe apo shumicë jo shqiptare tjetër, në aspektin politik, po gjithsesi edhe në aspektin kulturor dhe jo vetëm, në mini shtete.

Vetëm kështu mund të shpjegohet arroganca dhe mospërfillja e ndrikullës në Ranillugë kur emëroj një rrugë të kësaj komune me emrin e kasapit serb.

Se nuk është arritur asgjë me faktin që është ndaluar që në Kosovë të njihet një rrugë me emrin e Millosheviqit, mjafton të vizitohen komunat serbe të Kosovës, jo vetëm ato në veri, dhe të shikohen emrat e rrugëve, logot, stemat, flamujt e shumë gjëra të tjera, ku identiteti i ri i shtetit të Kosovës është i pranishëm më rrallë se korbi i bardhë.

Kjo nuk do të ndryshohet duke qenë kundër rrugës me emrin Millosheviq, por me insistimin e vazhdueshëm që të sigurohet edhe ligjërisht centralizmi i domosdoshëm për funksionim demokratik në Kosovë dhe së paku tani për tani me vendime administrative që identiteti shtetëror i Kosovës të jetë i detyrueshëm dhe i sanksionueshëm edhe në nivele komunale.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)