21 Nëntor 2024

Identiteti Kushtetues i Kosovës

Shkruar nga Durim Berisha

Teoria e identitetit kushtetues e cila u lind në Republikën Federale të Gjermanisë gjatë procesit të transformimit të Bashkimit Evropian nga një union ekonomik në një union politik domosdoshmërisht i përshtatet aktualitetit tonë.

Si një shtet i cili është përcaktuar (të paktën verbalisht) për një integrim në bashkimin evropian është imperativ analizimi i kufijve të këtij procesi në aspekt konstitucional.

Progresi i integrimit në një shtet-bashkim kishte sfiduar kombin gjerman të vendos kufijtë e këtij integrimi. Jo pse ata nuk e donin bashkëpunimin me shtetet tjera evropiane, por se procesi i integrimit kur nuk kontrollohet shpie në asimilim.

Kësisoj Neni 23 i Ligjit Themeltar ka kushtëzuar anëtarësimin e Gjermanisë në Bashkimin Evropian me përputhshmërinë faktike dhe juridike të politikave dhe akteve të saj me rendin kushtetues gjerman.

Një kushtëzim të cilin mund ta bëjnë vetëm shoqëritë e zhvilluara të cilat kanë vendosur parime stabile kushtetuese.

Po të tërhiqet një paralele me aktualitetin tonë, me shtetin dhe shoqërinë e cila asnjëherë nuk ka dëgjuar mbi rëndësinë e identitetit kushtetues të tij; - arsyetohemi sepse jemi shoqëri në krizë identitetesh!?

Trajtimi i aspekteve teknike të hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk janë të një rëndësie tani, sepse dihet se ne kemi një kushtetutë pa strukturë.

Por mungesa e një definimi të qartë i parimeve kushtetuese pamundëson formimin e një shoqërie e cila do të përdorte atë si platformë shtetformuese dhe në instancë të fundit edhe parametër të integrimit evropian. 

Ndonëse nga elita politike dhe juridike e Kosovës ajo shpeshherë është tentuar të proklamohet si e tillë, sidomos kur bëhet fjalë për imponimin e shpërputhjeve të neneve të saj me realitetin shoqëror dhe traditën e popullit tonë.

Tentimi për të rregulluar sa më shumë aspekte në nivel kushtetues ka komplikuar dhe pamundësuar krijimin e një identiteti kushtetues të Kosovës.

Ndonëse ekipi i cili kishte punuar në hartimin e saj ishte munduar të kopjojë nga të gjitha kushtetutat bashkëkohore nga pak, ka dështuar të prodhojë një kushtetutë unike për shtetin tonë.

Përderisa shoqëritë evropiane kanë treguar se janë në gjendje të heqin dorë nga bashkimi evropian vetëm e vetëm që të mos cenohet identiteti i tyre kushtetues, ne kemi hequr dorë nga identiteti ynë vetëm e vetëm që të jetësojmë ëndrrën evropiane të cilën me intensitetin e punës që po e bëjmë nuk do ta jetësojmë asnjëherë, përpos nëse shtetet e BE-ë “bëjnë rahmet” me ne.

Ne i  kemi dhënë formë juridike faktit e të qenit servil, të qenit të nënshtruar dhe ndjenjës së inferioritetit.

Mungesa e një identiteti kushtetues nënkupton mungesën e kufijve të integrimit dhe apriori paraqet rrezik për asimilim apo shpërbërje të shoqërisë sonë në rast të një përfshirjeje në një union i cili përfshin kombe rrjedhimisht edhe kultura të ndryshme.

Por si e thamë më lartë, identiteti kushtetues nuk mund të pritet të ekzistojë në një shtet shoqëria e të cilit është në krizë të identiteteve.

Krijimi i identitetit kushtetues të Kosovës më së shumti është pamundësuar me anashkalimin e faktorëve shoqërorë, ndikimit të popullsisë dhe traditave tona në procesin e hartimit të saj.

Prandaj akti më i lartë i patriotizmit kushtetues do të ishte inicimi i rishkrimit të këtij dokumenti që po luan rolin e kushtetutës dhe që nuk mund të jetë asnjëherë e tillë në formën si e kemi tani, sepse një kushtetutë e mirëfilltë buron nga populli, i shërben popullit dhe pasqyron popullin.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)