Ironia e qeveritarëve për protestat dhe realiteti i ri në Kosovë
Shkruar nga Jakup Krasniqi
Nuk mund të ketë ironi më të madhe sesa kur dëgjon të të akuzojnë për marksist, ata që kanë mësuar nga marksistët jugosllavë sesi akumulohet kapitali për xhepat e vet dhe sesi bëhet lufta kundër armiqve të brendshëm dhe në anën tjetër, pa fije turpi na flasin për realitetin e mrekullueshëm demokratik që po lulëzuaka në Kosovën tonë, të lodhur nga politikanët injorantë, hilexhinj dhe impotentë!
Nuk mund të ketë ironi më të madhe sesa kur përpiqen të të akuzojnë për marksist, ata të cilët ngjashëm, mu si marksistët jugosllavë (Tito, Rankoviqi e Millosheviqi) e detyrojnë rininë e Kosovës, me shpresa të thyera të ikë nga Kosova dhe i detyrojnë heronjtë e nëntokës, minatorët e Trepçës, të mbyllen në zgafellat e minierës, e në anën tjetër flasin për interesat e minatorëve të sjellë buzë mjerimit!
Nuk mund të ketë ironi më të madhe sesa kur ata që nxjerrin nga arsenali i marksistëve të përmendur jugosllavë të gjitha etiketat që u ngjiteshin demonstruesve në Kosovë, të Pranverës Shqiptare 81, të flasin për vullnetin e qytetarëve të saj!
Mjafton të shfletohen gazetat e kohës (1981/1990), e të lexohen fjalimet e Kolë Shirokës, të Ali Shukriut, të Sinan Hasanit dhe marksistëve kryeqeveritarë të tjerë shqipfolës jugosllavë, të devotshëm përjetësisht për besnikri, kur paturpësisht akuzonin demonstruesit pasi më parë i kishin përgjakur rrugët e Prishtinës, i kishin vrarë e burgosur, për të parë për ironi se ku bazohen qeveritarët e sotëm të Kosovës, kur një mori akuzash të padrejta u mvishen demonstruesve të këtyre ditëve!
Atëherë donin ta prishnin: shtetin e klasës punëtore, sot tua merrnin pushtetin e votave të lira qeveritarëve tanë?!
Me teoritë dhe praktikat e marksistëve e të shovinistëve të përbetuar jugosllavë nuk mund të ngadhënjejë demokracia në Kosovë!
Populli shqiptar i Kosovës u ka dhënë fund teorive dhe praktikave të tilla, të mbjelljes së frikës me dhunë policore!
Praktika që në emër të një demokracie të imagjinuar dhe të një dhunë faktike, ka përfunduar në qershorin e vitit 1999, dhe, kjo me jo pak sakrifica!
Praktikat e shëmtuara a la marksiste ish-jugosllave populli ynë nuk do ti lejojë të shfaqen e rishfaqet nga fosilet e nostalgjikët me mendësi komuniste në Qeverinë e Kosovës.