Humbja e rolit të Kuvendit dhe fuqizimi i Kryetari të Komunës
Shkruar nga Elvis Feka
Para vitit 2008 Kuvendi i Komunës ka zgjedhur si kryetar të Komunës njërin nga anëtarët e vet sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/45, mbi Vetëqeverisje e Komunave në Kosovë.
Përgjegjësitë e Kryetarit të Komunës para vitit 2008 ishin të lidhura me mbikëqyrjen e përgjithshme të zbatimit të vendimeve që janë marrë nga Kuvendi Komunal dhe administrimin financiar të komunave.
Kryetari ishte edhe kryetar i Komitetit për Politikë dhe Financa dhe kishte përgjegjësi të tjera që i janë dhënë sipas statutit. Kryetari i Komunës është mbështetur nga nënkryetarët, Kryeshefi Ekzekutiv dhe Bordi i Drejtorëve.
Sipas gjithë kësaj në bazë të rregullores së UNMIK-ut, kryetari i komunës nuk ka qenë në gjendje të dominojë ose ti shmanget kuvendit komunal.
Pas vitit 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e vet, u krijua Ligji për Vetëqeverisje Lokale i cili bëri një transferim të kompetencave nga niveli qendror në atë lokal, duke përfshirë edhe ndryshimin e mënyrës se si zgjidhen kryetarët, nga sistemi i mëparshëm i UNMIK-ut, ku kryetari është zgjedhur nga Kuvendi, në situatën aktuale, ku kryetarët zgjidhen direkt nga qytetarët.
Zgjedhja e Kryetarit të Komunës nga populli në mënyrë të drejtpërdrejt krijoi edhe disa ndryshime të tjera në aspektin ligjor sepse Ligji për Vetëqeversje Lokale nuk ka mundur ta vendos kryetarin nën mbikëqyrjen e kuvendit komunal.
Nga ana tjetër ky ligj i ka ofruar kuvendit komunal disa kompetenca legjislative dhe vendimmarrëse për ta ruajtur kompetencën e këti të fundit.
Me forcimin e rolit të kryetarit, qeveria lokale në Kosovë ka mbetur pa mekanizma të kontrollit, pasi kuvendet komunale në shumicën e rasteve janë të përbëra nga një shumicë e cila vjen nga partia dhe koalicionet që kanë fituar zgjedhjet, por edhe në rastin e kundërt është e pamundur për të ushtruar ndonjë kontroll mbi kryetarin.
Mungesa e një debati dhe bashkëpunimi midis akterëve vendimmarrës të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli bën që llogaridhënia të jetë e paqartë dhe shkakton huti në mesin e qytetarëve lidhur me përgjegjësitë institucionale, në këtë rast përgjegjësitë e Kuvendit dhe Kryetarit të Komunës.
Ky vakum i krijuar qon deri tek ndërhyrja e partive politike në punën e komunave në Kosovë. Kryetari i Komunës ka dy alternativa të llogaridhënies, njëra ligjore dhe institucionale llogaridhënia para qytetarëve dhe tjetra llogaridhënia partiake e atyre që e kanë nominuar.
Nëse flasim për llogaridhënien para qytetarëve len për tu dëshiruar takimet publike të komunave të cilat janë më tepër formale sesa që nxirren ide dhe përkrahen ide. Ndërsa llogaridhënia partiake mbetet adresa e kryetarëve të komunave që zakonisht janë edhe kryetarë të degëve të partive politike, për të realizuar planin dhe detyrimet partiake.
Më së miri ky dominim shpjegohet me mos mundësinë e shkarkimit në asnjë rast të kryetarit të komunës nga kuvendi komunal edhe pse këta të fundit janë të zgjedhur direkt të popullit, nga ana tjetër Ligji për Vetëqeverisje Lokale nuk ofron mundësin praktike të shkarkimit të kryetarit nga qytetarët duke kërkuar 20% të nënshkrimeve të gjithë votuesve në komunë për të iniciuar shkarkimin dhe shumicën apo mbi 50% të votuesve të cilët votojnë pro shkarkimit të kryetarit.
Kjo tregon qartë se çfarë roli ka kryetari i komunës, me plot kuptimin e fjalës kryetari i komunës mund të konsiderohet si person i paprekshëm gjatë mandatit të tij.
Por nga ana tjetër duhet theksuar se ky dominim i kryetarit vjen nga roli pasiv i anëtarëve të kuvendit. Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale i ofron Kuvendit Komunal organe të mjaftueshme që munden vetë të organizojnë, mbikëqyrin, korrigjojnë ose promovojnë qeverinë komunale, mirëpo një gjë e tillë nuk mund të funksionoj me rolin pasiv të anëtarëve të kuvendeve komunale.
Nga e gjithë kjo arrijmë në përfundim se edhe pse në opinion del që kuvendi komunal është institucioni më i lartë në nivel lokal, në fakt është kryetari i komunës që ka rolin dominues dhe të paprekshëm. Gjithashtu motivojë anëtarët e kuvendeve komunale të luajnë një rolë më përfaqësues dhe më aktiv në kuvendet komunale.