Kërkoj azil sepse...
Shkruar nga Hilmi Gashi
...vij nga një vend i cili nuk ka parlament të denjë, nga një vend në të cilin kuvendi nuk funksionon. Banoj në një vend ku vota ime vidhet para syve të mi dhe guxon vetëm të heshtësh. E meqë më kanë shpjeguar që parlamenti është baza e një shteti, i bie që ky i yni të çalojë. Një vend i cili është katandisur nga vetvetja.
Kërkoj azil sepse...
...vij nga një shtet i cili nuk është sovran. Vij nga një shtet në të cilin vendosin fqinjët dhe evropianët. Një shtet i cili po gërryhet nga brenda. Vij nga një vend në të cilin i fuqishmi vendos për shumicën, vendos për fatin e njerëzve.
Kërkoj azil sepse...
...vij nga një vend në të cilin mund të vdesin 20 veta në ditë për shkaqe nga me të ndryshmet, e askujt nuk i hyn therë në këmbë. Jetoj në një shtet i cili nuk garanton jetën e qytetarëve të tij. Një vend në të cilin fatkeqësia më e madhe është të qenurit i ndershëm. Madje të shohin si një qenie që jeton jashtë kohës. Të Duket si ndëshkim apo mallkim. Quaje si të duash.
Kërkoj azil sepse...
...andej nga vij unë, ditë për ditë shkelen të drejtat e qytetarëve, të minoriteteve, të femrave, të fëmijëve, të pleqve e të kufomave. Po, po, edhe të kufomave. Bëjnë lojë me të vdekurit. I thyejnë gurët e tyre të varrit sipas tekeve të te gjallëve. Do doja që të jetoja diku ku askush nuk ka të drejtë të hedhë beton mbi eshtrat e mi të gjorë. Nuk dua të vdes në vendin tim, ku i vetmi ngushëllim për mua do të ishte ky epitaf: këtu dergjet njeriu i ndershëm i cili jetoj me nder, por vdiq i varfër...
Kërkoj azil sepse...
...jetoj në një shtet ku prona ime nuk vlen asgjë, ku i forti i radhës vlen më shumë se çdo tapi e çdo dokument, ndërsa Shteti im bën sehir. Sepse jetoj në një vend ku tesera e ndonjë partie vlen më shumë se sa universitete e diploma, sepse jetoj në një vend ku qeveria sistematikisht mbyt Shtetin.
Kërkoj azil sepse...
...jetoj në një shoqëri ku ligji jo që ndihet i zbehtë por nuk zbatohet fare, ku rregullat dhe normat që rregullojnë marrëdhënien ndërmjet shtetit dhe individit janë pafundësisht të dobëta.
Dhe atëherë kur shteti shihet me mosbesim, e vetmja shpresë për tu përballur me egërsinë e ekzistencës mbetet integrimi klanor në çfarëdolloj strukture çoftë.
Klani të ngre edhe kur të jesh i paaftë. Të ul në qoftë se nuk i shërben siç duhet. Të flak tej në qoftë se nuk i bindesh. Kështu funksionon shteti im ku ligji ka vdekur.
Kërkoj azil sepse...
...nuk jetoj në një vend demokratik e nuk jetoj as në një vend komunist, por lufta e klasave vazhdon.