09 Janar 2025

Kështu si po veprojnë institucionet, në arsim shtatori do të nis me grevë

Shkruar nga Rrahman Jasharaj

Njerëzit e akomoduar në kolltukë institucionesh po kujtojnë se është kohë e pushteteve që kanë “vra e kanë kfjellë” dhe u vjen  “zheg” kur i kritikon populli apo kur vepron ndonjë sindikatë.

Realiteti po tregon se institucionet lokale e qendrore të Kosovës as edhe një punë nuk  po e kryejnë si duhet. Sillen, llafosen, ofendohen, krekosen dhe punojnë pak e hiç.

Kjo vjen ngase kanë qasje të gabuar ndaj funksionit që kryejnë. Njerëzit e akomoduar në kolltukë institucionesh po kujtojnë se është kohë e pushteteve që kanë “vra e kanë kfjellë” dhe u vjen  “zheg” kur i kritikon populli apo kur vepron ndonjë sindikatë.

Institucionet lokale e qendrore kanë marrë obligime edhe me rastin e nënshkrimit të Kontratës Kolektive për Arsimin Parauniversitar.

Është dashur të marrin obligime e të nënshkruajnë edhe Kontratën Kolektive për UP-në, por ata në vend që të kryejnë obligimet që i obligon besimi e vota e popullit dhe të angazhohen për jetësimin e detyrave që dalin nga obligimet e tyre ditore e nga marrëveshjet e premtimet publike, ata vazhdojnë me stilin e vjetër që të qajnë për situatën e rëndë e të papunëve dhe të bëjnë me gisht drejt gjithë atyre që lëvizin, qoftë me ndonjë protestë, qoftë me ndonjë grevë.

Kështu si po veprojnë institucionet lokale e qendrore punët do të jenë keq e më keq. Problemet nuk do të zgjidhen e tensionet sociale do të shtohen.

Sindikata tjera, mbase, edhe do të heshtin e do të presin duke bërë sehir me stilin e vjetër se “Ne nuk po prishemi me pushtetin e po presim se nëse fiton SBASHK-u , fitojmë edhe ne”.

Mirëpo, SBASHK-u nuk do të hesht dhe këtë po ua bëjmë me dije  me kohë institucioneve lokale e qendrore. Kështu si po veprojnë këto  institucione në arsim shtatori do të nis me grevë. Do të nis sepse edhe 0.5 % për çdo vit shërbimi nuk u dha si duhet.

Sa e sa herë Kryeministri Mustafa, Ministri Hoti e Ministri Bajrami e kishin deklaruar publikisht se kjo do të jepet nga janari e dhuna nga prilli. 

Bile ata u paraqiten para popullit sikur u bë nami me këtë 0.5 %, por kjo është vetëm njëra nga pikat e Kontratës Kolektive të nënshkruar që në prillin e vitit të kaluar.

Pushteti lokal e qendror ka marrë obligim bazuar në nënshkrimin e Kontratës që të vë në jetë edhe pikat tjera.

Zgjidhja e çështjes së udhëtimit të mësimdhënësve, tri pagat për të punësuarit në arsim me rastin e pensionimit, çështja e nenit 8 , pikës 6, të Ligjit mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, që nuk po impelmetohet dhe për çudinë e botës mësimdhënësit pas një jete në arsim po marrin , jo pensionin e punës, po atë të pleqërisë, si gjithë ata që as edhe një ditë nuk kanë punuar diku. Ligji për të punësuarit në arsim në vitet 89-99.

Siguria në punë, kushtet e punës .... e shumë çështje tjera kërkojnë zgjidhje. Qeveritë lokale e qendrore duhet të kryejnë obligimet e tyre sepse këtë ua kërkon pozita e të qenit udhëheqës.

SBASHK-u, si gjithmonë, edhe tani e tutje është i  prirë që çështjet t’i zgjedh me dialog, por është i gatshëm , që nëse dialogu nuk jep rezultate, atëherë të shkohet në grevë.

Në shtator, si po shihet  nga plogështia e veprimit të institucioneve, do të ketë grevë, por qytetar të nderuar mos e akuzoni SBASHK-un, po qeverinë lokale e qendrore që nuk po i kryen dot obligimet dhe detyrat që ka .

(Autori është kryetar i SBASHK-ut)



 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)