12 Tetor 2024

Kush po e komandon ekonominë shqiptare

Shkruar nga Gjergj Buxhuku

Nëse do të përmblidhja me një fjali përgjigjen e pyetjes tuaj do të ishte” ekonomia shqiptare sot, më shumë se asnjëherë, komandohet nga grupimet antitreg, grupimet e nëntokës dhe bashkimet e tyre”.

Bizneset normale, që kanë lidhje me tregun, janë në pakicë dhe do të zvogëlohen gjithmonë, duke u mbyllur dhe gllabëruar nga grupimet antitreg. Rreziku është i qarte nëse, demokracia dhe shteti i të drejtës nuk do të fillojë të jetë i qënësishëm sa më shpejt.

Më ka mbetur në mendje përkufizimi i një sipërmarrësi, që në një pyetje të ngjashme më tha: “në Shqipëri kemi biznese, që punojnë dhe të ashtuquajtura biznese, që fitojnë para”! Fatkeqësisht është e vërtetë.

Të ashtuquajturat biznese, që bëjnë para pa patur lidhje me tregun, por thjesht me korrupsionin dhe privilegjet e dhëna nga bashkëortakët e tyre të politikës, janë edhe komanduesit e vërtetë të ekonomisë shqiptare.

Rrënjët e tyre, grupimet komanduese të mësipërme,  i kanë hedhur njëkohesisht që me ndryshimin e regjimit mbi 30 vite më parë dhe janë fuqizuar në vazhdimësi.Grupimet antitreg, kanë penguar dhe asgjësuar sistematikisht edhe cdo përpjekje politike për të ndërtuar realisht vetë sistemin demokratik në vend.

Kanë penguar dhe po pengojnë edhe vetë antarsimin e Shqipërisë në BE. Parajsa për ta është pikërisht gjëndja e sotme.

Sepse,korrupsioni politik shoqëruar me paaftësinë skajore si edhe me arsye objektive të së shkuarës, krijoi shtratin antidemokraci, në të cilën u mboll, u ujit dhe u plehërua bollshëm edhe ekonomia e kapur antitreg në kundërshtim me interesin publik dhe atë kombëtar.

Grupimi antitreg komandues në ekonomi sot është aq i fuqishëm, sa edhe vetë baballarët politikanë krijues të dikurshëm të tij, i ka kthyer thjesht në punëmarrës ose në rastin më të mirë ortakë të pakicës.

Është krijuar një sistem ekonomik dhe politik në të cilin është shumë e vështirë të ndryshohet vetëm nga brenda në afatshkurtër.

Problemet mund tu vijnë vetëm nga jashtë nga vendimet e partnerëve gjeostrategjikë. Mbase edhe nga përplasjet brenda grupimit për arsye të pamjaftueshmërisë së plackes publike të grabitur.

Cilat janë sipas jush tre grupimet komanduese ne terrenin e prekshëm të ekonomisë shqiptare?

Ekonomisë shqiptare i mungon shtylla kryesore, që dallon ekonominë e tregut nga ajo e përqëndruar socialiste: Konkurenca.

Mungesa e konkurencës është e dukshme, sidomos në të sektorët strategjikë dhe më të mëdhenj të vendit. Pikërisht në ata sektorë, që qarkullojnë dhe zotërojnë shumicën dërrmuese të kapitaleve dhe ndikojnë në gjithë ekonominë kombëtare.

Sektorët e hidrokarbureve, telekomunikacionit,  energjisë, tregjet financiare dhe bankare,të infrastrukturës, etj.janë ndërtuar dhe funksionojnë me shfaqje të prekshme oligopoli dhe karteli në dëm shkatërrues të interesit publik. Jo rastësisht, shqiptarët paguajnë shumë më shtrenjtë dhe cilësi më të ulët sesa të tjerët mallrat dhe shërbimet, që marrin nga sektorët e mësipërm.

Kompanite, që bëjne pjesë në grupin e parë antitreg, janë lejuar, krijuar dhe mbrohen si monopole të plotëfuqishme drejtëpërdrejtë nga politika.

Politika nuk lejon të funksionojnë autoritetet rregullatore antimonopol të tregut, financimet buxhetore me tenderime fiktive ose drejtëpërdrejtë dhe me vlera të tejfryra ja jep vetëm disa kompanive të privilegjuara.

Burimet natyrore dhe buxhetore me anë të PPP, konçesioneve, liçencime, etj. krijojnë monopole të pastra, që mbysin konkurencën, largojnë investorët e rinj dhe mbyllin tregjet në afatgjatë. Kompanitë e mësipërme vetëm emrin kanë biznese dhe zotëruesit e tyre vetëquhen biznesmenë.

Në thelb janë thjesht drejtues ndërmarrjesh shtetërore. Shumë pak prej tyre mund të rezistojnë në kushtet e tregjeve të hapura, konkurencës së lirë, shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.

Do të falimentonin shumë shpejt. Biles sa më të mëdha dhe të forta të duken sot, aq më shpejt bien pa privilegjet antitreg shtetërore në kundërshtim me interesin publik.

Prandaj dhe e luftojnë me te gjitha mënyrat cdo ndryshim politik. Vendimarrja politike në shumicë është thjesht ushtare dhe në rastin më të mirë ortake e tyre.

Grupimi i dytë komandues në ekonomi janë te individët, që drejtojnë të ardhurave e mëdha në qarkullim të nëntokës.

Gjithmonë e më shumë ekonomia shqiptare po bëhet e varur nga prurjet informale të prodhuara brenda vendit nga korrupsioni dhe fshehjet fiskale dhe sidomos jashtë vendit nga veprimtari kriminale.

Nëse, do të mbyllej rubineti i parave të zeza, ekonomia shqiptare rrezikon të falimentojë brenda pak muajsh. Dhe kjo është shumë e rëndë.

Shqipëria jep shënja të qarta, që është kthyer në një nga lavatricet e rendësishme, që pastron paratë e krimit të Europës.

Gjelbërimi në nivel vendi para disa vitesh nga kanabisi, trafikimi i drogave të forta, etj. e mbajnë vendin vazhdueshëm në listën “gri” të pastrimit të parave të agjencive kontrolluese të BE.

Janë pikërisht, rrymat gjigande të parave të prodhuara dhe zotëruara nga nëntoka dhe monopolet, që janë rreziku më i madh, që me mjete dumping dhe pjesëmarrje edhe të vetë  institucioneve të shtetit të gllabërojnë  ose falimentojnë biznesin e ndershëm. Dhe kjo është e pranishme sot dhe jo thjesht parashikim. Shembujt janë të prekshë, deri në përplasje asgjësuese.

Grupimi i tretë antitreg komandues në ekonominë shqiptare është shkrirja e dy grupeve të para. Githmonë e më shumë grupi në fjalë po bëhet dominuesi kryesor në ekonominë shqiptare.

Është gjithmonë e më e vështirë të dallohet sot ku fillojnë dhe mbarojnë në shkrirje me njera tjetrën grupimet monopol dhe nëntoka.

Së bashku me politikën natyrisht. Mjaftojmë të ndiqen aferat e ndërtimeve masive në qytetet kryesore dhe në resorte turistike, ku kredia bankare nuk shkon më shumë se 30% të vlerës së investimit dhe e kuptonqarte, se çfarë ndodh.

Politika prodhon ligje “ state capture/kapje e shtetit” për të favorizuar grupimin e tretë antitreg. Është e varur dhe njëkohësisht pjesë e tij. Sepse, nga njera anë në bizneset e grupimit në fjalë mban dhe pastron edhe paratë e korrupsionit të saj dhe nga ana tjetër bashkëpunon për të qenë bashkërisht gjithmonë në pushtet.

Pushteti politik në Shqipëri mbahet duke u mbështetur në dy grupimet e para. Monopolet dhe nentoka.Është ngjashëm me modelin e përzier të Kubës i zbatuar në mes të Europës pas trecerek shekulli.

Nga njera anë shtëti i korruptuar dhe i falimentuar oligarkik i Batistës dhe nga ana tjeter metoda Kastriste, që me anije largonte kundërshtarët. Me ndryshimin, që në vend të anijeve përdoren pashaportat.

Si mund ti përmblidhni sëmundjet më të rënda të ekonomisë shqiptare sot?

Janë 2 sëmundje sipas vlerësimit tim. Korrupsioni politik i kapjes së shtetit dhe mungesa e konkurencës në ekonomi.Natyrshëm janë të lidhura me njera tjetrën dhe burimin e kanë te dyja te mungesa e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Politika nuk prodhon ligje për të interesin publik, por në interes të grupimeve antitreg. Të gjithë  e kanë parasysh kalimin rrufe të 14 akteve ligjore brenda një mbledhje qeverie, që cimentoi me ligje skemën e korrupsionit “state capture/kapje e shtetit”400 milionë euro të “djegësave”.

Ndërkohë, në rastet kur ka nisma të qarta për interes publik institucionet shtetërore sikur nuk ekzistojnë fare, nuk kanë asnjë vullnet për bashkëpunim ose zvarrisin dhe pengojnë më cdo mjet. Kam përvoja personalë për sa më sipër.

Shembullin e aferës së “djegësave” e morra thjesht si më i dukshëm në morinë e pafund të rasteve të ngjashme. Pra kemi korrupsionin me ligj, që është bërë gjithmonë e më shumë praktikë pune.

Shumë i vështirë për tu kapur me mjete klasike ligjore edhe në kushtet kur do të ketë vullnet politik dhe institucione për ta bërë. Që nuk janë në fakt. As njera as tjetra.

Miratimi i ligjit për legalizimin e kanabisit mjekësor është një vijë e kuqe e shkelur qartësisht…?

Sinqerisht nuk e kuptoj këmbënguljen e gjatë dhe të cuditshme të qeverisë në vite për kultivimin e kanabisit.

Së pari, nuk është sqaruar nëse është marrë apo jo miratimi i partnerëve euroatlantikë. Të gjithë i kemi parasysh ndërmarrjet e mëdha deri ushtrake detare dhe ajrore të Italisë dhe vendeve fqinj për të ndaluar hyrjen e kanabisit te vendet e tyre dhe shkatërrimin e plantacioneve në Shqipëri.

 Marrja e miratimit të partnerëve është e nevojshme në rastin e Shqipërisë për shkak të njollës famëkeqe, që kemi marrë si vend prodhues dhe eksportues i bimës së ndaluar në BE.

Shqipëria ka detyrime strategjike ndaj aleatëve dhe për më shumë jemi në proces antarësimi në BE. Mos harrojmë, se kanabisi ka vlerë të madhe pikërisht sepse është i ndaluar në vendet e BE.

Në rast se do të ishte i lejuar fermat e Italisë, Spanjës, Francës dhe shtete të tjera europiane i kanë kushtet hapsinore,teknologjike dhe financiare shumë më të përshtatshme për ta prodhuar vetë dhe zotërimit të tregut.

Ne nuk kemi asnjë shans për të qenë konkurues.Në rast,se miratimi i tyre nuk është dhënë rrezikojmë të kthehemi në një magazinë gjigande kanabisi në zemër të Europës me flotijet e anijeve, aeroplanëve dhe makinave të gatshme për të kaluar në anën tjetër të detit.

Mbase mund të jetë menduar për tu përdorur në industrinë e turizmit në vend ose ka ndonjë qëllim tjetër të panjohur, që nuk e dimë dhe duhet bërë publike.

Të presim. Shqipëria nuk e ka kontrolluar dot territorin edhe atëhere kur kanabisi ka qenë plotësisht i ndaluar me ligj. Imagjinoheni kur të jetë i lejuar,qoftë edhe pjesërisht.   

Së dyti, duhet bërë e qartë se cilat janë përfitimet financiare të vendit nga kultivimi i kanabisit. Duhet të jenë të mëdha përderisa këmbëngulet aq shumë dhe rrezikohet të mos përfillen edhe vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë.

Nëse, përfitimi ekonomik do të jetë aq i madh Ok le të vazhdohet,por gjithcka duhet të bëhet publike. Është vendim shumëpërmasor i vështirë, që tejkalon shumë thjesht përfitime të thjeshta financiare.

Theksoj, se për një vendim të tillë duhet të përllogariten mirë raportet humbje dhe përfitim të të gjitha drejtimeve. Të bëhen publike dhe pastaj të vazhdohet. Në rast të kundërt, qeveritë dhe kryeministrat shkojnë dhe vijnë, por njolla dhe pasojat e dëmshme mbeten në afatgjatë.

Si e konsideroni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së opozitës për VKM-të e kateve pa leje?.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i pritshëm. Përkundrazi e cuditshme dhe e papritur do të ishte vendimi i kundërt. E kemi shpjeguar më sipër,se shteti shqiptar është i kapur nga grupimet antitreg të monopoleve politike, që godasin ashpër interesin publik dhe demokracinë.

Natyrisht, edhe drejtësia është pjesë e sistemit të kapur dhe të korruptuar krejtësisht, megjithë përpjekjet e partnerëve për ndryshim. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është fakti i shfaqur qartë për sa më sipër.

Por, unë këmbëngul, që shkaku kryesor i të keqes buron nga sistemi politiko ekonomik i kapur. Mendoj, se me qëllim janë lënë hapsirat e nevojshme ligjore për të gjetur shtigje. Biles mendoj, se edhe vetë e gjithë estrada politike e rastit në fjalë ishte thjesht e tillë. Di, që për raste të ngjashme në shtetet e BE penaliteti është shumë i ashpër.

Konfiskimi i shtesave paleje është i menjëhershëm, shto edhe penalitete financiare shumë herë më të mëdha, sesa vlera e volumeve ndërtimore dhe shoqëruar me heqje përfundimtare lejesh dhe licencash si edhe akuza penale për përgjegjësit. Kompani ose individë, qofshin.

Ndërsa te ne vendimet e shkallëve më të larta të drejtësisë shërbejnë si leje legalizimi! Dhe të mendosh, që bëhet fjalë për investime të mëdha, për lejet e ndërtimit subjekteve nuk u kërkohen as ligjshmëria e burimeve financiare!

Po atë për Portin e Durrësit…? Gjykata Kushtetuese rrëzuar kërkesën e opozitës për të anuluar marrëveshjen e shtetit shqiptar me Emiratet e Bashkuara Arabe për portin e Durrësit…

Edhe vendimi i Portit të Durrësit nuk mund të ishte i ndryshëm nga arsyetimi që bëmë më sipër për shtesat pa leje. Arsyetimi ngjan pikë për pikë.

Sepse, institucionet e shtetit jodemokratik të kapur punojnë në mënyrë të përsosur dhe pa asnjë shmangie kur vjen fjala te mbrojtja e interesave të atyre, që i emerojnë. Dhe ata, që i emërojnë janë grupimet, që kanë kapur shtetin.Interesi publik nuk mund të mbrohet nga një sistem jodemokratik. Është e pamundur!

Kryeministri Rama paralajmëroi rritjen e çmimit të energjisë, cfarë pasojash do të ketë për qytetarët e bizneset!?

Është paradoks, se pse jemi në kushtet kur duhej domosdoshmërisht të kërkohej ulja e cmimeve për bizneset dhe qytetarët. Ulja dramatike e cmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare shoqërohet me një nga vitet më të mbara të motit, që mbështet fuqishëm prodhimin vendor si asnjëherë tjetër.por,gjithcka ka vlerë kur menaxhohet mirë.

Ndërkohë, vetëm si pasojë e humbjeve teknike dhe vjedhjeve,përtej vetë objektivave qeveritare, nga kompanitë publike kemi humbje 100 milion euro/vit.

Shto këtu edhe korrupsionin me shitje blerjet e energjisë jashtë ekspozitës që ka emrin AlPEX- Bursa Energjisë, që arrin deri në 20% të vlerës së transaksioneve, pra përsëri të paktën 100 milion euro/vit të tjera e kupton se përse kërkohet rritje çmimi!

Shteti i korruptuar nuk është dhe ska sesi të jetë eficient. Është e pamundur objektivisht. Kjo ska nevojë për vërtetim.

Por, nëse do duhet ta vërtetoni “Mirësevini në Shqipëri”

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)